Shkëlqesia e tij, zoti Ambasador…

826
Dr. Vili Minarolli
Ish ambasador
Nuk do të më pëlqente të polemizoja rreth një deklarate të Kryeministrit të vendit në lidhje me ambasadorët shqiptarë në botë, aq më shumë që tashmë jam prej disa vitesh i tërhequr nga çdo veprimtari shtetërore. Por meqenëse edhe vetë për shumë vite kam shërbyer në këtë detyrë të lartë, nuk mund të mos shpreh vlerësimin më të madh për ish kolegët e mi ambasadorë, dhe për ata dhjetëra e qindra diplomatë që kanë punuar dhe punojnë me përkushtim për të përfaqësuar vendin në mbarë botën. Diplomacia është, jo vetëm vlerë, por edhe pasuri kombëtare dhe nuk mund të trajtohet thjesht si pjesë e një shërbimi civil apo e një administratë të zakonshme të vendit. Ambasadori është figura kryesore e shtetit në vendin ku është i akredituar, është i Plotfuqishëm dhe Fuqiplotë, prandaj dhe zgjedhja e tij është një përgjegjësi e atyre që i propozojnë, e atyre që i dëgjojnë dhe vlerësojnë dhe e atyre që i dekreton. Ambasadori nuk mund të jetë një i zgjedhur emocional apo i një interesi të ngushtë si shpërblim i një shërbimi (një apo dy mund edhe të jenë të tillë), por ai duhet të jetë: Së pari, një njeri me integritet të lartë dhe me moral cilësor, i pa përlyer në afera që kanë qenë pjesë e diktaturës komuniste, me një edukim dhe formim solid, duke pasur njohuri të mjaftueshme politike, sociale, kulturore dhe ekonomike. Ai është një figurë përfaqësuese dhe aspak objekt i mllefeve dhe pjesë e sherrnajave të politikës së vendit. Ambasadori nuk bën politikë po zbaton politikën e shtetit të tij. Prioritetet e punës të ambasadorit janë ato të shtetit të tij, në përputhje me programin e qeverisë përkatëse. Në qoftë se ambasadori nuk u përmbahet këtyre parimeve, ai në çdo moment mund të largohet nga detyra. Ambasadori “ushqehet” nga strukturat e Ministrisë të Jashtme për detyra të momentit, por ai që kur merr detyrën e tij, duhet ta ketë të qartë se, cilat janë synimet kryesore dhe objektivat që duhet të arrijë në vendin ku shkon. Por ai ka nevojë që shtetin e tij ta prezantojë, jo si duhet të jetë, por si është, për sa i përket standardeve politike, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, lirisë të medies dhe të informimit publik, prioritetet e zhvillimit ekonomik dhe avantazhet e kapitalit të huaj për të qenë prezent në zhvillimin ekonomik të vendit. Asgjë nuk mund të shtrembërosh apo ta paraqesësh të zezën të bardhë, se çdo shtet, jo vetëm ka përfaqësuesit e tij në vendin tonë, por ka edhe burime të shumta për të marrë informacionin e nevojshëm për qëllimin që është i interesuar. Sigurisht Kryeministri ka më shumë informacion se unë për punën e ambasadorëve që shumicën prej tyre i ka emëruar vetë pas vitit 2013, duke i prezantuar si intelektualë me vlera, si figura përfaqësuese të politikës, të ekonomisë apo të kulturës dhe si njerëz që do i jepnin një ritëm tjetër shërbimit diplomatik në përputhje me synimet e programit të qeverisë. Tani që dëgjova vlerësimin e Kryeministrit për punën katër vjeçare të ambasadorëve, m’u kujtua një rast nga përvoja ime. Në vitin 1993-1995 isha me detyrën e të Ngarkuarit me Punë a.i. në Jugosllavi (Serbi, Mali i Zi) se i tillë ishte niveli i përfaqësimit. Duke folur në një takim me kolegët për situatën dhe përparësitë e investimeve të huaja në vendin tim, e gjithë ligjërata ime u rrëzua kur përfaqësuesi i Holandës në një vizitë që kishte bërë në vendin tonë, duke