Shkodra dje jetoi 2 prillin e ’91-shit/ Qindra qytetarë shkodranë përballen me policinë, ndërkohë që Kryeministri mban miting elektoral

442
Sigal

Qindra qytetarë shkodranë u përleshën me policinë, për të mos lejuar kryeministrin të mbajë miting elektoral

Pasardhësit e 2 prillit 1991 u rikthyen dje në vendin e krimit në Shkodër

 

Dje qyteti i Shkodrës jetoi sërish 2 prillin e 1991-shit. Qindra qytetarë shkodranë qysh herët në mëngjes u ngritën për të mos lejuar kryeministrin Rama të mbajë miting elektoral në qytetin e tyre. Qytetarët shkodranë, kërkojnë të respektohet Kushtetuta, Ligji, kërkojnë nga kreu i qeverisë që, siç thotë Kushtetuta e Shqipërisë, të zbatojnë të gjithë dekretin e Presidentit të Shqipërisë, që 30 qershori është shfuqizuar si datë e zgjedhjeve vendore.

Qytetarët shkodranë në protestë

Qytetarët shkodranë i kërkojnë kryeministrit të zbatojnë të gjithë ABC-në e demokracisë. Të zbatojnë të gjithë ligjin e shtetit. Sikurse edhe në 2 prillin e 1991-shit, qytetarët shkodranë u mblodhën në sheshin qendror dhe kërkuan nga pushteti Liri dhe Demokraci. Shumë pjesëmarrës në mitingun elektoral të kryeministrit Rama në Shkodër u “importuan” nga qytetet e tjera të vendit, ndërkohë, që qytetarët shkodranë u penguan nga Policia e Shtetit të shkojnë në takimin me kryeministrin.

Kryeministri injoron ligjin

Kryeministri, shpërfill Kushtetutën, injoron ligjin, dhe nuk respekton dëshirën e qytetarëve shkodranë, por si një pushtues, me forcën që i ka dhënë pushteti, përdor kundër qytetarëve dhunën e Policisë së Shtetit.

Tensione dhe dhuna policore kundër qytetarëve

Disa mijëra banorë të Shkodrës kanë mbushur pedonalen në kryeqendrën e qytetit elektoral. Policia ka përdorur sprajte dhe gaz helmues për të shpërndarë protestuesit që janë të shumtë në numër. Disa herë protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, ndërsa forcat e rendit kanë përdorur gazin për të larguar protestuesit. Madje qytetarë kanë humbur ndjenjat si rezultat i përdorimit të gazit helmues.

Kryeministri devijon rrugën i trembur nga protestuesit

 

Kryeministri Edi Rama është detyruar të ndryshojë drejtim, duke gjetur një rrugë dytësore për të hyrë në Shkodër, ndërsa simpatizantë dhe mbështetës të opozitës, kishin bllokuar rrugën kryesore në afërsi të Dajçit. Disa dhjetëra forca policore, kryesisht speciale, ishin angazhuar për të mbrojtur kryeministrin, i cili ka zgjedhur të gjejë një rrugë alternative për t’i shpëtuar një konfrontimi të mundshëm. Duket se pas asaj që i ndodhi në Librazhd, Rama dhe eskortat që e shoqërojnë kanë zgjedhur të gjejnë rrugë të tjera, në rastet kur ka njoftime për protesta.

 

Rëndohet situata në Shkodër, qytetarë të sulmuar nga Policia pa ndjenja drejt spitalit

Situata në Shkodër, u përkeqësua për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës nga Policia, shumë njerëz janë lënduar. Një ambulancë është pranë zonës ku ka ndodhur përplasja, ndërkohë që një person është parë të shoqërohet në Spitalin Rajonal për ndihmë të parë mjekësore, pasi ka pasur humbje të ndjenjave. Edhe kryebashkiakja e Shkodrës u pa që të helmohej nga gazi lotsjellës që përdori Policia ndaj saj, edhe pse mitingu ku organizohej takimi elektoral i kryeministrit nuk ishte dhënë leja nga Bashkia e Shkodrës.

 

Policia helmon me gaz lotsjellës foshnjën 1-muajshe, depërtoi në banesë

 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër gjatë momentit që Policia ka sulmuar me gaz lotsjellës qytetarët, të cilët kundërshtonin mbajtjen e mitingut nga Rama. Sasia e madhe e gazit e hedhur nga Policia ka depërtuar edhe në banesat përreth duke helmuar jo vetëm të rritur, por edhe një foshnjë 1 muajshe. D. B vetëm 1 muajsh është dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal të Shkodrës, për shkak se gazi ka hyrë nga dritaret e banesës në brendësi. Për fat të mirë pas ndihmës së parë, fëmija mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

 

Policia nis arrestimet e protestuesve në Shkodër gjatë natës

 

Pas përfundimit të mitingut të Edi Ramës, të zhvilluar nën shtetrrethim, policia ka nisur reprezaljet nga qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestën e PD. Një qytetar është lënduar gjatë përplasjes me policinë. Ndërkohë drejtuesit e PD në Shkodër kanë krijuar një kordon mes protestuesve për të mos lejuar që situata të acarohet edhe më tepër. Me rënien e natës, policia pritet të nisë dhe arrestimet e qytetarëve që morën pjesë në protestën kundër kryeministrit Edi Rama.