Shoqata e policëve të liruar: Situata jashtë kontrollit

563
Në një deklaratë për gazetën “Telegraf”, shoqata e policëve të liruar e konsideron tepër qesharak veprimin e kryeministrit. Drejtuesit e saj shprehen se DEA Amerikane vjen në vendin tonë, jo për të luftuar krimin dhe shkatërruar parcelat me drogë, pasi ata nuk do të dalin në terren, por vetëm për të dhënë asistencën e tyre. Dhe kjo gjë është bërë shpesh. Por më tej kjo shoqatë shprehet, se policia në këto kushte nuk ka se çfarë të bëjë. Krimi, thuhet në deklaratën e bërë nga shoqata, ka pushtuar vendin dhe e gjitha kjo është pasojë e fushatës elektorale. “Edi Rama u ka borxhe trafikantëve dhe krerëve të krimit. Ata kërkojnë shpagim dhe ai nuk ka se çfarë të bëjë. E gjithë situata kriminale është rrjedhojë e politikës që qeveria ka ndjekur me Ministrinë e Brendshme që kur në krye të saj ka qenë ministër Sajmir Tahiri. Tashmë ka dalë jashtë kontrollit gjithçka. Qeverisë i ka dalë situata nga kontrolli dhe kjo gjendje nuk është parë në vendin tonë që nga viti 2004-2005”, thuhet në deklaratën e shoqatës së policëve të liruar. Ndërkohë punën e policisë ata e konsiderojnë të varur nga politika. Sipas tyre policët nuk kanë se çfarë të bëjnë dhe ata do të jenë të detyruar të rreshtohen pranë kryeministrit. Më tej shtojnë se këtu le të vijnë, jo vetëm amerikanët, por kushdo që të vijë dhe përsëri gjendja nuk ka për të ndryshuar. Krimi ka zënë rrënjë.
Sigal