Shoqëria civile, protestë përpara Kryeministrisë

556
Aktivisti i shoqërisë civile, Aulon Kalaja, ka marrë nismën e organizimit të një proteste përpara selisë së qeverisë, më 3 shkurt, në orën 11:00. Së bashku me të tjerë aktivistë, Kalaja ka nisur organizimin e protestës, duke bërë thirrje edhe në rrjetet sociale. 

Pse e morët nismën për të organizuar një protestë për çështjen e shumëpërfolur të detit?
“Më datë 20 janar, në kohën kur në qytetin e Korçës, po takoheshin dy ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, menduam së bashku me disa aktivistë të shoqërisë civile të organizonim një protestë. Aty na u bashkuan edhe familjarët e të ndjerit Pëllumb Marnikollaj nga Lezha, i cili u vra në një nga komisariatet e Athinës nga policia greke. Ne i kërkuam ministrit tonë transparencë për bisedimet dhe reciprocitet. Me sa duket transparencë nuk kish, por as reciprocitet jo. E them këtë, pasi i referohem deklaratave të Ministrit të Jashtëm të Greqisë Kotcias, dhënë për mediat greke se Shqipëria pranoi zgjerimin me 12 milje detare. Duke u nisur nga kjo situatë vendosëm që më datë 3 shkurt, ditë e shtunë, në orën 11:00 të organizojmë një protestë tek Kryeministria për të kundërshtuar këtë marrëveshje që ka ndodhur tanimë. Do të përdorim të gjithë mjetet që të mbrojmë territorin tonë. Është detyrë e çdo atdhetari. Ata që do të marrin pjesë në protestë, që nuk do të jenë të pakët, do të marrin me vete simbole kombëtare. Protesta nuk do të ketë dallime feje, krahine, ideje dhe politike. Do të jetë një protestë qytetare, patriotike. Mikrofoni i hapur për të gjithë. Protestë popullore dhe pa lider”.

Cili ka qenë reagimi i parë që keni ndeshur pas deklaratave të Kotcias?
“Reagime atdhetare. Të pritshme, sepse shqiptarët dinë të çohen, dinë të reagojnë dhe dinë të protestojnë. Sigurisht që ka pasur habi, sepse kjo qeveri ka qenë kundër marrëveshjes së mëparshme të qeverisë “Berisha” me Greqinë dhe nuk mund të bënte të njëjtat gabime. Por me sa duket situata është edhe më e rëndë, e nuk po flasim këtu për çështjen çame, për të cilën Kotcias tha se nuk ka qenë pjesë e bisedimeve. Reagimi fillestar ka ardhur në rrjetet sociale, nga ku çdo shqiptar i vërtetë i ka dedikuar një status kësaj tradhtie. Ata shkruanin se deti nuk është i Ramës e Bushatit, por i shqiptarëve, i mbrojtur me gjak ndër breza. Ndërsa unë teksa po bëja përgatitjet e rastit për protestën, i kujtova bashkudhëtarëve të mi në rrjetet sociale, shprehjen e Ismail Qemalit: “Ne nuk do të pranojmë asnjë të keqe për vendin tonë, as të madhe, as të vogël”. Është detyrë kombëtare për të marrë pjesë në këtë protestë, pa dallime politike dhe nga aty të vendosim për hapat e mëtejshëm”.
Sigal