Shkarkimi i kreut të KQZ dhe kryebashkiakut të Mallakastrës, kundërpeshë e "Tahirit". Reagon Rama

Plani i PS për zgjerimin e krizës: Shkarkim Zgurit e Kapllanajt

Vijon përpjekja për të devijuar nga qendra e debatit politik çështjen “Tahiri”. Socialistët harrojnë kryebashkiakët rozë të akuzuar apo të dënuar, nga Tepelena në Elbasan

Partia Socialiste zyrtarizoi nismën e saj për shkarkimin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, i zgjedhur në atë detyrë pas marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit 2017. Si pjesë e një plani politik për të devijuar vëmendjen nga çështja “Tahiri”, socialistët premtuan masa të ashpra ndaj kreut të KQZ-së dhe një kryebashkiaku të opozitës. Kryeministri Edi Rama deklaroi se mbështeste nismën e grupit parlamentar të PS-së për të shkarkuar nga detyra kryetarin e KQZ-së, Klement Zguri, i cili, sipas socialistëve, ka marrë në mbrojtje kryetarin e bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, një zyrtar i dënuar në Itali. Shefi i qeverisë tha se Kapllanaj është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ekspertët e qeverisë po studiojnë mundësinë e shkarkimit të tij. Sipas Ramës, Kapllanaj ka kryer disa vepra penale në Itali dhe është dënuar nga gjykatat italiane dhe atyre nuk u shmanget dot as duke qenë anëtar i Partisë Demokratike të opozitës. “Është vërtetë për të ardhur keq që Partia Demokratike dhe simotra e rigjetur e saj nuk arrijnë dot të mbajnë një standard, një qëndrim, kur është fjala në marrëdhënie me ligjin, pasi për ta, ligji vlen ndryshe, peshon ndryshe dhe gjykohet ndryshe, sipas situatave të ndryshme politike. Për ne, ligji vlen njësoj për të gjithë, peshohet njësoj në të gjitha rastet dhe nuk gjykohet, por zbatohet. Prandaj, unë e mbështes plotësisht nismën e kryetarit të grupit për të filluar procedurat për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së”, tha Rama. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur një relacion, ku theksohet fakti që kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, nuk ka thirrur një mbledhje të këtij institucioni, në një përpjekje individuale për të mbrojtur kryebashkiakun e Mallakastrës. Për rrjedhojë, deputetët socialistë kërkuan largimin nga detyra të Zgurit për shkeljen e rëndë, që sipas tyre, i ka bërë ligjit për dekriminalizimin. Megjithatë vetë kreu i KQZ-së i hodhi poshtë akuzat. Kryetari i KQZ-së, Zguri, tha para mediave, se ai nuk mund të komentonte deklarata politike dhe se për vendimet e KQZ-së nuk ka patur asnjë ankesë. 

Lëvizja e socialistëve kundër kreut të KQZ-së dhe drejtuesit të një bashkie vjen në kulmin e debatit për çështjen “Tahiri”. Ndërkohë një numër i caktuar drejtuesish bashkish nga Partia Socialiste janë gjithashtu të akuzuar dhe të dënuar për vepra të ndryshme penale. Kryetarët e bashkive të Tepelenës, Krujës dhe Elbasanit janë akuzuar apo janë të dënuar, por ndaj tyre nuk është vepruar për t’u hequr mandatin. Por duket se shpërthimi i çështjes “Tahiri” dhe zhvillimet mbi të cilat po hetojnë prokurorët e kanë shtyrë Partinë Socialiste të hapë dy tema të reja debati dhe polemike politike. Nga ana e saj, opozita nuk ka dhënë ende një qëndrim lidhur me propozimet e socialistëve për shkarkimin e Zgurit dhe Kapllanajt. 

Kapllanaj: E vërteta e “dënimit” tim në Itali
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, ka sqaruar në lidhje për “Tonight Ilva Tare” të vërtetën e dënimit në Itali më shumë se 20 vite më parë, duke theksuar gjithashtu se deklarimin për rastin e ka bërë në KQZ që kurse hyri në fuqi ligji i dekriminalizimit dhe se PS kujtohet tani. 

Si jeni dënuar në Itali?
“Në vitin 1995, si çdo shqiptar tjetër kam blerë një makinë. Kam rënë viktimë e një mashtruesi. Gjatë udhëtimit me këtë makinë, më ka ndaluar policia rrugore, e cila ka konstatuar se kjo makinë ka qenë e vjedhur. Më kanë shoqëruar në komisariatin e policisë rrugore ku më kanë mbajtur disa orë dhe më kanë sekuestruar makinën dhe më kanë lënë të lirë. Nga korriku 1995 deri në 2015 unë s’kam ditur gjë si ka vijuar procesi. Kam hyrë dhe dalë normalisht në Itali pa asnjë lloj problemi. Unë ju kam kërkuar, nëse më është ndaluar ndonjëherë hyrja dhe përgjigja ka qenë negative. Kaq është historia ime, është e thjeshtë. Kam blerë një makinë që më pas ka rezultuar e vjedhur. Në vitin 2003, më është bërë gjyqi dhe në 2004-n jam dënuar me dy vite burg dhe po në të njëjtën ditë është pezulluar vendim me dënim me kusht. Pra nëse do të bëja një vepër tjetër, do të dënohesha. Gjatë gjithë viteve që unë kam qenë në Itali, edhe pas asaj çfarë më ka ndodhur, unë kam vazhduar të jetoj. Unë nuk kam ndenjur asnjë natë në burg. Atë që kam pasur e kam deklaruar. Aty e ka pasur Partia Socialiste, aty e ka pasur Taulant Balla. Edhe prokuroria, pasi ka bërë shqyrtimin në bazë të kërkesës që i ka bërë KQZ-ja ka dalë në përfundimin, se personi nuk është në kushtet e ndalimit të mandatit të tij”.

Këtë ua thonë avokatët tuaj?
“Këtë e ka thënë Prokuroria. Prokuroria nuk ka kërkuar heqjen e mandatit tim. Unë nuk i jam fshehur asnjëherë drejtësisë. Organet e drejtësisë le ta verifikojnë, le ta marrin në shqyrtim dhe të vendosin. Unë besoj tek demokracia, besoj tek organet ligjzbatuese”.

A i druheni faktit se Gjykata Kushtetuese do të ndërpresë mandatin tuaj?
“Unë nuk paragjykoj asnjë organ të drejtësisë. Nuk jam në atë lloj prerje që të merrem dhe të paragjykoj Gjykatat Kushtetuese. Këto janë gjëra që i bën Taulant Balla me shokë. Në qoftë se nuk i shkon këtyre për shtat, çdo lloj organ i drejtësisë duhet shkarkuar, duhet përdorur Vetingu. Pra duhet bërë çdo gjë e mundur për ta përbaltur këtë. Nëse u shkon këtyre aty ku duhet atëherë gjykata është e mirë, prokuroria është e mirë. Unë e neverit këtë sjellje të kujtdo force politike sepse unë besoj në organet e drejtësisë dhe në këtë rast. Ashtu siç pata besim te KQZ-ja që sipas meje dhe juristëve mori vendimin e drejtë. Edhe gjykata kushtetuese do marrë atë vendim që është i bazuar në ligj”.