Shinasi Rama:Paria e Tiranës po mban peng Shqipërinë

663
Sigal

Zgjidhja është bojkotimi, vota e bardhë, vota kundër, ndërtimi i një koalicioni qytetar për liri e demokraci. Këtu duhen bërë bashkë këto grimcat e shoqërisë civile me iniciativat “Bjeri Vizë”, “Vota e Bardhë,” Lëvizja “Vota e Protestës”, “Hiqu Kryq,” Blogun “Demokracia Direkte”

Shenasi Rama, një nga pionierët e parë të demokracisë në vitet ‘90, në intervistën për “Telegraf” e shpreh pesimizmin se, në Shqipëri, edhe pas 22 vjetëve, do të ketë ndryshim. Pasi klasën politike që udhëheq e cilëson “Paria e Tiranës”, pa bërë dallimin midis politikanëve. Zoti Shenasi, parashikon se, klima politike zgjedhore do të acarohet, edhe  më shumë. Pyetjes, se çfarë mund të presin shqiptarët pas 23 Qershorit, zoti Shenasi, përgjigjet: “Në rastin më interesant, do të ndërrojë hajnat, në krye të shtetit. Kaq!”

– Zoti Rama, si do ta vlerësonit aktualitetin politik në Shqipëri, në këtë pragzgjedhjesh?

– Kur shihet me objektivitet, gjendja është katastrofike. Shteti sundohet me dorë të hekurt nga paria e Tiranës, që është një grup familjesh mafioze, që tashmë e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë. Kjo pari politike është edhe paria ekonomike e kulturore, sepse shumë nga prijatarët e këtyre familjeve e përdorën dijen që kishin fituar brenda e jashtë vendit, për t’u afirmuar si figura qendrore të tranzicionit. Po ashtu, edhe profesionistët e rinj, që dolën nga radhët e tyre, u bënë biznesmenë, politikanë, edhe mafiozë, duke u integruar në strukturat e parisë. Shtoi këtyre, edhe botën e pasuruar marramendshëm të krimit. Fuzioni i këtyre tre lloj segmentesh çoi në transformimin e parisë shqiptare, që tani është thelbësisht një pari politike oligarkike, – sepse janë shumë pak familje që kontrollojnë shtetin, politikën; plutokratike – sepse 80% e pasurisë kombëtare është përqendruar në duart e 4% të shoqërisë shqiptare; kleptokratike, sepse shteti është i kapur dhe është pari mafioz,e sepse aleanca e parisë politike me klanet mafioze është konsoliduar deri në atë pikë, saqë politikanët janë thjesht instrumente të klaneve mafioze dhe tani i ke mafiozët si kandidatë për deputetë. Në drejtimet kryesore, shteti është i falimentuar, ekonomia është përtokë, rinia është pa shpresë, mosha e tretë janë pa mbrojtje, zvetënimi moral ka arritur nivele katastrofike, trafiqet e drogës, të fëmijëve, të armëve e të njerëzve po lulëzojnë, e kështu me radhë. Por gjendja është bërë edhe më e frikshme nga sulmi që paria i bën shtetit. E vetmja rrugë pasurimi që këta kanë gjetur është që të kapin shtetin, prandaj edhe politika është në plan të parë, hidhen miliona euro në fushatë, për të maskuar realitetin dhe për të fituar legjitimitetin. Megjithatë, këto miliona nuk e fshehin dot gjendjen e krizës së thellë.

Nëse edhe të hënën nuk rikompozohet KQZ-ja, a mund të shkojmë në zgjedhje me KQZ me 4 anëtarë?

– Në zgjedhje mund të shkohet gjithsesi, por besoj se, KQZ do të plotësohet në minutën kur s’mban më, ose me pak presion e me një shitje, sikur diçka ndodhi, d.m.th, do të paraqitet loja sikur do të ketë presione formale nga jashtë, ose sikur, me një shkelje syri, “është në interesin tonë.”  Por, po nuk qenë krejt të sigurt për numrat, dhe duket se nuk janë, sepse numrat janë në kufijtë e 71-69, do të bëjnë gjithçka që të minojnë legjitimitetin e zgjedhjeve, që edhe kështu janë të komprometuara. Shkurt, në zgjedhje mund të shkohet edhe me 4 anëtarë. Do të luhet loja e lënies së fajit kundërshtarit dhe do të vazhdohet sikur kjo gjë nuk ka rëndësi.

Mosgjetja e kompromisit, mund të jetë 100 % faj i maxhorancës?

– Këta i bëjnë të gjitha pisllëqet bashkë. Përqindja e fajit nuk ka rëndësi.

– Opozita a ka kontribuar sa duhet në gjetjen e konsensusit për të kapërcyer konfliktualitetin e KQZ-së?

– Edhe pse sundojnë bashkë, këta nuk i besojnë njëri-tjetrit dhe e vetmja mënyrë që mund të mbijetojnë është duke krijuar sherr. Sepse nuk është vetëm sherri për KQZ, tani po shohim se sherri po përhapet në të gjitha nivelet.

