Shkurtohet edhe 1.200 punonjës nga administrata shtetërore

408
Sigal

Paradoksi: Buxheti i 2014-s, më i madhi, por Administrata Publike më e vogla, ndërkohë që, rrogat nuk rriten

Ministrja për Administratën Publike, Milena Harito, në konkluzionet për 100- ditëshin e parë të qeverisjes së Majtë, nënvizoi si arritjen kryesore të institucionit të saj, përgatitjen e akteve nënligjore për ligjin e ri të nëpunësit civil. Ministrja Harito theksoi se, dikasteri që ajo drejton krijoi iniciativën mbi ndërtimin e bazës së CV on-line, promovimi i Meritokracisë në Administratën Publike Çelja e portalit vvvvvv.bazakombetarepunesim.kerkojpune.gov.al, që ka mundësuar krijimin e një baze të dhënash që përmbledh, deri më tani, 15 mijë burime njerëzore të ndara sipas kategorive e nivelit të kualifikimit, që informon në kohë reale për vendet vakante të punës në administratën publike”. Sipas saj, mbi këtë bazë, vijnë edhe konkurrentët nëpër vendet e punës. “Mbështetëm në mënyrë cilësore organizmin e kabinetit qeveritar me struktura të reja”.

1.200 nëpunës do të shkurtohen në 2014-n

Mirëpo atë që nuk tha ministrja për Administratën Publike është lajmi. Që në vitin e ri, 2014, do të shkurtohen 1.200 punonjës nga administrata shtetërore. Përveç ndryshimeve të mëdha që do të ketë në nivelin e taksimit për të gjithë qytetarët dhe bizneset, Ministria e Financave ka vendosur që të shkurtojë numrin e punonjësve të administratës. Kështu, sipas tabelës zyrtare të buxhetit për vitin që vjen, 1200 persona nuk do të kenë më vendin e punës në administratë. Edhe pse buxheti i 2014-s do të jetë më i madhi i këtyre 20 vjetëve të fundit, paradoksale është se administrata shtetërore do të pësojë shkurtime drastike. Por, paradoksale janë dy fakte. Që administrata shtetërore nuk është kaq e fryrë, në raport me numrin e popullsisë, sa të kërkohet shkurtim i saj. Gjithashtu, shkurtimi i administratës publike, nuk është as në kushtet eFMN-së kundrejt qeverisë shqiptare. Dhe fakti i dytë, më paradoksal, është që nuk do të ketë rritje të rrogës të nëpunësve të administratës publike, edhe pse buxheti do të jetë më i madh. Pavarësisht këtyre shkurtimeve, fondi që financat kanë programuar për të bërë pagesën e pagave është 62 miliardë lekë, rreth 2 miliardë më shumë se ai i 2013-ës. Ky është një nga buxhetet më të mëdha në historinë e Shqipërisë, por më i reduktuari sa i përket numrit të stafit që do të ketë administrata të paktën për 4 vitet e fundit.

Ja cilat ministritë do të kenë shkurtime më të shumta të nëpunësve

Dy nga ministritë që do të kenë dhe numrin më të madh të këtyre shkurtimeve janë Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë. Plani i buxhetit për vitin që vjen parashikon që të shkurtohen 650 punonjës nga Mbrojtja dhe 340 te Shëndetësia. Nga ana tjetër edhe vetë Kryeministria ka llogaritur që vitin e ardhshëm të vijojë me 30 punonjës më pak. Shtim të vendeve të punës janë programuar vetëm për zyrën e administrimit të buxhetit gjyqësor dhe për Ministrinë e Energjisë.

Shkurtimi i administratës publike do cenojë edhe shërbimin ndaj qytetarëve

340 nëpunës që do të shkurtohen nga Ministria e Shëndetësisë, do të jenë më shumë mjekë dhe infermierë. Kjo drejtpërdrejtë, do të cenojë edhe shërbimin shëndetësor publik për qytetarët. Dihet, se në shumë spitale, edhe tani ka mungesa të personelit, e sidomos të mjekëve dhe infermierëve. Mirëpo, të shkurtosh, përpos kësaj gjendjeje, akoma më shumë mjekë dhe infermierë, do të thotë, që me planifikim shtetëror, të shkatërrosh gjithë shërbimin shëndetësor publik.