“SHISH shpëtoi jetë masive, vlerësimi për paktin Rama-Basha”

547
Intervista/ Rrëfimi i Bujar Nishanit, ish-presidentit të Republikës, vetëm pak ditë pas largimit nga zyra e kreut të shtetit 
Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në intervistën e parë për “Arena” nga Dritan Hila që pas lënies së detyrës së kreut të Shtetit, ka rrëfyer vështirësitë dhe momentet e veçanta. Cilat ishin marrëdhëniet me Ramën e Metën dhe çfarë mendon ai për paktin Basha-Rama.

Z. President, si ishte dita e parë post-presidenciale?
“Ka qenë një ditë e gjatë në shtëpi, me miq. Por natyrisht që është e vështirë të ambientohesh me tempin, kur je në një temperaturë shumë dinamik, me një axhendë strikte, me stafin të cilin duhet të komunikosh dhe për një kohë të gjatë. Papritur nuk e ke më atë dinamikë, atë temp dhe atë përgjegjësi strikte të paraqitjes të angazhimit të deklaratave. Padyshim ka një diferencë të madhe, por njeriu përshtatet, për më tepër që njeriu mendon se ka rëndësi sesi e mban veten të angazhuar në aktivitetin ditor”.

Ju si personazh publik nuk keni qenë tipi që i keni “dhënë vetes”. Keni qenë një njeri i thjeshtë dhe besoj se kjo jua ka lehtësuar atë kalimin nga President në fuqi, në ish President apo jo?
“Ju falënderoj për këtë konstatim dhe më vjen mirë që ka dhe personalitete të tilla si puna juaj që e konstatojnë këtë. Për herë të parë po e them se gjatë kohës unë nuk jam kujdesur të sponsorizoj imazhin apo prezencën formale, për të krijuar një imazh përmes sponsorizimit, përmes suportit jo normal”.

Z. Nishani, z. Meta tha që biseduam me Presidentin në ikje, dhe ju i kishit paraqitur disa shqetësime. I latë atë letrën e famshme ku thuhet: “Herën e parë ma hidh fajin mua, herën e dytë hidhja fatit dhe herën e tretë jep dorëheqjen” apo i paraqitët shqetësimet serioze që kishit për gjendjen e shtetit shqiptar?
“T’ju them të drejtën nuk e lashë atë letër me një arsye, sepse Presidenti Meta është nga ata njerëz që i lexon letrat edhe pa i hapur nga zarfi. Ka eksperiencë të gjatë dhe e njeh mirë jetën politike, i njeh mirë hapat që duhet të hedhë. Unë kështu besoj dhe shpresoj. Në bisedë i shpreha ato shqetësime që më kanë shoqëruar edhe mua dhe po I ndaj dhe me ju. Jemi në një situatë delikate si shoqëri, si vend. Shqipëria nuk është i vetmi vend që ka probleme me ekonominë, ka shumë vende të tjera. Nuk është i vetmi vend që ka probleme me krimin e organizuar, ka shumë vende. Po marr rajonin që ka probleme me infrastrukturën apo me çështje të tjera që lidhen me përditshmërinë e jetës së njeriut, por Shqipëria është i vetmi vend ku niveli i besimit dhe i shpresës ka rënë në minimumin historik të këtij shteti, dhe kjo më shqetëson në mënyrë të jashtëzakonshme si shqiptar, pastaj si politikan dhe si njeri që ka pasur mbi supe privilegjin e detyrave shumë të rëndësishme në këtë shtet. Kjo nuk është një çështje që kalohet me biseda kafenesh, as me batuta emisionesh apo debate televizive, as me ndonjë shkrim retorik apo dramatik në media dhe gazeta. Ky është një problem fondamental dhe mua më vjen keq që nuk shikoj edhe sensibilitetin e duhur tek aktorët e ndryshëm të shoqërisë. Tek politika, qeveri-opozitë së bashku, tek media, pushtet shumë i rëndësishme, edhe më i ftohtë sesa politika për t’i parë dhe adresuar gjërat, tek Shoqëria Civile e cila është tërësisht e aktrovizuar komplet, dhe unë nuk di nëse ne në Shqipëri mund të themi më se kemi Shoqëri Civile, tek intelektualët të cilët janë bërë pjesë e këtij pesimizmi”.

Cili ka qenë moment që ju e konsideroni si më të suksesshmin në karrierën tuaj pesëvjeçare?
“Mund të them që jam bërë barrierë kryesisht në qëndrueshmërinë e disa institucioneve që kanë qenë vitale për paanshmëri dhe pavarësi të tyre, jo se kanë qenë në varësi dhe në kontroll të Presidentit të Republikës, por i kam inkurajuar, i kam mbrojtur dhe kam parë që ja kanë arritur deri diku në një masë jo të vogël që të qëndrojnë të pacenuar në kontekstin e tyre konstitucional. Shërbimi Inteligjent i vendit i cili nuk varet tek Presidenti, është pjesë e mekanizmit të ekzekutivit, por që duhet të ruaj një pavarësi tërësore nga ekzekutivi në aspektin operacional. Ne kemi pasur shumë akte të mëdha në Shqipëri që janë shpëtuar jetë masive njerëzish për shkak të funksionimit profesional dhe tërësisht jashtë ndikimit politik nga ana e Shërbimit Informativ që do ti mbeten historisë dhe ndoshta pas 50 viteve do bëhen publike”.

