Shezai Rrokaj: Tabelat rrugore në Jug, shqipja gjuhë e dytë, një turp kombëtar

528
Sigal

Ish-deputeti i LSI-së në Qarkun e Vlorës, Shezai Rrokaj, e konsideroi një turp kombëtar vendosjen e tabelave ku gjuha shqipe është në plan të dytë.

Ai ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale dhe, ndër të tjera, shprehet: “Lart greqisht, poshtë shqip. Duhet të ishte e kundërta. Mbrojtja e të drejtave të pakicave, në rastin konkret ajo greke, nuk mund të bëhet në dëm të prestigjit të gjuhës së shumicës që është gjuhë zyrtare.”

Postimi i plotë i Rrokajt:

Tabelat rrugore në Jug: gjuha shqipe në plan të dytë, një turp kombëtar.

Shikoni këto tabela rrugore? Lart greqisht, poshtë shqip. Duhet të ishte e kundërta. Sepse gjuha shqipe është gjuha zyrtare në Kushtetutën tonë. Gjuhët e pakicave gëzojnë të drejta të përdorimit lokal, por jo të jenë parësore karshi gjuhës zyrtare. Kjo është e qartë edhe në Konventën Kuadër të KE-së për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ratifikuar me ligjin nr 8496, dt 3.6.1999.

Mbrojtja e të drejtave të pakicave, në rastin konkret ajo greke, nuk mund të bëhet në dëm të prestigjit të gjuhës së shumicës që është gjuhë zyrtare. Ligji për Pakicat Kombëtare, që u miratua në Kuvend para gati një viti kishte shumë probleme të kësaj natyre, të cilat i kam ngritur gjatë diskutimit të tij. Pata theksuar, ndër të tjera, lidhur me përgjegjësitë që do kishte Këshilli i Ministrave dhe institucionet e tjera për zbatimin korrekt të tij. Ky është një rast i paprecedentë, kur ligji po ndëshkon prestigjin e gjuhës së shumicës, kurse sa për tabelat rrugore edhe në gjuhën shqipe në Prevezë, Igumenicë, Filat etj., kjo e drejtë s’është e drejtë”, shkruan Rrokaj.