Shoqëria Civile ul në një tryezë Nishanin, Ramën, Metën dhe Bashën

520
Demokracia shqiptare në këto 25 vite është përballur me shumë sfida, prej të cilave, një nga më të rëndësishmet është ajo që konsiderohet fenomeni i Korrupsionit Zgjedhor, një koncept i ri, i cili nënkupton çdo veprim politik, ligjor, institucional apo individual i cili tenton të shtrembërojë a manipulojë vullnetin e votuesit, apo e thënë ndryshe çdo formë e manipulimit të vullnetit të zgjedhësve për interesa personale të individëve/subjekteve të veshur me pushtet, qoftë ai politik, ekonomik a i tjetër lloji. Viti 2016, veçanërisht gjashtëmujori i parë i tij, parashikohet të jetë i ngjeshur me nisma legjislative dhe pritet të përmbyllen pjesa dërmuese e reformave të rëndësishme për vendin, ndër të tjera edhe Reforma Zgjedhore, një reformë që është e gjithëpranuar që duhet të jetë e thellë, por që duhet të ketë edhe dimensionin gjithëpërfshirës të kontributeve që vijnë nga të gjithë aktorët politikë dhe prej aktorëve të tjerë vendas e të huaj me interes në çështjet zgjedhore. Si e tillë, Reforma Zgjedhore duhet të adresojë së pari tërë problematikat e vërejtura në traditën 25 vjeçare të proceseve elektorale, një traditë problematikash që zë rrënjë pikërisht tek fenomeni i korrupsionit elektoral. Për të adresuar këtë fenomen, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) organizon konferencën kombëtare “Korrupsioni zgjedhor dhe nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse”, ku fton të gjithë aktorët dhe individët e interesuar dhe që kanë mundësi të japin kontributin e tyre në të kuptuarin e këtij fenomeni në vend, grupe interesi, përfaqësues të forcave politike, të organizatave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike në vend, institucioneve të angazhuara në zgjedhje, të medias, qytetarë, etj. Konfirmimi i pjesëmarrjes në panelin e parë përshëndetës, i Krerëve më të lartë të shtetit si dhe i partive kryesore parlamentare të vendit, është një mesazh domethënës i politikës, si dhe një garanci se shqetësimet rreth pranisë së këtij fenomeni në demokracinë dhe shoqërinë shqiptare nuk do të neglizhohen për tu adresuar prej tyre në vazhdimësi e veçanërisht prej Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Konferenca do të jetë e ndarë në tri pjesë: politike, teorike dhe praktike. Pjesa praktike do të jetë e organizuar në formën e grupeve të punës, në secilin prej të cilëve do të diskutohet një tematikë specifike e procesit zgjedhor. Pjesëmarrësit do të mund të regjistrohen një njërin prej grupeve, aty ku ata konsiderojnë se mund të kontribuojnë më shumë. Në përfundim të konferencës do të përpilohet një dokument me problematikat kryesore të identifikuara dhe rekomandime të përgjithshme për adresimin e tyre, dokument i cili do të qarkullohet publikisht dhe i dërgohet më pas Komisionit Parlamentar Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore. Dokumenti do jetë një kontribut i përbashkët i gjithë aktorëve pjesëmarrës dhe si i tillë do të përmbajë të listuar emrat e organizatave apo institucioneve kontribuuese në të, duke i rekomanduar Komisionit Parlamentar thirrjen e tyre në mënyrë individuale ne seanca dëgjimore, në mënyrë që çdo aktor të mund të prezantojë konkretisht rekomandimet e tij në mënyrë më të plotë.
Sigal

