Shkrihet partia e Frrokut, i bashkohet PDK së Ndokës

454
Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Kristiandemokrate kanë rënë dakort në parim për bashkimin e dy partive parlamentare në një forcë të vetme politike, nën siglën e PDK-së. Ditën e sotme, Partia Demokristiane ka njoftuar arritjen e një marrëveshje me kristiandemokratët për tu bashkuar në një forcë të vetme politike. Nga ky moment, partia e Mark Frrokut, e cila tani përfaqësohet në Kuvend me Mirela Ferracakun, do të jetë brenda siglës së PDK-së. 
“Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Kristiandemokrate kanë rënë dakort në parim për bashkimin e dy partive parlamentare në një forcë të vetme politike nën siglën e PDK¬së.  Grupet e punës tashmë kanë përfunduar negociatat dhe pritet vendimarrja e përbashkët e dy forcave politike për legjitimimin e procesit të bashkimit. Tashmë alternativa demokristiane në Kuvendin e Shqipërisë do të përfaqësohet me tre deputete”, thuhet në njoftimin e PDK-së. 
Dy grupet e punës kanë hartuar modalitetet e bashkimit të dy partive si dhe kanë ngarkuar përfaqësuesit e dy partive për të vazhduar negociatat edhe me partitë e tjera të spektrit demokristian, Partinë Aleanca Demokristiane të drejtuar nga Zef Bushati dhe Partinë Lidhja Demokristiane të drejtuar nga Mëhill Geci.  “Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Partia Kristiandemokrate, që kanë marrëveshje politike për bashkëqeverisje me maxhorancën aktuale, konfirmojnë vazhdimin e këtij bashkëpunimi në respekt të marrëveshjeve të nënshkruara. 
Deputetet Demokristianë do të unifikojnë qendrimet e tyre politike në mbështetje të reformave dhe mireqeverisjes se vendit. Partia Demokristiane e Shqipërisë, do të informojë për procesin e bashkimit dhe unifikimit të faktorit demokristian, Aleatët tanë politike në Shqipëri dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Presidentin e Unionit Kristiandemokrat Europian, z. Pier Ferdinando Casini dhe CDU-në gjermane të Kancelares Merkel, si dhe zotin Fleckenstein, raportuesin në Parlamentin Europian, si një mik të Shqipërisë dhe të Demokristianëve”, vijon më tej njoftimi i demokristianëve.
Sigal