“Shkarkimi” i Presidentit Meta nuk e shpëton Ramën nga përgjimet e “Bild”

456
Sigal

Lëvizja më e fundit e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve të 30 Qershorit, nuk e gjeti të papërgatitur kryeministrin Edi Rama, një opsionin që rreken ta përcjellin në publik analistët e “oborrit qeveritar”.

Rama, prej të paktën 2 javësh, ishte përgatitur për skenarin që mund të ndiqte ish-aleati i tij, sot në postin e Kreut të Shtetit.

Vendimi i Metës ndodhi saktësisht në të njëjtën kohë me dy zhvillime, të cilat lidhin Shqipërinë me Gjermaninë.

Në mesjavën e kaluar, revista gjermane “Bild” publikoi pjesë nga përgjimet e dosjes “339”, në të cilën drejtuesi i grupit kriminal “Avdulaj” komunikonte me zyrtarë të lartë të “Rilindjes” për blerje/vjedhje votash në zonën e Durrësit, në zgjedhjet e vitit 2017.

Nga ana tjetër, Presidenti Meta mori vendimin për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve pak pasi ai u kthye nga një vizitë në Gjermani.

Në dukje mund të jenë rastësore. Por, politika nuk vepron me “rastësi”.

Në vijim të “koincidencave” gjermane, nënkryetari grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, deklaroi të Dielën se “palët politike në Shqipëri duhet të pranojnë vendimin e Presidentit Meta”.

Wadephul, një nga politikanët kryesorë në Gjermani, zgjodhi të prishte relaksin e pasdites së të Dielës për të dhënë koment mbi zhvillimet në Shqipëri. Ai mund të kishte pritur fillimin e javës për të dhënë një koment mbi ngjarjet politike në vendin tonë. Ose, mund të kishte zgjedhur edhe të qëndronte indiferent.

Por ai vendosi të reagojë, pak pasi “Rilindja” e Edi Ramës deklaroi nisjen e fushatës kundër Ilir Metës.

Në fakt, lëvizja e Presidentit duket se i ka ardhur disi për shtat kryeministrit Edi Rama. I gjendur nën darën e skandalit të përgjimeve të ‘Bild”, atij i duhej një rrugëdalje momentale.

Shfuqizimi i dekretit të zgjedhjeve i ndezi kryeministrit motorët e Propagandës. Prej disa ditësh, ai dhe “Rilindja” e tij kanë drejtuar prozhektorët propagandistik kundër Metës, me anën e të cilëve zhvendosi thelbin e debatit politik nga përgjimet skandaloze të “Bild” tek “shkarkimi” i Presidentit.

Rama dhe pasuesit e tij e kanë të qartë që një luftë kushtetuese me presidentin, në momentin aktual, është e kotë. Atij nuk i intereson nëse arrin të shkarkojë apo jo Metën. Ramës dhe “Rilindjes” i duhet një debat i fortë për të shmangur vëmendjen e opinionit nga lidhjet e tij me bandat kriminale për vjedhjen/blerjen e votave.

Me shumë mundësi, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, Rama do të arrij të shmangë edhe kësaj radhe jehonën e përgjimeve. Projekti i tij propagandistik, me mbështetjen e plotë të medias kryesore të blerë apo të shantazhuar, do t’ia arrijë që të heqë nga sytë dhe veshët e shqiptarëve audio-përgjimet rrënuese të “Rilindjes”.

Por, a do të arrijë propaganda e tij otomane që të bind Angela Merkel dhe të tjerë kolegë të saj se qeveria e Edi Ramës është e aftë të drejtojë shtetin dhe të integrojë vendin në Bashkimin Europian???

Edi Rama do të përqëndrojë fuqitë e tij politike “kundër” Metës, në pritje të publikimit të përgjimeve, por edhe provave të reja./Boldnews.al