Kryeministri maqedonas Gruevski ka pranuar se në koalicionin qeveritar ka krizë politike
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka pranuar se në koalicionin qeveritar ka krizë politike dhe ajo vjen si rezultat i përkuljes së ministrit të Mbrojtjes Fatmir Besimi pranë bustit të dëshmorëve të UÇK-së. Për krizën e krijuar mes partnerëve qeveritarë, Gruevski ka fajësuar drejtpërdrejtë partinë shqiptare BDI të Ali Ahmetit, pasi siç ka thënë kryeministri maqedonas, një pjesë e udhëheqësisë së BDI nuk është sjellë në mënyrë korrekte. Gruevski tha se ai nuk do të lejojë që të shkelet dinjiteti i qytetarëve maqedonas nga askush, ndërsa bëri me dije se partia e tij, VMRO-DPMNE, është e gatshme për zgjedhje të parakohshme nëse një gjë të tillë e kërkon partneri shqiptar i koalcionit. Duke reaguar ndaj prononcimeve të këtilla të kryeministrit Gruevski, nga partia e Ali Ahmetit thanë se nuk ndjejnë ndonjë shqetësim të veçantë me gjendjen e krijuar, të cilën e inicioi partneri maqedonas, VMRO-DPMNE. “BDI vijon me punët rutinore dhe plotësimin e axhendës së paracaktuar në rrethana të zakonta për realizimin e synimeve partiake, kombëtare dhe shtetërore”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së. Tensionet mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së kulmuan një ditë më parë kur partia e kryeministrit Nikolla Gruevski dorëzoi në Parlament një projekt/ligj për të drejta të veçanta për ushtarët maqedonas që në vitin 2001 kanë luftuar kundër UÇK-së. BDI reagoi ashpër duke paralajmëruar se do të braktisë koalicionin qeveritar nëse në këtë ligj nuk përfshihen edhe ushtarët e UÇK-së.