Shezai Rrokaj: Samiti i Poznan-it, Shqipëria me gisht në gojë

559
Sigal

Nga Shezai Rrokaj:

Samiti i Poznan-it, Shqipëria me gisht në gojë

Sapo mbaroi Samiti i Poznanit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Plot 180 milionë euro për Ballkanin përveç Shqipërisë. E para ishte Bosnja me 94 milionë, më pas Maqedonia me 42 milionë dhe në vijim Serbia me 26 milionë e Kosova me 12 milionë. Shqipëria nuk kishte paraqitur projekte. Qysh prej vitit 2015, ku investimet nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor kanë kapur shifrën e mbi 800 milionëve, vendi ynë ka përfituar vetëm 78 milionë.
Me përfundimin e projekteve të Tapit dhe Devollit, të filluara nga qeveria paraardhëse, vendi ynë nuk po përfiton më investime të huaja relevante për të paktën tri arsye themelore. Së pari, paaftësia e administratës së qeverisë aktuale për të hartuar dhe prezantuar projekte. Së dyti, mungesa e sigurisë juridike dhe paqëndrueshmëria politike, e cila ka frikësuar sipërmarrjen e huaj për të investuar në vend. Së treti, lidhja e qeverisë me oligarkët ka bërë që ata ta mbajnë të mbyllur tregun, në mënyrë që t’i përfitojnë vetë ata projektet, pavarësisht faktit se përmbushja e tyre mund të kërkojë kohë të madhe e të dëmtojë perspektivën e zhvillimit të vendit. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare, në kundërshtim me MSA-në dhe legjislacionin evropian të tërësi, ka deformuar parimin e konkurrencës dhe të garës për edhe të sipërmarrësit e huaj. Në shkelje të ligjeve ndërkombëtare të nënshkruara prej nesh, ajo ka mbajtur anën oligarkëve, duke i vënë pengesa depërtimit të investitorëve të huaj si dhe duke deformuar rregullat e tregut. Shumë tendera publikë janë bërë me konkurrentë fantazmë ose është shkuar deri në miratimin me ligj të një investitori, siç ishte rasti i Ligjit për Teatrin.
Ky dëm i madh ekonomik i vendit nuk e merakos fare kryeministrin autokrat, i cili e ka mendjen se si të blejë zgjedhjet, të godasë opozitën, të flirtojë me oligarkët dhe krimin e organizuar dhe të endet rrugëve me shallvare duke bërë humor me tepsi, timon e kazan teksa shqiptarët e dëshpëruar në vendin e tyre kërkojnë të ikin prej tij.