Mund ta perceptojmë si sfidë politike nga politika mosmarrjen parasysh të apeleve të ndërkombëtarëve për një KQZ të pavarur?

– Institucionet zgjedhore janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, si në strukturë ashtu edhe në drejtim të legjitimitetit e të besueshmërisë. Le t’i rindërtojë sa herë që t’ia ketë qejfi parisë së Tiranës, por tashmë, në kulm të fushatës, çdo rikonstituim do të ndodhë me një çmim të kripur të humbjes së legjitimitetit. KQZ-ja është e diskredituar, le të çojë kë të dojë opozita, më 1 qershor, ose më 15 qershor. Po ashtu, KZAZ-të do të jenë edhe më të diskredituara, ashtu si edhe komisionet dhe e gjithë struktura zgjedhore. Sa më e madhe frika e parisë për humbjen e zgjedhjeve, aq më e madhe do të jetë edhe  ndërhyrja politike. Nuk duhet shumë për ta ndalur motorin, vetëm ca kokrra rërë e pak ujë. Pasoja do të jetë përplasja e pashmangshme në njërin nga tre nivelet institucionale. Kolegji Zgjedhor nuk pi ujë. Rëra do të hidhet në qendrat e votimit. Në parim, ndërkombëtarët nuk duhet të ndërhyjnë. Por këta ndërhyjnë, sepse kanë interes për të ruajtur stabilitetin. Mirëpo, stabiliteti që duan të huajt, është formal. E nga ana e tyre, këta politikanët tanë e duan pushtetin me çdo çmim. Në këto kushte, kur duket se numrat do të jenë aty-aty, tundimi është shumë i fortë për me i vjedhë votat dhe me e shtye fitoren nga ana e vet. Me një fjalë, kjo është thjesht llogari. Nuk e di për çfarë sfide politike flisni ju, këtu politika bëhet me stërkëmbsha. KQZ është institucioni më i varur politikisht në shtetin shqiptar. Atje dërgohen njerëzit më të besuar politikisht. Ja, dy ish-kryetarët e KQZ në momentet kritike, Ilirjan Celibashin dhe Arben Ristanin i ke në lista të sigurta. Nuk e kanë ndërruar mendjen në një ditë këta, vegla kanë qenë, si vegla po sillen. Se mos beson njeri që Lefteri Lleshi, Jani Jani apo Ilirjan Muho ishin të paanshëm.

Si e shpjegoni që opozita, e sidomos PS-ja nuk ka marrë atë përqindje besimi të elektoratit, por është e barabartë me PD-në?

– Po për çfarë besimi flisni? Këta janë të gjithë hajna e maskarenj, këtë e dinë të gjithë, edhe këta vetë. Këta e kanë mendjen me vjedhë nga thesari i shtetit. Populli ka nisur ta kuptojë më në fund se kjo është loja e tyre. Kur dikush del e vjedh si bandë, i ndajnë punët. Njëri të vjedh dhe tjetri të merr me të mirë. Njëri bën si mirë “hajde ti se e zgjidhim këtë punë më kallëzo çfarë të ndodhi”, tjetri të vjedh paratë e ikën dhe në darkë i ndajnë bashkë. PS dhe PD janë dy duar të një trupi. Njerëzit e kanë kuptuar me kohë dhe tani e kuptojnë më qartë këtë.

– Çfarë duhet të shpresojnë shqiptarët nga rezultati i 23 Qershorit?

– Asgjë. Do të jetë e njëjta gjendje. Të njëjta zare janë hedhur edhe një herë, me përdorë gjuhën e Tiranës, hep-jek, shesh-besh.  Në rastin më interesant, do të ndërrojë hajnat, në krye të shtetit. Kaq.

A ka interes ky sistem politik të ndryshojë për të mirë?

– Paria nuk ka interes. Populli ka. Të huajt duan stabilitet. Se çfarë bëjmë ne me veten, është problem i yni. Por duhet punuar fort dhe i duhet treguar popullit se, cila është rruga. Koha ka ardhur për një fillim të ri dhe ai nuk vjen dot nga paria. Çdo ditë e më tepër kjo bëhet e qartë si drita e diellit. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar, ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme, të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes, në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi të partive politike, i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë ligjore-politike me mjete legjitime demokratike. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari, që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror. Rruga është e qartë.

A mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, shoqëror, dhe kjo kastë (klasë) politike 22-vjeçare, e cila është ndërtuesja e interpretuesja e këtij sistemi?

– Ne kemi shtetin tonë, le të ndërtojmë strukturat që na ndihmojnë të arrijmë objektivat e shoqërive normale, d.m.th., sigurimin e jetës, të nderit, të dinjitetit, të begatimit e të mbrojtjes për popullin tonë.  Sistemi mund të reformohet nga brenda, dhe ai do të ndryshohet e përmirësohet me përfshirjen e popullit, të rinisë, të emigrantëve të edukuar jashtë dhe të profesionistëve, qoftë edhe në moshë, në politikë. Gjithkush duhet të funksionojë në një shtet normal që ka shtrëngesa ligjore të forta, ata që kanë bërë krime të dënohen, por të gjithë duhet të kenë mundësinë të ndryshojnë për mirë.

