“Shkelin të drejtat e njeriut”, Basha sulmon Ramën për gazetarët: Fjalim kriminal, po nxit urrejtje

521
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama dje se gazetarët shqiptarë shkelin të drejtat e njeriut nga mëngjesi deri në darkë, ‘sulm’ që përkonte në ditën Ndërkombëtare të Medias.
Kryedemokrati e ka cilësuar deklaratën e Ramës, një fjalim kriminal. Në mesazhin e tij në ‘Facebook’, Basha thekson se gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Rama dje sulmoi gazetarët dhe veçanërisht televizionin Top Channel, ndërsa shtroi pyetjen: Si mund të quhet e besueshme kjo media?
MESAZHI I BASHES
Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur për ditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin.

Klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin. Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë më të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjellje kriminale të kryeministrit. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtje dhe të dhunshme të kryeministrit.
Sigal