Shezai Rrokaj: Ministria Kumbaro të ulet urgjentisht për t’i dëgjuar artistët

533
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj me anë të një statusi në Facebook ka reaguar mbi deklaratën e Ministres së  Kulturës, Mirela Kumbaro.

Më poshtë statusi i plotë:

Gjithë këto ditë opinioni publik është njohur me çështjen e Teatrit Kombëtar. Artistët e Teatrit Kombëtar kanë kundërshtuar projektin e Qeverisë për Teatrin Kombëtar, ku mendohet të ndërtohet një megandërtesë ‘polifunksionale’ brenda së cilës në një qoshkë do të përfshihet edhe Teatri Kombëtar. Nga ana tjetër, artistëve u është thënë se duhet të zhvendosen te Turbina gjatë kohës së ndërtimit të kësaj qendre polifunksionale.

Ky debat nuk është i sotëm. Ai lidhet me një emër: ish-ministrin e kulturës dhe ish-kryebashkiakun Rama, i cili e ka të ngulitur këtë ide qysh atëherë.

Si shumë qytetarë të kryeqytetit, por edhe të mbarë vendit jam i shqetësuar me këtë dreq sindromi që na kap ne shqiptarëve për të anatemuar historinë, e cila pa monumente të tilla, siç është dhe Teatri Kombëtar, kthehet në një amnezi kolektive. Tundimi për të filluar nga pika zero na nxit të shkulim gurët e kështjellave për të bërë oborre avllish apo i t’i kthejmë ato në mejhane gostish, prishim kinematë, si ish-kinema “17 Nëntori” , “Republika”, por edhe 7 xhuxhat e mjerë që po i strehojmë brenda rrokaqiejve, sikur të mos mjaftonte ajo që u mor për ta zaptuar hapësirën publike.

Amnesia kolektive fillon me tundimin për ta mohuar vijimësinë historike, që hera-herës shpërfaqet me delirin se e vetmja histori është ajo që lidhet me ardhjen time në pushtet. Shumë njerëz e lidhin edhe me mitin e Kështjellës së Rozafës. Ka edhe nga ata që mendojnë se një ndërtesë e re ‘moderne” është më ‘trendi’ sesa një monument historik jo aq i ‘hijshëm’. Gjithë këto vite të tranzicionit ideja e ndryshimit është shoqëruar me idenë e mohimit, duke anatemuar vijimësinë historike si koncept identitar. Pra, koncepti social i evolucionit është vënë nën trysninë e konceptit të revolucionit, dhe nuk po na ndahet.

Kujtesa kolektive përbën arketipin social të shoqërisë. Njerëzit lidhin me monumentet e trashëgimisë kulturore vetë jetën e tyre shpirtërore. I tillë është edhe ky teatër. Ai nuk është një godinë e thjeshtë. Në atë ndërtesë janë ikonat teatrale botërore e kombëtare, që janë vënë në skenë, janë emrat e pavdekshëm të aktorëve që kanë ndërruar jetë dhe ata që vazhdojnë t’i japin jetë teatrit, edhe pse në luftë për mbijetesën e tyre. Po aty është historia e çdo të riu e intelektuali që ky teatër, si pikë referimi, e lidh me Tiranën e kohërave të ndryshme të jetës së vet. Aty shumë të rinj janë dashuruar, të tjerë kanë përjetuar emocione, kanë qarë e kanë qeshur, apo kanë bartur në heshtje mesazhe të mëkimit artistik.

Pra, ky teatër është më shumë se një ministër apo një kryeministër, një drejtor a një funksionar i radhës, të cilët vijnë e ikin, por ai duhet të mbetet. Më shumë sesa një artist kurrëkush tjetër nuk e ndjen vlerën e këtij xhevairi, sepse çdonjëri prej artistëve e ka lidhur jetën e karrierës dhe të familjes me të.

Prandaj, ministria Kumbaro, të ndërpresë urgjentisht shigjetimet e thumbimet nga llogorja në llogore dhe të ulet me artistët. Me Robert Ndrenikën dhe artistë të tjerë të kalibrit së tij nuk bëhet luftë llogoresh. Me ta bisedohet e dëgjohen se si ata e mendojnë funksionimin e këtij monumenti të historisë së kulturës. Artistët janë vetë trashëgimia dhe domethënia e tij. Ata nuk mund të trajtohen si rrogëtarë në ligjin e ri, sepse vlera e tyre është kombëtare, e ca më pak t’u mbyllet dera e shtëpisë.
Sigal