Shkrihet PS në Shkodër/ Kreu i socialistëve Ndue Dodaj: Strukturat e partisë nuk janë domate për salcë. Po injorohet statuti dhe baza

495
Sigal

Shkrihet PS-ja e Shkodrës me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste

Ish-kryetari socialist Ndue Dodaj: Nuk jemi domate për salcë

 Me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste është shkrirë struktura drejtuese e PS-së në Shkodër. Këtë lajm e pohoi edhe vetë koordinatori i PS në Shkodër, deputeti Arben Pëllumbi.

Konfliktet e socialistëve shkodranë me kupolën e Partisë

Situata në PS-në e Shkodrës duket të jetë në ditët e saj më të këqija, me vendimin e të deleguarve të Edi Ramës për të shkrirë strukturat lokale. Zbulimi i të shkuarës së Valdrin Pjetrit ishte vetëm maja e ajsbergut për nisjen e përplasjeve, pasi tashmë debati ka zbritur në nivelin e zgjedhjes së drejtorëve dhe drejtuesve të rinj socialistë. Në një deklaratë pas mbledhjes së strukturave lokale, koordinatori i PS-së për Qarkun e Shkodrës Arben Pëllumbi deklaroi se për zgjedhjen e drejtorëve të rinj po merret kohë në mënyrë që në fund qytetarët të marrin shërbime sa më efektive.

Ish-kreu i PS në Shkodër Ndue Dodaj: Na përdorin për fasadë

Lidhur me këtë situatë ka reaguar dhe ish-kreu i PS në Shkodër Ndue Dodaj, i cili thotë se është shkelur statuti i PS-së me të dyja këmbët. Dodaj shprehet se strukturat e PS-së nuk janë domate, që të bëhen salcë, sa herë që kërkon i zoti i shtëpisë. Ndue Dodajt, ish kryetari i PS-së: Shkrihen strukturat e PS Shkodër. Për çfarë?! Për zgjedhjet e kandidatit për Kryetare Bashkie?! Se strukturat u emëruan?! Se pati rezultate të dobta me zgjedhje?! Se drejtuesit e institucioneve (drejtore) i zgjodhën këto struktura?! Se anëtarët e këshillin bashkiak i zgjodhën strukturat?! Se kryetarët e partisë njëri pas tjetrit u zgjodhën nga strukturat?! Duhet një sqarim për partinë e për publikun. Strukturat nuk janë domate që bëhen salcë kur do i zoti i shtëpisë. Ka një”statut” që thotë kur shpërndahen strukturat. Me strukturat e PS Shkodër është luajtur vazhdimisht, sepse i duhet dikujt si fasadë për të mbuluar dobësitë e veta. Partia Socialiste në Shkodër nuk ka patur mbështetjen e duhur, sepse të deleguarit e partisë e kanë vlerësuar si kalim kohe e jo detyrë për të ndihmuar e zgjidhur vështirësitë me plane e pune konkrete. Partia Socialiste duhej dhe duhet të hartojë një projekt të veçantë politik e qeverisës për Shkodrën, sepse dhe Shkodra vetë ka specifikat e saj, ndryshe nga qytetet e tjerë e mbi të gjitha edhe për faktin që në Shkodër sundon 30 vite Partia Demokratike. Të nderuar drejtues politik për Shkodrën, partia organizohet me gjithëpërfshirje nga themeluesit deri te të rinjtë pa dallim. Me gupe interesash të ngushtë ka përfitime individuale, por jo parti të organizuar e që u shërben interesave të qytetarëve. Mbetem me shpresë se do e merrni seriozisht këtë radhë. Shqipëria ka nevojë dhe për Shkodrën e Shkodra ka nevojë për Shqipërinë njëlloj si për Vlorën apo Korçën, Durrësin apo Tiranën, Elbasanin apo Lushnjën, Fierin apo Kuksin, e tjerë qytete të Shqipërisë.