Shkarkimi i krahut të djathtë të Llallës, PD: Vendim i Ramës për të mbrojtur Aqif Rakipin

621
Lëvizjet e bëra nga ana e kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, sollën edhe reagimet e menjëhershme. Partia Demokratike i ka konsideruar këto shkarkime, kapje të akuzës. Sipas saj shkarkimet janë në kundërshtim me ligjin, pasi vetë Edi Rama kërkoi të bindte shqiptarët, se kryeprokurorja e re edhe pse do të ketë një mandat të përkohshëm, nuk do të kishte kompetencë që të lëvizte prokurorët. PD shkon më tej, teksa thotë se kjo lëvizje e Gashit ka qenë për llogari të Ramës, pasi kjo e fundit pak ditë më parë i ka kërkuar KQZ që të ndërpresë mandatin e deputetit për Aqif Rakipin, deputet i PDIU-së njëherësh edhe mik i kryeministrit Rama. “Kapja politike e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama, pas kthimit të pasaportës për Saimir Tahirin, dha sot një tjetër efekt. Kryeprokurori Edi Rama shkarkoi drejtuesen e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, dy ditë pasi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, zonja Gashi i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për deputetin e Elbasanit, Aqif Rakipi. Shkarkimi i prokurores Rovena Gashi, e cila e drejtoi Sektorin e Dekriminalizimit që në krijimin e tij, është hakmarrje direkt e Edi Ramës për llogari të aleatit dhe mikut të tij, Aqif Rakipi. 10 ditë pas emërimit politik të Prokurorit të Përgjithshëm, në shkelje të hapur me Kushtetutën, u faktua mashtrimi i madh i Edi Ramës, argumenti kryesor i të cilit ishte, se Prokurori i Përkohshëm nuk kishte asnjë kompetencë thelbësore për të lëvizur prokurorët apo për të ndikuar në mbylljen e dosjeve. Skema e Edi Ramës në mbrojtje të aleatëve të tij kriminelë është e qartë. Kur drejtësia kërkon arrestimin e Saimir Tahirit, Edi Rama e kap drejtësinë, kur ligji zbatohet për të larguar kriminelët nga parlamenti, Edi Rama godet ata që zbatojnë ligjin. Që sot, me shkarkimin e prokurores Rovena Gashi si hakmarrje për Aqif Rakipin, krimi ka filluar të godasë shtetin përmes shtetit!”
Sigal