Shijak/ Gjermeni drejtuesve vendorë: Ndiqni me vëmendje maksimale projektet

450
Bashkia e Shijakut është një prej 26 njësive vendore të mbështetura financiarisht nga Qeveria, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Kjo bashki është njëkohësisht edhe përfituese e projekteve në kuadër të programit Rilindja Urbane. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni inspektoi sot punimet për përfundimin e rehabilitimi të qendrës së Shijakut, një financim i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve në vlerën 90.837.938 lekë.
Ministrja u prit nga kryebashkiaku i Shijakut, Ardian Kokomani, i cili i prezantoi edhe projektet që bashkia e drejtuar prej tij ka për të ardhmen. Zoti Kokomani tha se, po vijon puna për përmirësimin e projektit, prej të cilit kanë përfituar qindra qytetarë të Shijakut. 
Për Ministren Gjermeni, një element i rëndësishëm për bashkinë e Shijakut dhe të gjitha bashkitë përfituese të Rilindjes Urbane është monitorimi, për të përmirësuar cilësinë dhe për të përfunduar me sukses projektin brenda parametrave të miratuar. 
“Gjej rastin këtu për tu bërë një thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive, që kanë përfituar projekte nga Rilindja Urbane, përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, për ndjekjen, monitorimin dhe zbatimin me cilësi dhe duke respektuar kriteret dhe standardet e miratuara të projektit. Ne pranë MZHU kemi sekretariatin teknik, i cili bën monitorimin e projektit, si për afatet kohore, ashtu edhe për cilësinë edhe realizimin me sukses të tyre. Më vjen shumë mirë që bashkia e Shijakut ka ndërhyrë në kohë dhe projekti po realizohet sipas parametrave”, deklaroi Ministrja Gjermeni për gazetarët. 
Gjatë vizitës në Shijak, Ministrja është takuar me studion fituese dhe ekipin, që po punon për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Studio fituese e përzgjedhur për hartimin e PPV për bashkitë Durrës, Vorë dhe Shijak (loti 3) është bashkimi i operatorëve Dogma, Latitude, Milan Ingeneria Srl dhe Studio B & L shpk. 
“Plani i përgjithshëm vendor i një bashkie duhet t’i përgjigjet nevojave, interesave të qytetarëve të kësaj bashkie. I gjithë procesi për hartimin e planit, jo vetëm sepse është i përcaktuar në ligj, por sepse ne besojmë në të, duhet të jenë një proces i hapur , gjithëpërfshirës dhe transparent për të gjitha grupet e interesit”, iu drejtua Ministrja të pranishmëve. 
Bashkia e Shijakut, studio fituese dhe Ministria e Zhvillimit Urban nënshkruan në fund të muajit Janar 2016 kontratën me vlerë 78,178,004 lekë,për hartimin e Planit Vendor. 
Periudha për draftimin e planeve, për 26 bashkitë e mbështetura financiarisht nga Qeveria shtrihet në 18 javë mbas lidhjes së kontratës. Për 5 bashki të tjera mbështetja financiare po jepet nga USAID.
Ndërkohë, në fillim të muajit Prill, Ministrja Gjermeni do të takohet me donatorët për të parë mundësinë e financimit të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore edhe në 30 bashkitë e tjera, nga 61 njësi vendore në tërësi. 
Sigal