«Shkarkimi i Ina Ramës është antikushtetues, PS-ja duhet ta çojë në Gjykatë Kushtetuese»

499
Sigal

INTERVISTA/ Idajet Beqiri, « Kolegji Zgjedhor, nuk ka të drejtë të shqyrtojë kërkesa të KQZ, derisa nuk është shpallur dita e zgjedhjeve»

Edhe pse gjithë ndërkombëtarët kanë bërë apel që zgjedhjet e 2013-s do të jenë testi i vendimmarrjes për dhënien e statusit kandidat, që tani, KQZ-ja e re po bëhet protagoniste në kuptimin e rritjes të tensionit politik, me vendimin e saj për të rishpërndarë mandatet e deputetëve, në bazë të të dhënave të popullsisë që ka marrë nga Ministria e Brendshme. Por këto të dhëna nuk u argumantuan, dhe KQZ-ja e çoi këtë në Kolegjin Zgjedhor. Zoti Idajet Beqiri, si specialist juridik, në intervistën për «Telegraf» argumenton, se Kolegji Zgjedhor nuk ka asnjë kompetencë të shqyrtojë kërkesa të KQZ-së, derisa nuk është dekretuar nga Presidenti data e zgjedhjeve. Ndërsa, për shkarkimin e Ina Ramës, zoti Beqiri, sërish argumenton, që ky largim është antikushtetues dhe PS-ja duhet ta çojë këtë veprim antikushtetues në Gjykatën Kushtetuese.

– Zoti Beqiri,  Edi Rama, deklaroi që shkarkimi i Ina Ramës është antikushtetues, por nga ana tjetër, ai tha se PS-ja nuk do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin antikushtetues. Ky qëndrim politik i Edi Ramës, a është i motivuar?

–  Në fakt, shkarkimi i Ina Ramës është antikushtetues. Nga pikëpamja juridike ajo nuk mund të shkarkohet deri në majin e vitit 2013. Sipas Kushtetutës së Republikës, kur u emërua Ina Rama, mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ishte i pakufizuar. Më pas, në fundin e vitit 2008, u bënë ndryshimet e turpshme në Kushtetutën tonë, ndryshime të cilat e rrëzuan “de fakto” dhe “de jure” shtetin ligjor, demokracinë dhe parlamentarizmin në Shqipëri. Krahas ndryshimeve të tjera, të cilat përkeqësuan pavarësinë e institucioneve të pavarura të shtetit, u kufizua edhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet. Këto ndryshime kushtetuese hynë në fuqi më 23 maj 2009. Në rastet kur bëhen ndryshime të neneve të Kushtetutës, të kodeve, të ligjeve, kudo në botë, ku sundon ligji dhe demokracia e vërtetë, asnjë dispozitë ligjore nuk ka fuqi prapavepruese, në rast se e përkeqëson gjendjen juridike të qytetarëve. Kjo do të thotë që, as dhe një ditë para datës 23 maj 2009, nuk mund t’ia llogaris askush Prokurores së Përgjithshme si kohë për mandatin e saj 5-vjeçar. Afati 5-vjeçar asaj i fillon pas datës 23 maj 2009. Prokuroria e Përgjithshme mund të ishte emëruar në këtë detyrë plotë 20 vjet më parë. E gjithë kjo periudhë 20-vjeçare në detyrë fshihet, bëhet zero për efekt të zbatimit të ndryshimit të ligjit kushtetues për kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe llogaritja e afatit 5 vjeçar do të filloi nga dita kur ka hyrë në fuqi ndryshimi që i është bërë dispozitës kushtetuese.  Të veprosh ndryshe, do të thotë të bësh “interpretime” antikushtetuese. Do të thotë njëkohësisht , t’i cenosh rëndë përfaqësuesit të lartë të organit të akuzës sigurinë juridike. Dhe kur sigurinë juridike në një vend nuk e ka Prokurorja e Përgjithshme, vajmedet për çfarë sigurie juridike mund të flitet për qytetarët e thjeshtë të Republikës!