kaluar nga Hani i Hotit deklaroi se, nga kufiri deri në Shkodër kishte numëruar 24 pika karburanti ndërsa nga Shkodra deri në Tiranë vetëm 4. Unë këtë e kisha parë vetë, madje më shumë se kaq, në bregun e Bunës nga ana tjetër e kufirit dhe e mendoni pozitën time në atë rast. Në vitin 2006 -2010 isha ambasador në Republikën e Greqisë e më pas në atë të Austrisë dhe prioritetet e punës ishin thithja e investimeve të këtyre vendeve dhe përparësitë që prezantonte vendi im për këtë qëllim, që nga legjislacioni, mbrojtja e investimeve,bashkëpunimi me biznesmenë shqiptarë në këto vende dhe lehtësira të tjera. U kufizua trafikimi i drogës dhe i qenieve njerëzore dhe asnjëherë shtypi i këtyre vendeve nuk përmendi, qoftë edhe një rast të vetëm, të trafikimit të drogës, që të kalonte për shkak të korrupsionit në dogana (megjithëse edhe kishte në shifra të papërfillshme me ndonjë trastë apo kafshë që kalonte nga kufiri i gjelbër). E them me siguri të plotë, se stabiliteti politik dhe situata e qetë sociale ishin arsyet e nënshkrimit të Marrëveshjes të Asociim-Stabilizimit, e anëtarësimit në NATO dhe arritjes së lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën “Shengen”. Po ashtu shkatërrimi i bandave kriminale në vend dhe jashtë vendit, ligjet favorizuese dhe taksimi i ulët për biznesin e huaj, lehtësimi i veprimeve burokratike etj, mundësuan ardhjen e investimeve të huaja që ndihmuan në mëkëmbjen e ekonomisë realisht dhe jo me shifra imagjinare të ndonjë ish anëtari të kabinetit qeveritar të pas vitit 2013. Dhe në këto arritje kishin rolin e tyre edhe ambasadorët, si përfaqësues të vendit, shumë prej të cilëve u përzunë nga shërbimi pa asnjë motivacion dhe u zëvendësuan me ata, si puna e ambasadores në Holandë, apo me ata që Kryeministri i quajti të leshtë, që mund të kenë katër vjet që nuk u është dëgjuar zëri dhe vetëm marrin rrogën çdo fillim muaji. Unë kam respekt për punën e shkëlqyer të ish kolegëve të mi, S. Koçin, V. Ibrahimin, M. Berishën, LL. Kolën, I. Laukën e dhjetua të tjerë që shërbyen me devotshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm në disa qeveri socialiste dhe demokrate. E them me bindje se, këta ambasadorë si nëpunës më të lartë të shtetit shqiptar kanë qenë të imunizuar nga çdo ndikim partiak, duke treguar para përfaqësuesve të shtetit ku shërbenin vlera të larta profesionalizmi dhe duke përfaqësuar e mbrojtur pa tolerim interesat e vendit. Pa harruar që, për këta persona shteti dhe shoqëria kishin investuar në mënyrë të veçantë, pa përmendur dhe investimin e secilit për karrierën e tij. Ambasadori përcjell në vendin ku është përparësitë e vendit të tij dhe nëpërmjet kësaj kërkon të realizojë interesat që ndihmojnë për zhvillimet politike, demokratike, ekonomike dhe sociale. Sot dëgjuam se ne paskemi në krye të shërbimit diplomatik njerëz të leshtë, të pasuar edhe nga disa epitete të tjera, që nuk nderojnë ata që i kanë emëruar dhe dekretuar. Unë nuk jam i këtij mendimi për zhvlerësimin dhe injorimin e punës që iu bë ambasadorëve. Këto vlerësime nuk mund të jenë të denja për atë, që edhe pas kësaj do të jetë përfaqësues i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i vendit tim. Në qoftë se kryeministri është i indinjuar vërtet nga ambasadorja jonë në Holandë për deklarimet e saj të papërgjegjshme apo nga ata që vegjetojnë prej katër vitesh, kjo s’do të thotë që të zhvlerësosh përfaqësuesit më të lartë të vendit