Bëhet fjalë për terrorizëm?
“Për akte terrorizmi patjetër. Prokuroria, edhe pse unë nuk kam mbetur i kënaqur plotësisht me atë ç’ka doja unë të shikoja të Prokuroria e Shtetit shqiptar, veçanërisht në luftën e korrupsionit të niveleve të larta, por edhe të krimit të organizuar, por ka pasur le të themi një rezistencë ndaj ndërhyrjes brutale të ndërhyrjes politike që mund të kishte ndikuar për më keq në institucionin e Prokurorisë së Shtetit Shqiptar dhe në institucione të tjera. Veçanërisht në institucione financiare siç është Banka e Shqipërisë që është jo në kontrollin e Presidentit të Republikës, por për të ruajtur disa ekuilibra. Pra veçanërisht me disa institucione shqiptare që janë shumë të kujdesshme dhe strikte me ecurinë makro ekonomike dhe makro financiare të shtetit shqiptar dhe disa institucione të tjera, për të cilat unë vërtetë ndjej kënaqësi që ndoshta kam marrë sulmet personale, publike, tentative intimidimi publik që i kam rezistuar dhe sot pas pesë vitesh ndihem vërtetë i kënaqur aq sa mund të ndihem që i shërbeva këtyre momenteve delikate që këto institucione rezistuan, sepse këtu nuk bëhet fjala që këto atakohen nga Kryeministri, sepse shpesh herë krijohet ideja që beteja është me Kryeministrin. Patjetër që Kryeministri është njeriu më i rëndësishëm që orienton një politikë të caktuar por, ka me dhjetëra apo me qindra individë dhe aktorë që keqpërdorin pushtetin dhe tentojnë influencojnë, apo dhe njerëz që janë nën shërbime të aktorëve të tjerë të cilët mund të dëmtojnë shtetin Shqiptar. Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur njëkohësisht që në bashkëpunim edhe me drejtuesit e këtyre institucioneve dhe të tjerë që nuk I përmenda tani I kemi dhënë shtetit Shqiptarë disa shërbime të vyera”.

Ka pasur ndonjë moment kur jeni bërë gati të jepni dorëheqjen?
“Jo asnjëherë. I vetmi moment që unë do jepja dorëheqjen do të ishte nëse unë më papërgjegjshmërinë time do të kisha rënë peng i aktorëve apo i faktorëve armiq të Shqipërisë, apo që mund të isha përfshirë në skandale që natyra ime civile dhe qytetare nuk i pranon dhe patjetër që do isha larguar. Përsa i takon vështirësive, kam pasur shumë vështirësi, jo vetëm në aspektin shtetërorë por dhe në atë njerëzor dhe asnjë herë nuk jam dorëzuar dhe nuk kam ndërmend të dorëzohem”.

Gjatë krizës së fundit kur opozita ishte në çadër dhe realisht u krijua perceptimi që mund të mos hynte në zgjedhje ju si e përjetuat, a kishit frikë se vendi mund të rrëshqiste në një konflikt civil?
“Rreziku ka qenë evident dhe shpesh herë dhe aktorë e tjërë ndërkombëtarë e nënvlerësuan për një farë kohe situatën politike në Shqipëri dhe krizën politike në Shqipëri”.

Duke stimuluar Kryeministrin?
“Jo. Duke e lënë mënjanë si një konflikt strikt i aktorëve të brendshëm. Më erdhi mirë kur edhe pas takimeve që kam pasur me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, kanë reflektuar për këtë situatë, janë angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar, se këtu nuk është çështja e ndërhyrjes apo ndërmjetësimit për të pajtuar dy njerëz apo dy forca politike, këtu bëhet fjalë për ecurinë e një shteti, për funksionimin e një shoqëri të tërë, përplasje të cilat mund të japin impakte prej dekadash që pasojën. Situata ka qenë kritike, ka qenë shumë e rëndë. Opozita edhe mund të mos hynte në zgjedhje dhe do të kishin perceptuar konflikte realisht problematike në Shqipëri. Por gjithsesi unë mendoj se procesi zgjedhor dhe ata të cilët kishin përgjegjësinë për të menaxhuar procesin zgjedhor nuk e justifikuan angazhimin që kanë marrë plotësisht, dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre në lartësinë që u kërkonte Kushtetuta dhe ligji i Shqipërisë”.