Nëse fiton e Majta, besoni se do të kemi rotacion politik,  apo do të kemi Ndryshimin e progresit të kërkuar e të dëshiruar?

Po çfarë rotacioni, more aman?! Këta e kanë mendjen tek radha e pirjes së gjakut. Politika shqiptare është si politika e çimkave. Ato rrinë gjashtë vjet pa pirë gjak, por, kur fillojnë, kanë sa për gjashtë vjet. Këta duan të jenë si çimkat. Të pinë gjakun tonë, d.m.th, të vjedhin sa të munden. Në gjashtë muaj të pasurohen për gjashtë breza, dhe mandej flasin për rotacion. Po përziejmë kazanin e plehrave politikë. Këta ishin në qeveri, dolën tre muaj në opozitë. Demokracia nuk është rotacion, demokracia është që të bëhet zgjedhja më e mirë. Zgjedhjet, që kemi ne, janë mizerje dhe të dyja të këqija e prandaj duhen refuzuar. Gjarpri blu e gjarpri rozë. Ku është dallimi?!

A duhet të jetë kushtëzimi i këtij ndryshimi demokratik, që shtrohet domosdoshmëri nga zgjedhjet e 23 Qershorit, rishikimi i Kushtetutës, për të korrigjuar ato ndryshime që u bënë në 2008-n?

– Kushtetuta duhet rishikuar e ndryshuar, sepse nuk funksionon. Po kush do ta bëjë? Këta punojnë për vete. Si thonë myzeqarët, gjeti buallica baltën dhe ra rehat.  Edhe ndryshimet do t’i bëjnë kur iu intereson dhe si iu intereson. Dhe do të rrinë po aty, ku janë tani. Këtu duhet ndërruar Kushtetuta dhe duhet bërë funksionale e duhet vënë në shërbim të mirëfilltë publik struktura e shtetit. Kush do ta bëjë? Hajnin, kur e bën polic, e ka mendjen prapë me vjedhë. Këta kanë të njëjtën mendësi. Duhet një forcë e re, me njerëz të rinj dhe me mendësi tjetër.

Të paktën këtë premtim nuk e kemi dëgjuar nga opozita. Mendoni se nuk është ky prioriteti i saj strategjik?

– Opozita do me çdo kush të kapë kontrollin e shtetit. I ka marrë uria keqas dhe nuk shohin gjë veç parave. Këta duan marrëveshjen me Saliun dhe i thonë “ik me nder.” Aty është e gjithë puna, na e lësho karrigen ne. Këta nuk kanë ndërmend të ndërrojnë gjë.

A është Edi Rama lideri, i cili mund të realizojë ato transformime demokratike, apo është udhëheqësi i forcës politike më të madhe opozitare?

– Po çfarë demokracie? Në çfarë bote jetoni ju? Këtu është oligarki, këta janë hajna, këta vjedhin bashkë. Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu e me radhë. Këta do të sillen katër vjet rreth mullarit të barit të thesarit dhe aty mbaron puna. Nuk ka BE për ne, ta heqin nga mendja shqiptarët.

Përse duhet të jemi optimistë, se çdo rezultat zgjedhor, mund të ndihmojë, që pozita-opozita do të kenë vullnetin politik -kësaj here- për të bashkëpunuar për integrimin?

– Po çfarë pengu? BE-ja nuk do që shteti shqiptar të jetë pjesë e BE-së. Duhet të jemi optimistë? Po asgjë nuk do të ndodhë. Nuk janë tre ligjet problem. Këta janë bashkë, por nuk është integrimi që nuk ka me ndodhë zgjidhja. Sepse ashtu i thuhet që të ngopesh me lugë të zbrazur. Zgjidhja është bojkotimi, vota e bardhë, vota kundër, ndërtimi i një koalicioni qytetar për liri e demokraci. Këtu duhen bërë bashkë këto grimcat e shoqërisë civile që synojnë ikjen nga kontrolli i parisë. Ose duhen mbështetur alternativat që janë jashtë strukturave të këtyre, si dy partitë që do ju krijojnë probleme të dy koalicioneve si FRD e AKZ ose duhet ndërtuar një strukturë civile me iniciativat “Bjeri Vizë”, “Vota e Bardhë,” Lëvizja “Vota e Protestës”, “Hiqu Kryq,” Blogun “Demokracia Direkte” dhe ata të tjerët që kanë thënë tash sa vite, “Bojkot: Vota Shkon Kot.” Sepse, nuk ka më zgjidhje të tjera. Po nuk u veprua kështu, këta prijatarë të parisë së Tiranës, do të dalin e të thonë se ju na e dhatë të drejtën të bëjmë të keqen që bëmë, sepse ne kaq ditëm, nuk kishte të tjerë, dhe ju na zgjodhët, nuk iu detyruam ne. Se ja shih edhe koalicionet që kemi ndërtuar, ju i zgjodhët. E sa për integrimin, ajo është një përrallë e parealizueshme.

– Ju faleminderit!