Shkarkohet Shaqiri, Visho Lika, kreu i ri i SHISH-it

521
Sigal

Presidenti Bujar Nishani dekretoi dje, me propozim nga Kryeministri Sali Berisha  liroi kreun e  SHISH-it,

Presidenti Bujar Nishani dekretoi dje me propozim nga Kryeministri Sali Berisha lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH, Bahri Shaqiri. Me propozim të kryeministrit në këtë post u emërua Visho Lika. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 92, germa “f”, dhe nenit 93 të Kushtetutës si dhe nenit 5, paragrafit 2 të Ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, të zotit Visho Ajazi Lika”, citon sot zyra për shtyp e kreut të shtetit.

Akuzat
Largimi i Bahri Shaqirit nga kreu i SHISH ishte paralajmëruar nga kryeministri Berisha menjëherë pas ngjarjeve të 21 Janarit, 2011. Kryeministri Berisha akuzoi Kryeprokuroren Ina Rama dhe Bahri Shaqiri të dy si puçistë. Të parën sepse donte t’i burgoste gardistët dhe të realizohej grushti i shtetit, dhe ndaj të dytit se nuk i ka dhënë informacione për kriminelët në demonstratë.
Kreu i SHISH mund të hiqej me 70 plus 1 votë, pra me shumicën e vendeve në parlament dhe këto kartonë maxhoranca i zotëronte, por pengesa ishte ish-presidenti Bamir Topi.
Kush është Lika
Visho Ajazi Lika është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega matematikë (1976-1981).
Në vitin 1991 ai mbrojti doktoraturën (PhD) në shkenca kompjuterike dhe në periudhën mars-korrik 1993 dhe një studim post -doktoraturë në Universitetin Politeknik të Barcelonës.
Ndërkohë që në periudhën maj 1993- qershor 1997, (në kohën kur Berisha ishte në qeveri) mbante postin e diplomatit dhe të drejtorit në ministrinë e Jashtme. Lika mbante dhe postin e zv/drejtorit të Shërbimit të Jashtëm, në Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK) në kohën kur ky institucion drejtohej nga Bashkim Gazidede. Që nga dhjetori i vitit 2009 deri më tani ai mbante detyrën e zv.ministrit në Ministrinë e Inovacionit, Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, e drejtuar nga Genc Pollo. Sot presidenti Nishani e emëroi në postin e kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar.

 Shkarkimi i Kreut të SHISH, SHBA: Vendim i shpejtë dhe i papritur

Lajmi i zëvendësimit të kreut të SHISH duket se nuk është pritur mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Burime nga ambasada amerikane në Tiranë bëjnë të ditur për Ora Nevvs se, SHBA është e befasuar nga ky dekretim kaq i shpejtë dhe i papritur nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vënë në dijeni me parë dhe as nuk janë informuar zyrtarisht për shkarkimin e zotit. Shaqiri. SHBA janë të befasuara nga ky vendim kaq i shpejtë dhe i papritur. Ish -kreu i SHISH, i shkarkuar me vendim të Kryeministrit Berisha ka qenë njeriu që ka gëzuar mbështetje nga ana e SHBA. Në vitin 2009 qeveria Berisha ndërmori disa ndryshime në ligjin e SHISH, ku kreut të shërbimit sekret i vendosej një mandat kohor në ushtrimin e detyrës. Përcaktimi kohor në propozimet e reja të qeverisë ndeshën në kundërshtimin publik të Ambasadorit të asaj kohe, John Vvithers, i cili në 12 mars të vitit 2010 ka bërë këtë deklaratë. “Është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Nxisim me forcë që ekspertë ligjore ndërkombëtare të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. Është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tille të përmbushë standardet ndërkombëtare në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë”, ka deklaruar Vvithers në 12 mars 2010. Falë kësaj ndërhyrje disa deputetë të shumicës së asaj kohe nuk ia dhanë mbështetjen ligjit, duke e lënë atë në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë. Pas marrjes së detyrës në telegramin e urimit që Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i dërgoi Kreut të ri të Shtetit, Bujar Nishani, theksohej rëndësia e Presidentit te ri ne ruajtjen e pavarësisë se, institucioneve, midis të cilëve edhe për Shërbimin Informativ Shtetëror.