Po e shpjegojmë më thjeshtë për ta kuptuar më mirë gjithkush që nuk ka njohuri juridike. Kudo në botë ekziston parimi universal, që kur ndryshon një dispozitë ligjore, për efekt të sigurisë juridike dhe të “mos rëndimit të pozitës së qytetarit”, zbatohet ajo dispozitë ligjore që është në favorin e shtetasit. Një ministër, bije fjala, në datën 20 nëntor 2012, ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv. Kodi Penal parashikon dënimin e kësaj vepre penale me 5 vjet burg. Në datën 28 Nëntor 2012 mblidhet Parlamenti dhe e ndryshon masën e dënimit për korrupsionin pasive, duke e bërë atë me 10 vjet burg. Lind pyetja, me 10 vjet burg do të dënohet ministri?! Jo, ndryshe i rëndojmë pozitën juridike. Ai do të dënohet me atë dispozitë ligjore që ka ekzistuar kur ai e ka kryer veprën penale, domethënë me dispozitën ligjore që ishte në fuqi në datën 20 nëntor 2012, domethënë me 5 vjet burg Qëndrimi i Edi Ramës, politikisht, moralisht dhe juridikisht është i papranueshëm. Një opozitë serioze nuk pajtohet kurrë me shkeljet që i bënë Qeveria ligjit themelor të vendit. Nëse opozita nuk i çon në Gjykatën Kushtetuese të gjitha shkeljet e rënda që i bënë Qeveria Kushtetutës, atëherë përse i duhet demokracisë kjo opozitë?! Çfarë funksioni tjetër ka opozita, në se nuk e bënë këtë gjë?!

– Nga ana tjetër, a mund të mjaftohet PS-ja  që nuk duhet të marrë pjesë në konsultime për kandidatin e ardhshëm të Kryeprokurorit, me pretekstin se e konteston shkarkimin?

 Konstatimi është njëra anë. Denoncimi i kësaj të keqe është një anë tjetër. Informimi i publikut për të këqijat që i sjell shtetit ligjor një akt i tillë, aq më keq kur ka si protagonist Kryetarin e Shtetit, i cili për motive inferiore ndaj kreut të ekzekutivit, bie aq poshtë, sa do të ndihesh keq edhe një shtetas i thjesht, i cili nuk ka asnjë njohuri për seriozitetin që duhet të karakterizojë shtetin dhe burrat e shtetit, është një detyrë tjetër që duhet ta bëjë opozita. Por në se të gjitha këto opozita nuk i shoqëron me aktin kryesor, çuarjen e çështjes në organin kompetentë që ka të drejtën të bëjë interpretimin nëse ky akt është, ose nuk është në pajtim me Kushtetutën, një opozitë e tillë nuk do të ishte në funksionin e vet.

– KQZ-ja e ka çuar në Kolegjin Zgjedhor çështjen e rishpërndarjes së mandateve. A mundet Kolegji Zgjedhor të japë vendim, për të detyruar KQZ-në të bëjë rishpërndarjen e mandateve?

– Fakti që KQZ ka çuar në Kolegjin Zgjedhor çështjen e rishpërndarjes së mandateve është një ogur i zi. Kjo do të thotë që në KQZ janë vendosur njerëz të pa aftë, partiak të sëmurë, të cilët nuk mund të bëhen garantues të zgjedhjeve të lira, të ndershme, ligjore dhe pa më të voglin problem besueshmërie. Kolegji Zgjedhor nuk funksionon në mënyrë permanente. Në se Presidenti i Republikës nuk shpall datën e zgjedhjeve, ky Kolegj nuk ka asnjë kompetencë të vihet në veprim dhe të shqyrtojë kërkesa të dërguara nga KQZ-ja. Me këtë akt KQZ i vuri në dyshim zgjedhjet e qershorit 2013 ende pa u caktuar dita e zgjedhjeve. Kjo është vërtetë skandaloze, e papranueshme dhe e dënueshme.

– Ministria e Brendshme, në KQZ nuk paraqiti material që të argumentonte ndryshimin e popullsisë në Kukës. Ju e gjykoni normalitet ligjor këtë sjellje?

–  Po çfarë “materiali” do paraqesin? Ka logjik njerëzore dhe juridike në botë të pranojë ato shifra çmendurore që ka paraqitur Ministria e Brendshme për rritjen marramendëse të popullsisë në disa komuna në Kukës, në një kohë që ato zona janë zbrazur dhe janë derdhur të gjithë në Bathore?!  Popullsia nuk është bagëti, që zgjedh disa desh përçor, i ushqen mirë e mirë, i futë në vathën e deleve dhe ato pjellin nga dy e tre qengja secila! Kështu e konceptojnë rritjen e popullsisë vandalët  e ekzekutivit!  Këta i kanë vënë qëllim vetës vjedhjen me çdo kusht të zgjedhjeve të pritshme, ashtu siç vodhën zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011.

Faleminderit!