Shkrihen akujt/ Jozefina takohet me doktorin?

736
Ka shumë gjasa që Jozefina Topalli të jetë takuar sot me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha në ABA Center në Tiranë, atje ku dhe prej vitesh ka zyrën ish-kryeministri. Pas një periudhe tejet të ftohtë, duket se dy politikanët kanë vendosur paqen, teksa partia e tyre është përfshirë nga frikërat dhe pasiguritë e një lidershipi që nuk garanton as betejë, as fitore ndaj qeverisë së “narkoshtetit” si preferon Berisha ta quajë kabinetin e Edi Ramës.
Fakti që ky takim ka qenë i çlirët, rrëfehet nga një foto që më pas Jozefina Topalli ka bërë me stafin e doktorit, mes të cilëve zëdhënësja e tij, Erla Mëhilli. Kjo foto është shkrepur në paradhomën e zyrës së Berishës dhe është kryer fill pas takimit të Topallit me të.

Jozefina Topalli ndërpreu komunikimin me Sali Berishën pas shpalljes së listës për deputetë të Lulzim Bashës dhe justifikimit që i bëri kësaj liste ish-kryetari Berisha, gjë që u lexua si “tradhëti” ndaj ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë, mes të cilëve ishte pa dyshim Jozefina Topalli. Kjo e fundit, megjithëse fushata elektorale pati nisur, kërkoi shkarkimin e Lulzim Bashës.
Tani pas kaq muajsh zhvillimesh të vrullshme dhe qëndrimit kundër doktorit të Bashës për djegien e mandateve, Berisha u shpreh që nëse baza kërkon rrëzimin e Lulit, ai ishte me bazën.
A thua ky takim ka të bëjë me lëvizjet në bazë apo thjesht atmosfera e festave ka shkrirë akujt e qejfmbetjes?


Marre nga 27.al
Sigal