Shitja e “helmit të bardhë”/ Përdoruesit e drogës marrin mallin me listë se nuk kanë para, prokuroria zbulon emrat e borxhlinjve

630
Sigal

“Poema e Mjerimit” këndohet në çdo dyqan të lagjes, ku shqiptarët edhe ushqimet i marrin me borxhe

Heroina blihet me listë në Tiranë, zbulohet lista e borxhlinjve

Jakup B. GJOÇA

Përditë e më shumë shqiptarët po varfërohen. Papunësia rritet në progres gjeometrik, bizneset falimentojnë, qeveria ka ulur në maksimum investimet publike, koncesionet nuk hapin më vende pune, investitorë të huaj nuk vijnë më në Shqipëri, për shkak të taksave të larta, mungesës së drejtësisë, monopolizimit të tregut të punës, ku bizneset që janë afër qeverisë po marrin të gjitha koncesionet dhe tenderët. bëjnë që shqiptarët të gdhihen e të erren pa të ardhura. Dyqanet e lagjeve tashmë shesin vetëm me lista çdo artikull, duke filluar nga buka, qumështi, perimet, por edhe veshmbathjet.

Me listë blihet edhe doza e kokainës

Varfëria ka pllakosur jo vetëm familjarët, por edhe …përdoruesit e kokainës dhe të llojeve të tjera të drogës. Kokaina nuk është më një luks për të pasurit, por përdoret edhe nga ata që nuk kanë para në xhep, por kanë ëndrra për një punë, për një pjatë gjellë. Dhe, kur nuk ke punë, kur në xhep nuk të ndodhet asnjë qindarkë, njeriu i pashpresë, shpreson se po të marrë dozën e kokainës, do të jetojë, një ndërkohë i lumtur, në një botë të imagjinuar… Dhe, përdoruesit e kokainës, tashmë dozën e blejnë edhe me …listë. Prokuroria zbuloi një fakt të ri, disa përdorues po blejnë drogë me lista. E gjitha kjo shkaktohet nga mungesa e të ardhurave për të paguar dozën dhe varësinë nga heroina, tha një burim policor. Javën e kaluar gjatë sekuestrimit të 1 kilogrami heroine që po shpërndahej tek klientët, prokuroria zbuloi gjithashtu një listë përdoruesish që u jepej doza dhe u shënohej emri si borxhlinj. Aksioni “laboratori” nisi duke ndjekur njërin nga shpërndarësit Pieraldo Pelushi, të cilit iu gjetën me vetë 33 doza heroine. ‘Shpërndarësi u ndoq, tha njeri nga agjentet e antidrogës dhe më pas u pa tek po furnizohej me drogë në një banesë të marrë me qira nga grupi.” Aty u gjetën 322 doza me heroinë dhe lista e emrave të përdoruesve borxhlinj. Grupi në të cilin u arrestua edhe një shpërndarës tjetër që punonte si lavazhier dhe që shpërndante drogë në vendin e punës, shiste heroinë tek klientët fiks në Rrugën e Kavajës, rrugën “Vasil Shanto”, Selitë, Kombinat dhe Yzberisht. Prokuroria thotë se nuk ka arritur ende tek kapot e grupit dhe tek burimi kryesor që furnizon dy nga shpërndarësit me heroinë, që të dy të dënuar më parë për të njëjtin fakt.