Shezai Rrokaj: Në Shqipëri vidhen votat, s’na duhet lider autoritar

111

Ish-deputeti i LSI, Shezai Rrokaj në një intervistë për rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se është provuar tashmë se në Shqipëri vidhen votat.

Rrokaj theksoi se Shqipërisë nuk i duhet lider autoritar, kurse ka shtuar se edhe në votimet e 30 qershorit, maxhoranca tregoi se nuk heq dorë nga vesi i vjedhjes.

“Situata është e tillë që kemi maxhorancë që ka kapur thuajse gjitha pushtetet. Dëshiron të kapë pushtetin e presidentit, ndërsa do të kapë edhe mediat, gjyqësorin, të gjitha pushtetet i do për vete.

Kemi opozitë e cila thotë se zgjedhjet e 2017 ishin të vjedhura dhe doli se edhe më 30 qershor, vesi i maxhorancës nuk u ndal, pasi kishte më shumë vota sesa fletë kutie. Pushtetet nuk janë më legjitime. Opozita ka arritje tjetër. Opozita mund të thotë se qytetarët iu përgjigjen thirrjes së saj për të mos marrë pjesë në votime. Opozita ka fituar”, tha ai.

Rrokaj vlerësoi se kauzat e opozitës qëndrojnë, kurse tha se kjo opozitë duhet të bëjë edhe një paketë qeverisej, e cila të jetë ndryshe nga ajo që ofron maxhoranca sot.

“Kauza e opozitës qëndron. Zgjedhjet e 30 qershorit janë vjedhur. Reforma në drejtësi po ashtu është kapur. Ne kemi program politik. Ne si opozitë jemi të përbashkët. Në kauza të mëdha, opozita është bashkë në një vijë.

Duhet paketë e qartë për 7-8 pika themelore se çfarë mendon opozita. Ne dimë të tregojmë se jemi ndryshe nga maxhoranca. Ne duhet t’i tregojmë shqiptarëve se jemi ndryshe. Duhet ekip për të qeverisur shqiptarët. Siç ua kemi thënë shqiptarëve të vërtetat në sy, ashtu duhet edhe një paketë qeverisjeje, që ne të jemi korrent. Ne duhet t’iu themi shqiptarëve se këta njerëz nuk janë të implikuar, që qytetarët të besojnë tek ne.  Na duhet qeverisje e re dhe më e mirë, që largon politikën shqiptare nga të fortët e doganave, nga të fortët e zonave, nga policia që rrëmben, që ndan pushtetet. Nëse e bëjmë këtë, shqiptarët do thonë se këtu opozita nuk bën vetëm diagnostifikim, por edhe realizon. Ne nuk mund të identifikohemi me ata që kanë vjedhur votat”, tha Rrokaj.

 Për profesor Shezai Rrokajn, maxhoranca nuk merret me qytetarët, por me opozitën. Ai shton se dialogu me këtë maxhorancë nuk vlen.

Maxhoranca u mor vetëm me opozitën. Një maxhorancë që merret me opozitën, siç shikon narcistin që sheh veten, tregon se ka dështim. Protestat duhet të vijojnë, sepse maxhoranca nuk ka bërë punën e vet.

Dialogu për çfarë duhet? Çfarë dialogu duhet të bëhet? I takon opoziotës të bëjë dialogun. Dialogu që kërkon Rama nuk shërben, prandaj ne nuk ulemi dot. Dialogun duhet ta bëjë forca politike që kërkon ndryshimin”, u shpreh ai.

Shazai Rrokaj deklaroi se shqiptarët e meritojnë integrimin, BE-në, por nuk duhet të jenë më në influencën e një njeriu, i cili ka mendësi diktatoriale.

“Shqiptarët e meritojnë Bashkimin Europian. Mirëpo, shqiptarët po ikin, po e braktisin këtë vend. Po ikën popullata aktive. Po ikën popullata më me fuqi. Po ikën. Pse po ikën? Po të ishte mirë nuk do të iknin. Ky vend ka gjithçka, përpos mendësisë diktatoriale të shqiptarëve në udhëheqje.

Më shumë se ndërkombëtarët, Shqipërinë duhet ta bëjnë shqiptarët. Ky është kthim përgjegjësie ndaj shqiptarëve. Duhet të kalojmë nga kryeneçë në largpamës. Duhet të mos konsumojmë më veten, politikën. Më në fund duhet kthesë, kthesë ku maxhoranca e opozita të rishikojnë vetveten”, tha më tutje Rrokaj.

Sipas tij, përkundër pretendimeve të maxhorancës se ka përçarja mes PD dhe LSI, dy partitë opozitare kanë shumë pika të përbashkëta.

Nuk ka qëndrim ndryshe mes PD dhe LSI. Ne kemi rënë dakord me Partinë Demokratike në një vijë, në një frymë. Fundja, partitë opozitare janë në një frymë për keqqeverisjen e maxhorancës. Mendoj se maxhoranca e bën këtë që PD dhe LSI të përcahet. Duhet të çlirohet edhe administrata, duhet e depolitizuar. Duhet depolitizim i shtetit. Sa më shumë ta depolitizojmë shtetin, aq më shumë shteti bëhet i qytetarëve.

Këtu deformohet vota e qytetarëve. Një pushtet i ngritur mbi vota të vjedhura, ka sigurisht probleme. Duhet të ikin liderët autoritarë, liderët e fortë. Në demokraci duhet shtet i fortë dhe lider i butë e i pranueshëm”, tha Rrokaj.