Propozimet e LSI dhe amendimet e Ministrisë së Drejtësisë për reformën

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kundërshtuar variantin përfundimtar të draftit për Reformën në Drejtësi. Pika që ka pasur kundërshtimin është formula kushtetuese për zgjedhjen e anëtarëve të organeve gjyqësore si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. Socialistët kërkojnë që të gjithë anëtarët e këtyre institucioneve të zgjidhen me 3/5 ose me 84 vota në parlament, ndërkohë që opozita kërkon të zgjidhen me 2/3 e parlamentit, pasi sipas tyre, maxhoranca aktuale i ka 84 vota dhe nuk i nevojitet konsensusi i opozitës, çka sipas tyre, mund të përbëjë rrezik për kapjen nga ana të majtës në pushtet e sistemit të Drejtësisë. Për sa i përket Prokurorit të Përgjithshëm, si demokratët ashtu dhe LSI, kërkojnë të mos i përfundojë mandati, pasi ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi. Po ashtu, pikat ku opozita dhe LSI shprehet kundër është rritja e rolit kontrollues të Ministrit të Drejtësisë në organet gjyqësore, edhe pse Komisioni i Venecias, në raportin paraprak rekomandoi që të rishikohet roli i tij, me qëllim shmangien e një konflikti të mundshëm interesi. Pika tjetër ku LSI gjen dakordësi me socialistët është numri i institucioneve të reja që parashikohet të ngrihen, me ndryshimet kushtetuese, që presin vlerësimin e Venecias, pasi ata mendojnë se nuk është i nevojshëm shtimi i numrit të tyre.

Amendimet e Ministrisë së Drejtësisë për Reformën në Drejtësi

Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, Ilir Rusmajli dhe Krenar Loloci kanë depozituar zyrtarisht pranë ekspertëve, amendimet e tyre për reformën në drejtësi. Ajo që bie në sy është formula për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa paketa e re parashikon që 3 anëtare të kësaj gjykate t’i zgjedhë presidenti, 3 parlamenti dhe 3 Gjykata e Lartë së bashku me Gjykatën e Lartë Administrative, ekspertët e Drejtësisë propozojnë që 9 anëtarët e kushtetueses të zgjidhen nga Presidenti, me propozim konsensual të grupeve parlamentare. Një tjetër çështje që ndan thelbësisht draftin e hartuar nga ekspertët, nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, është Këshilli i Lartë Gjyqësor. Paketa kushtetuese parashikonte që ky këshill të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga gjyqësori dhe 5 të zgjedhur nga parlamenti. Ndërkohë, sipas propozimit të tyre, Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përbëhet vetëm nga 9 gjyqtarë. Në total janë 23 amendime që ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë kanë hartuar për paketën kushtetuese për reformën në drejtësi.

Eksperti i Venecias Thomas Markert: Emërimi i kandidatëve në Gjyqësor, po aq i rëndësishëm sa zgjedhja e tyre

Pas një pune intensive harmonizuese fjalën do ta ketë politika. Dua të përgëzoj ekspertët e vendit për punën e mirë të bërë. Dua të shpreh vlerësimin më të mirë për bashkëpunimin me ekspertët tanë. Nuk jemi këtu për t’ju treguar çfarë duhet të bëni, por ne jemi këtu për t’ju dhënë eksperiencën tonë, këshillat tona që ju të realizoni një reformë në drejtësi sipas standardeve europiane. Ne po vlerësojmë nëse fjala e ekspertëve shqiptarë është në përputhje me standardet evropiane. Çështje e rëndësishme, ajo e shumicës për emërimet në poste të larta. Ekspertët kanë propozuar 3/5-at, teksa opozita 2/3-at. Të dyja këto zgjedhje janë në përputhje me standardet evropiane dhe Komisioni Venecias nuk mund të jap një sugjerim për këtë, por është politikat që në këtë rast duhet të vendos. Ne vlerësojmë se ka dhe mënyrë të tjera për të bërë emërimet veç shumicës me 2/3-at apo 3/5-at, por kjo i takon politikës. Procedura e emërimit të kandidatëve është po aq e rëndësishëm sa edhe zgjedhja e tyre. Në kuadër të procedurës së përzgjedhjes, duhet plotësimi i kritereve me rigorozitet më shumë se sa numri i votave dhe kjo është thelbësore. Dua të nënvizoj se pjesa që kërkon shumcinë cilësuar ka dhe mënyra të tjera për të realizuar emërimet në KLGJ apo pjesë të tjera. Forcat politike duhet të dakordësohen, pasi vetëm kështu mund të ecet përpara