Shisnin kokainë në lokalet e Bllokut, duke vepruar me distiktiva policie

511
Sigal

Dy shpërndarës së kokainës në lokalet e natës në kryeqytet janë arrestuar
nga policia e Tiranës ditën e sotme. K. Stafa, 35 vjeç, dhe B. Ndreu, 33 vjeç,
të dy banues në Tiranë, ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të shpërndarjes
së lëndëve narkotike në lokale të ndryshme të natës së kryeqytet, kryesisht në
zonën e ish-Bllokut. Arrestimi i tyre është bërë i mundur ditën e sotme, teksa
këta dy të rinj do bënin shkëmbimin e një sasie lënde, të dyshuar narkotike në
zonën e “Zogut të Zi”. Në sajë të operacionit “Bear”, uniformat blu kanë bërë
të mundur ndalimin e menjëhershëm të tyre, teksa ndodheshin në një automjet tip
“Mercedes Benz”. Mësohet se 33-vjeçari B. Ndreu, duke përdorur një portofol të
dyshuar si ai i policisë, prezantohej si një punonjës policie, me qëllim
shmangien e kontrolleve nga shërbimet policore. Nga kontrolli i ushtruar këtyre
shtetasve është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës
materiale të këtyre materialeve: 301 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit
kokainë, 5 aparate telefonikë të llojeve të ndryshme, 1 portofol i dyshuar si
ai i policisë, 90.000 lekë, 100 Euro dhe 1 automjet i tipit “Mercedes Benz”. Po
punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të përfshirë në këtë
aktivitet kriminal.