tënd në vende të ndryshme të botës. Ata nuk janë as drejtorë të zyrave të regjistrimit të pasurive, as drejtorë spitalesh, që sot në mandatin e dytë duhet të hiqen dhe të zëvendësohen për të shpërblyer militantë të tjerë, që janë dalluar edhe në zgjedhjet e fundit. Në qoftë se thuhet se, ambasadorët nuk kanë bërë detyrën për të sjellë investitorë në vend, faji nuk është vetëm i tyre. Po si mund të prezantojë ambasadori ynë vendin e tij para investitorit të huaj, që ky i fundit të vijë i të sjellë kapitalet e tij këtu, kur jo shumë kohë më parë një i tillë, madje shumë i madh edhe qytetar amerikan, mbeti invalid për gjithë jetën nga rrahja shtazarake që iu bë ditën me diell në rrugën e vetme që të çon në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit dhe u bë lajm në mediet e huaja, pikërisht edhe në ato vende që ne presim për investime? Ç’faj kanë ambasadorët tanë që nuk tërheqim investime të huaja kur në mediet e vendit ku janë akredituar jepen herë pas herë pamje nga vendi i tyre i mbjellë në të katër anët me drogë, që mbrohet dhe përfitohet nga persona me pozitë të lartë në shtet apo në polici dhe që trafikohet, jo me disa thasë e me kafshë në pyje, po me tonelata nga pikat doganore shtetërore apo nga skafet që mbushin detin Adriatik? Si mundet ambasadorët ta prezantojnë situatën në vendin e tyre atraktive për investimet e huaja, kur organizmat ndërkombëtare tregojnë dëshirën e shqiptarëve për të braktisur vendin, se nuk kanë mundësi për të jetuar dhe Shqipëria zyrtarisht renditet në vendin e dytë në botë për emigracion, pas Sirisë, ku zhvillohet një luftë prej disa viteve? Ç’farë mund të prezantojë ambasadori në një vend, kur banda kriminale të armatosura nga vendi ynë janë kthyer në makthin e qytetarëve të vendit ku shërben? Kjo mund të jetë arsyeja që, me gjithë dëshirën e tyre, ambasadorët nuk mund ta bëjnë si duhet punën e tyre. Ambasadorët dëgjuan fjalën e Kryeministrit dhe kritikat (sharjet) e tij të ashpra. Po nuk dëgjuan nga goja e tij ato që do të jenë në programin e ri qeveritar të këtij katër vjeçari, disa prej të cilave mund të ishin: 

• Si do të kufizohet trafikimi i drogës në Evropë e më gjerë? 
• Si do të kufizohet emigracioni i shqiptarëve për shkak të nevojës për të jetuar dhe si do të ndalohet rrjedhja e trurit? 
• Ku jemi me kushtet për hapjen e negociatave me BE dhe afatet e përmbushjes të tyre? Si do të ndalohet trafiku i lendeve narkotike dhe kanabizimi i vendit? 
• Ku jemi me reformën në drejtësi dhe si do luftohet korrupsioni ne strukturat shtetërore? 
• Si do të luftohet krimi i organizuar në vend dhe si do të ndalohet eksporti i tij në vendet e tjera? 
Dhe shumë probleme të tjera që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, liritë themelore, media e lirë etj. Për fat të keq takimi i radhës i kreut të qeverisë me ambasadorët ishte i atij modeli dhe formati si me drejtorët e hipotekave apo të spitaleve. I vetmi ndryshim ishte se, edhe pse ua mori erzin më shumë se atyre, nuk u tha të dorëhiqen. Ndoshta se kjo nuk ishte në kompetencën tij. Por për fat të keq kur të kthehen në vendin e punës do ta ndjejnë peshën e rëndë të etiketimit të kryeministrit të tyre, që me siguri është raportuar nga përfaqësuesit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ndërkaq secili prej tyre, edhe pas kësaj do të vazhdojë të jetë Ambasador i jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, Shkëlqesia e tij…
Sigal