Shezai Rrokaj: Kercënohet gazetarja Klodiana Lala: liria e medias në rrezik

895
Sigal

Plot 10 plumba në banesën ku ishin prindërit dhe vëllai i saj. Dënoj me forcë këtë akt mafioz, duke i shprehur gjithë solidaritetin e mbështetjen time gazetares Klodiana Lala si dhe vlerësimin për punën saj plot pasion e përkushtim në çështjet investigative, sidomos ato që lidhen me drogën dhe krimin e organizuar. I bëj apel Policisë dhe Prokurorisë të zbulojnë kërcënuesit dhe t’i vënë para drejtësisë. Kërcënimi me synim intimidimin e gazetarit është goditje në asht e demokracisë, duke vënë nën shënjestër lirinë e medias dhe të shtypit. Kjo është një kambanë alarmi për politikën, për organet ligjzbatuese, për gjithë shoqërinë. Krimi i organizuar ndihet i mbrojtur, më i fortë dhe më i sigurtë se kurrë, ndaj dhe guxon e godet mbi mbrojtësit e demokracisë, gazetarët. Si të mos mjaftojë shigjetimi dhe sulmi i vazhdueshëm ndaj gazetarëve dhe mediave, të cilësuara si “kazan” nga Kryeministri, ngjarja e sotme e rëndon edhe më tej panoramën. Paolo Borsellino ka thënë se mafia dhe shteti janë në të njëjtin terren. Problemi është nëse ata po e luftojnë njëri-tjetrin apo po e mbrojnë njëri-tjetrin. Ky rast, si shumë të tjerë, tregon se Qeveria aktuale është marrë peng dhe se nuk mundet dhe nuk e ka forcën goditëse ndaj tij.