Shezai Rrokaj: Protesta e opozitës – një hap para për çeljen e negociatave

823
Sigal

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social Facebook ku shprehet se prej disa ditësh mazhoranca po i shkarkon të gjitha bateritë për të akuzuar opozitën si frenuese e integrimit. Ai gjithashtu shkruan se opozita është shprehur botërisht pro çeljes se negociatave, sepse ajo është e bindur se kjo është në të mirën e shqiptarëve dhe se në këtë mënyrë do të rritet presioni mbi mazhorancën për mirëqeverisje.

Më poshtë statusi i plotë:

Protesta e opozitës – një hap para për çeljen e negociatave

Prej disa ditësh mazhoranca po i shkarkon të gjitha bateritë për të akuzuar opozitën si frenuese e integrimit, madje protestën e saj po e konsideron si një veprim destruktiv, antikombëtar, antievropian etj.

Por ajo që ndodh në fakt është se si BE-ja ashtu dhe SHBA-të në asnjë cast nuk janë shprehur se protesta e opozitës pengon çeljen e negociatave. Ato janë shprehur se Shqipëria ka probleme serioze me korrupsionin, me drogën dhe krimin e organizuar.

Gjithashtu ato kanë vënë në dukje çështje që lidhen me një reformë të paanshme në drejtësi (vetting), me depolitizimin e administratës publike, me të drejtat e njeriut, me një zhvillim të qëndrueshëm, me dialogun politik dhe, së fundmi, edhe problemin e zgjedhje të lira.
Për të gjitha këto problematika peshën e përmbushjes së tyre e ka mazhoranca. Opozita është shprehur botërisht pro çeljes se negociatave, sepse ajo është e bindur se kjo është në të mirën e shqiptarëve dhe se në këtë mënyrë do të rritet presioni mbi mazhorancën për mirëqeverisje.

Kështu që protesta jo vetëm synon t’i bëjë presion mazhorancës që të përmbushë realisht këto kushte, pra është në një linjë me ndërkombëtarët, por dëshmon gjithashtu se sot Shqipëria e ka protestën oksigjen për vetë ekzistencën e demokracisë, kur mazhoranca po synon të kapë shtetin dhe po shfaq reminishenca të partisë-shtet.