Si e mendoni ju, ka qenë e mençur e opozitës fakti që pranojë të futej me ministra teknik dhe më vonë rezultoi që këta ministra nuk shkarkonin dot as shoferin e tyre le të themi?
“Mesa e kam kuptuar unë , ajo nuk ka qenë një marrëveshje bashkëqeverisëse. Ata që e kanë trajtuar si të tillë kanë qenë dy grupime: Së pari njëri grupim që ka spekuluar politikisht me të dhe le të themi që qeveria e shfrytëzoj dhe spekuloi dhe përfitoj politikisht me të sipas analizës sime post zgjedhore. Pjesa tjetër nuk diti t’ua shpjegoi mirë qytetarëve Shqiptar që kjo nuk është një marrëveshje, sepse ajo nuk ishte një marrëveshje bashkëqeverisëse mesa kam kuptuar unë sepse nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes, por ishte një marrëveshje për të dekurajuar sa të mundte keqpërdorimet e pushtetit në fushatën elektorale. U mendua në atë formë, besoj se nuk është një formë e keqe, por në fund të fundit një ministër, i cili e ka gjithë piramidën jashtë bashkëpunimit që atë përkushtim që ka ministri për të mos u keqpërdorur pushteti për fushatë , nuk e ka zv/ministri, e deri tek drejtori e deri tek punëtori më i thjeshtë. Kjo ishte një marrëveshje që duhet të funksiononte në bazë vullnetesh”.

Pushteti nuk e pati këtë vullnet…
“Absolutisht nuk e pati dhe unë them që ka dëmtuar besimin më keq sesa ishte përpara marrëveshjes. Ajo nuk ishte marrëveshje bashkëqeverisëse mesa kam kuptuar, ministrat nuk vajtën aty për të zbatuar politika por thjeshtë për të frenuar sa më shumë që të ishte e mundur keqpërdorimin e pushtetit në funksion të fushatës elektorale. Unë kam pasur mjaft takime me disa prej tyre, me ministrin e Drejtësisë në kuadrin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me ministren e Arsimit, e cila ka bërë disa përpjekje të jashtëzakonshme edhe në një situatë krejt të papranueshme të sjelljes së administratës të Ministrisë së Arsimit ndaj ministres dhe besoj që ky duhet të jetë një moment hetimi penal, jo thjesht moral dhe shpresoj që modeli ekstremisht negativ që u demonstrua në Ministrinë e Arsimit të jetë një proces që të ndiqet nga opozita në të ardhmen , të ndiqet nga prokuroria, port e ndiqet edhe nga maxhoranca në të ardhmen sepse ka dëmtuar shumë reputacionin e besueshmërisë edhe të partisë që është në maxhorancë dhe jeta vazhdon. Kam bërë disa takime me zv/kryeministren e cila ka drejtuar Task Forcën dhe më ka paraqitur disa shqetësime të paimagjinueshme të pengimit të punës së saj. Pra dueli ishte politik për të demonstruar një vullnet të dyanshëm në funksion të normalitetit zgjedhorë, normaitetit fushatës zgjedhore. Në gjykimin tim nuk rezultoi i suksesshëm. E përsëris, nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes, nuk e di çfarë është marrëveshja”.

Megjithatë ajo ishte një marrëveshje e cila mbeti në errësirë. Marrëveshja e 18 majit shumë pak veta e dinë përveç dy interlokutorëve kryesorë, z.Rama dhe z. Basha…
“Për aq sa është shprehur deri tani, dy momente ka pasur. Kryesisht ka qenë në funksion të fushatës elektorale, edhe një herë e theksoj: kështu si e kam kuptuar unë, dhe unë besoj që kështu e kanë kuptuar shumica e shqiptarëve, pra nuk ishte një marrëveshje bashkëqeverisëse, por ishte futja e disa individëve që të stoponin maksimalisht me sa të mundnin keqpërdorimin. Pjesa e dytë që është thënë, për të vijuar bashkëpunimin në aspektin legjislativ, ajo mbetet për t’u parë. Është në dorën e opozitës, është lidershipi i opozitës që vendos se si do të veprojë, është një çështje e Partisë Demokratike dhe forumeve të saj. Kjo mbetet për t’u parë. Unë mendoj që tashme Partia Demokratike ka kaluar dhe procesin e brendshëm të zgjedhjes së kryetarit të sa, pra ka një lehtësim nga ikja e debatit të brendshëm që shpesh herë konsumon energji të panevojshme të cilat duhet të adresohen në opozitarizmin publik”.

Si e mendoni juve në optikën tuaj vazhdimin e marrëveshjes pas zgjedhjeve. Çfarë nënkuptonte Basha me këtë për Reformën Kushtetuese?
“Ajo mbetet për t’u parë, se unë nuk jam pjesë e marrëveshjes dhe nuk di se ne çfarë pikash kanë rënë dakord kryetari i qeverisë dhe lideri i opozitës Rama –Basha. Kam dëgjuar si të gjithë të tjerët që kanë rënë dakord që të angazhohen të dy forcat politike në parlament për Reformë Kushtetuese, që do të thotë se pjesa e kolonës së sistemit të drejtësisë ka mbaruar, pra nuk kemi më se cafrë marrëveshje kushtetuese të kemi për sistemin e drejtësisë që është një nga kolonat kryesore të kushtetutës se tashmë ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi janë bërë. Ligjet janë kaluar, kanë mbetur vetëm pak ligje dhe tashmë është vetëm implementimi i tyre, ndërtimi i institucioneve KLGJ, KLP dhe institucione të tjera. Nëse do ketë një bashkëpunim do ketë për sistemin zgjedhor i cili është kolona tjetër”.
Sigal