Shiu merr me vete milionat e tenderëve në qendrat urbane

545
Sigal

Prefekti i Vlorës trajnohet në Japoni për përmbytjet, por hesht për Vlorën

8 milionë euro i merr uji, përmbytet bulevardi kryesor i Vlorës

Mjaftuan disa reshje, që Vlora të “binjakëzohej” me Venecian, derisa bulevardi “Ismail Qemali, që shtrihet nga qendra e Vlorës deri në Skelë ishte i tëri një bulevard uji, saqë në rrjetet sociale, në këtë Bulevard shëtiste Nëndetësja 105! Niveli ka kaluar mbi 15 cm në disa akse, kryesisht ato që lidhin bulevardin Vlorë -Skelë me rrugën Transballkanike niveli ujit është rreth 15 centimetra. Kryesisht lagjet “Pavarësia” dhe “28 Nëntori”.

Vlora nën ujë, sa herë bie shi

Sa herë bie shi, Vlora përmbytet e tëra. Miliona euro investime të bëra në Vlorë, treten si kripa në ujë, derisa Vlora dhe deti bëhen një! Sipas të dhënave të publikuara rikonstruktimi i këtij bulevardi ka kushtuar 8 milionë euro dhe është financuar nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Evropës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”. Në këtë bulevard ishte planifikuar të rehabilitohej e gjithë infrastruktura nënrrugore, duke vendosur të gjitha kanalizimet, si dhe krijonin për mundësinë e shtrirjes së fibrave optikë. Ky bulevard do ishte si pikënisje për të nxitur investimet e reja. Si duket 8 milionë euro investim nuk kanë mjaftuar për rikonstruktimin e bulevardit dhe ka pasur një neglizhencë të madhe në cilësinë e punimeve që duheshin bërë. Nuk e dimë, nëse është rastësi apo jo, por, që të përmbytet Vlora, e cila është zona elektorale e Kryeministrit Rama në këto 6 vite, imagjinata jonë e ka të vështirë të përfytyrojë se çfarë ndodh në qytetet e tjera, kur bie shi dhe sa e madhe është përmbytja.

Rrjetet sociale tallen me investimet në Vlorë

Në rrjetet sociale ka plasur ironia me fotot e bulevardit të përmbytur dhe investimet që duhej të ishin bërë. Janë aktivistë të ndryshëm që fajësojnë kryeministrin Rama për këtë gjendje duke bërë paralelizma ironikë me Venecian, ndërkohë që Nëndetësja 105 bën shëtitje në Bulevardin Vlorë – Skelë dhe kandidati për kryetar bashkie i PS-së dhe kryebashkiaku aktual Dritan Leli, me timonin e varkës, u kërkon qytetarëve vlonjate votën që ta rivotojnë.

“FUSHA sh.p.k” e ndërtoi Bulevardin e përmbytur me vlerën më të lartë për 1.7 km

Kompania “FUSHA sh.p.k”, ka qenë fituesja e tenderit për Rikonstruksionin e Bulevardit të Vlorës, ndonëse me vlerën thuajse më të lartë. Tenderi për Bulevardin e Vlorës, është fituar nga kompania “FUSHA sh.p.k”, e cila ka pasur një ndër ofertat më të larta, thënë ndryshe renditej e dyta për nga oferta e lartë, thënë ndryshe 999.999.932 lekë. OpenProcurement.al liston rikonstruksionin e Bulevardit të Vlorës me fond limit 1.1 miliardë lekë dhe me ofertë fituese pa TVSh, 1 miliard lekë. Në garë morën pjesë 6 operatorë dhe fitoi shoqëria “FUSHA sh.p.k”. Proces-verbali në fjalë është mbajtur, më 22.02.2018.

Rama e premtoi që në 2010 se do e bënte …

Në 2010, 2011, 2012 apo 2013, kohë kur ishte në opozitë, sa herë ndodhte përmbytje, Rama akuzonte qeverinë e atëhershme, ndërsa bënte krahasime mes Shkodrës dhe Lezhës, që qeverisin nga kryebashkiakët e djathtë, dhe Vlorës që qeverisej nga të majtët. Dhe në kuadrin e premtimeve dhe krahasimeve, Rama në atë kohë deklaronte se kur të vinte në pushtet, Shkodra dhe Lezha do të bëheshin si Vlora. Deklarimet e Ramës 2010: Nuk ka asnjë dyshim se ajo që ndodh sot është rezultat i keqqeverisjes. Nuk ka asnjë dyshim se ajo që ndodh sot do të vazhdojë të ndodhë keq e më keq për sa kohë keqqeverisja do të degradojë ditë e për ditë.

Prefekti i Vlorës vajti u trajnua në Tokio për përmbytje, por Vlorën e “harroi”

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj është trajnuar për 2 javë ditë në Tokio për përmbytjet, por pavarësisht kësaj, për Vlorën zgjidhja ndaj përmbytjeve nuk duket gjëkundi. Ajo që bie në sy është heshtja e Prefektit Flamur Mamaj, i cili mori pjesë në një trajnim 2-javor në Tokio pikërisht për këtë. Pavarësisht trajnimit që prefekti bëri, ai ende nuk ka thënë asnjë fjalë për përmbytjet në Vlorë.