Shkarkimi i kreut të SHISH, Rama: “Berisha rrënoi pavarësinë, pasoja në jetën politike”

Lirimi nga detyra e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri me dekret të Presidentit Bujar Nishani, propozim nga kryeministri Berisha, solli dje një reagim të ashpër të kreut të PS, Rama. Kryesocialisti u shpreh se, ky vendim, jo vetëm që dëshmoi varësinë e Presidencës nga Kryeministria, por ishte i turpshëm, sepse rrënoi pavarësinë e institucioneve të pavarura. Sipas Ramës, ky veprim nuk do kalojë pa pasoja në politikë. “Ky vendim i Presidentit është akti me ekzemplar i varësisë së tij nga KM e do të sjellë pasoja negative për jetën politike e institucionale. Turp, sepse rrënoi pavarësinë e SHISH-it, sepse e bëri këtë pa u konsultuar me aleatin me të madh strategjik të Shqipërisë, sepse ktheu kohën pas!” Më tej Rama vuri ne dukje se, emri i ri i ardhur në krye të SHISH është një shërbëtor i kryeministrit. “Për llogari të KM, Presidenti zëvendësoi Drejtorin e Shërbimit Sekret me një shërbëtor të Saliut njësoj siç është dhe vetë. Çfarë turpi!”, shkruan Rama në rrjetin social Tvvitter.

 PS, Baraj: Nishani vërtetoi dyshimet e opozitës për ‘të

Deputeti i PS-së, Besnik Baraj deklaroi se, vendimi i djeshëm i Presidentit të Republikës, për lirimin e Bahri Shaqirit dhe emërimin e kreut të ri të SHISH-it, “është prova më e fortë se gjatë gjithë këtyre muajve opozita ka mbrojtur një kauzë të drejtë.” Në një konferencë për shtyp, Baraj tha se “Opozita ka pasur të drejtë kur kërkonte një President konsensual, njësoj siç e kërkonte edhe Bashkimi Europian, dhe jo një shërbëtor të Saliut që do t’i hiqte vizën pavarësisë së institucioneve, njësoj siç po bën Bujar Nishani. Opozita ka pasur të drejtë kur kërkonte që krahas kufizimit të imunitetit të votohej edhe në favor të një drejtësie të pavarur, jo të gjunjëzuar, siç e do Saliu”. Sipas deputetit socialist, me emërimin e nënkryetarit të KLD-së dhe kryetarit të ri të SHISH-it, presidenti Nishani i vërtetoi  të gjitha dyshimet e opozitës për të. “Nga njëra anë, Saliu kërkon kufizimin e imunitetit, nga ana tjetër përmes shërbëtorit Bujar po nxiton të vërë nën kontroll të plotë çdo institucion të pavarur kushtetues. Kjo nuk është demokraci. Ky nuk është shtet i së drejtës”,- deklaroi Baraj.

 FRD: Berisha po uzurpon të gjitha institucionet kushtetuese

Fryma e Re Demokratike shprehu shqetësim për dekretimin e kreut të ri të SHISH-it nga Presidenti i Republikës, duke e cilësuar vendimin si përpjekje të kryeministrit Berisha për të vënë nën kontrollin e tij të gjitha institucionet. “Berisha po uzurpon te gjitha institucionet kushtetuese. Shqipëria po i largohet BE-se dhe standardeve të NATO-s. Shqipëria po shkon drejt modelit Lukashenko”,- bëri të ditur Fryma e Re Demokratike. Sipas FRD-së, kambanat e alarmit po bien për qytetarët shqiptarë dhe faktorin ndërkombëtar.

 Kreu i SHISH, AK: Berisha pushtoi çdo institucion

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar pas dekretimit të lirimit nga detyra që presidenti Bujar Nishani i bëri kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri dhe emërimit në këtë post të Visho Likës. Aleanca Kuq e Zi bën të ditur  se Berisha përfundimisht pushtoi çdo institucion. Aleanca Kuq e Zi iu ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes, pasi survejohen nga Partia Demokratike. Sipas AK-së, në Shqipëri nuk ka me institucione, por seksione të PD-së. Sipas përfaqësuesve të kësaj lëvizje, Shërbimi Informativ Shtetëror po vendoset në shërbim të partisë, pasi emërimi i kreut të SHISH-it u bë mbi kritere politike. Aleanca Kuq e Zi paralajmëron se Berisha do të nisë gjuetinë e përgjimeve dhe ndjekjeve.