Shoqëria civile, shoqatat që mbyllin gojën për KLP-në

557
Organizatat jofitimprurëse, që firmosën peticione e bënë protesta për vetingun, sot janë “zhdukur” dhe heshtin për dështimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë
Shoqëria civile është vendosur sot në fokus të kritikave për mosplotësimin e kandidatëve të nevojshëm për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pikërisht për këtë arsye, KLP nuk është ngritur dhe tashmë ka shpërthyer edhe debati për Kryeprokurorin e ri. Megjithatë, organizatat e shoqërisë civile nuk janë aktorë të rinj në skenën e reformës në drejtësi. Edhe më parë, disa prej këtyre organizata jofitimprurëse kanë qenë të angazhuara intensivisht, duke organizuar edhe protesta e peticione. Në fund të shkurtit 2017, ndërsa Partia Demokratike kishte bojkotuar Kuvendin, kishte ngritur Çadrën e Lirisë dhe Kryeministri Rama e akuzonte atë për bllokimin e vetingut, në publik u hodh peticioni i quajtur “Të shpëtojmë vetingun” i 50 organizatave të ashtuquajtura të shoqërisë civile. Peticioni u drejtohej deputetëve dhe ambasadave të huaja. Duke folur në emër të shoqërisë shqiptare shpallte publikisht se “shoqëria shqiptare kërkon zbatimin sa më të shpejtë dhe të plotë të hapit të parë të reformës: ligjit të vetingut”. Të vetëdijshëm për rëndësinë e vetingut, firmëtarët e peticionit u shprehën se “ngritja e institucioneve të vetingut i hap rrugën reformës rrënjësore të sistemit gjyqësor, duke qenë edhe kushti kryesor për avancimin e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Kjo u konfirmua edhe nga Komisioneri për zgjerimin, i cili shprehu edhe gatishmërinë e Komisionit Evropian për të shtyrë përpara këtë proces “sapo të ketë filluar funksionimi i vetingut”. Duke iu drejtuar deputetëve në përgjithësi, por ishte e qartë se shënjestra e tyre ishin deputetët e PD-së, peticionistët u kërkuan atyre “Tregoni përgjegjshmëri politike dhe integritet, duke u angazhuar për formimin e institucioneve të vetingut”. Por pjesa më e rëndësishme e peticionit dhe shkaku që na e solli në mend peticionin është betimi që autorët bënë në fund të tij: “Të bindur se politika duhet t’i bindet vullnetit të qytetarëve, organizatat e shoqërisë civile do të vijojnë të ngrenë zërin, në mënyrë të pandalshme për të nxjerrë para përgjegjësisë politikanët shqiptarë për detyrat e tyre politike, institucionale dhe morale, në lidhje me zbatimin e ligjit të vetingut dhe integrimin europian”. 

Duke parë gjithë atë shqetësim për vetingun dhe veçanërisht betimin e mësipërm për të ngritur zërin dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë politikanët, shumë kush mund të ketë pritur që ata të reagonin sërish tani që po zgjidhet një prokuror pa veting dhe po shkelet Kushtetuta. Të tjerë mund të kenë pritur që ata të kishin reaguar kur u mësua, se ish-ministri i Brendshëm ishte bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës, trafiku i së cilës është një nga shkaqet e mban Shqipërinë jashtë Evropës. Por jo, ata nuk reaguan, as atëherë dhe as tani. Arsyen mund ta marrë me mend çdo kush.

Lista e organizatave që firmosën peticionin:
Agjencia e Zhvillimit Rajonal, Durrës
Agjencia Rajonale e Zhvillimit, Korçë
Albanian Community Assist
Aleanca Gjinore për Zhvillim
Balkan Youth Link Albania (BYL-A)
Brave New Generation
Business Improvement District Shkodra
Creative City, Shkodër
Epoka e Re, Fier
Fondacioni Gjirokastra
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë
Fondacioni Syri i Medias së Re, Gjirokastër
Forumi i Mendimit të Lirë
Green Line Albania
Gruaja Intelektuale Pogradecare
Gruaja në Zhvillim Korçë
Instituti AGENDA
Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi
Instituti Shqiptar për Zhvillim Politikash
Intelektualët e Rinj Shprese (IRSH), Shkodër
Klubit Ekologjik, Elbasan
Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të Qëndrueshme
Kongresi Rinor Kombëtar
Legambiente Vlorë
Lëvizja MJAFT
Lëvizja Evropiane (EMA)
Lëvizja Rinore Pukë
Lions Club Pogradec
Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm (ESD)
Mjedisi dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm(ESD)
New Bridged, Berat
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve
Organizata “Green Vision”, Vlorë
Organizata Reforma Reale
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Projekte Vullnetare Ndërkombëtare
Qendra “Grupimi Ekolëvizja”
Qendra e Zhvillimit të Shoqërinë Civile, Durrës
Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile, Korçë
Qendra Genesis, Shkodër
Qendra Rinore, Vlorë
SEEP
Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
Shoqata Artizanatit Pogradec
Shoqata e Grave Profesioniste, Afariste & Zejtare, Shkodër
Shoqata Gruaja drejt Integrimit, Pukë
Shoqata Maqedonase “Ilinden”, Tiranë
Shoqata për Integrimin e Zonave Informale (SHIZI)
Tjetër Vizion, Elbasan
#ZëriIntegrimit
Sigal