Shezai Rrokaj: Keqqeverisjes së mazhorancës, opozita t’i përgjigjet me program edhe ekip

577
Sigal

Nga Shezai Rrokaj

Tani është krejt e qartë se zgjedhjet delegjitimuan mazhorancën, sepse qytetarët iu bindën apelit të opozitës. Bojkoti me mospjesëmarrje deri në 85% në zgjedhjet njëpartiake tregoi se qytetarët i thanë një ‘jo’ të fortë keqqeverisjes, uzurpimit të pushteteve dhe ngecjes së reformave. Ndryshe kjo përkthehet se pushteti që ka kapur shtetin duhet t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira mbi bazën e të cilave të rishikohet në themel sistemi për të ndërtuar pushtete të pavarura dhe të pakapshne prej liderëve autokratë. Këto votime treguan gjithashtu se kauza e opozitës për zgjedhjet e blera nga mazhoranca në bashkëpunim me krimin e organizuar është e drejtë, sepse kjo mazhorancë nuk iu nda as në këto votime vesit për të futur duart në kutitë e votimit aq sa në mjaft bashki fletët e votimit ishin më shumë sesa pjesëmarrësit në votime.

Këto votime treguan gjithashtu se shteti ka rënë. Nuk ka mbështetje qytetare. Ai është zëvendësuar me pushtetin e mazhorancës dhe po shkon drejt një regjimi monopartiak. Shteti ka dalë nga binarët kushtetues dhe po bie në rënie të lirë drejt kapjes. Pas ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, mazhoranca po grah të kapë pushtetin vendor, Presidentin e Republikës dhe të plandos përdhe edhe atë pushtet mediatik të lirë që ka mbetur. Ligji antishpifje, i miratuar disa ditë më parë nga qeveria “Rama”, është një nismë ndjellakeqe, e cila nuk ka qëllim tjetër veç atij të censurimit të mjedisit mediatik pasi, nëpërmjet Këshillit të Etikës së AMA-s realizohet vënia nën kontroll politik e medias, gjë që ndeshi edhe në kundërshtimin e OSBE-së.

Nga ana tjetër, opozita u është kthyer protestave duke shprehur këmbënguljen e saj për ndëshkimin e grabitësve të zgjedhjeve të vitit 2017 dhe votimeve të fundit si dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira e të ndershme si themel për ndërtimin e një sistemi politik, që nuk lejon kapjen e pushteteve. Përkundër këtij qëndrimi të opozitës, mazhoranca vijon të kërkojë kinse dialog, i cili është më shumë një fasadë për ndërkombëtarët dhe opinionin publik në tërësi sesa një përgjegjësi për vendosjen e një dialogu politik real. Kërkesa e saj për dialog është më shumë një tautologji, që nuk shpreh asgjë sesa një projekt konkret i përgjegjshëm. Për këtë mjafton të sjellim në vëmendje ngritjen e Komisionit për zgjedhjet, i cili kryesohet prej z. Gjiknuri, i përmendur në dosjet ‘184’ dhe ‘339’ për deformimin e zgjedhjeve.

Në këto kushte, opozita nuk mund të futet në dialog, pasi nuk ka një platformë të qartë për nisjen e tij. Nga ana tjetër, thjesht dhe vetëm aksioni opozitar me fokus protestat nuk është i mjaftueshëm për të krijuar një sinegji ndryshimi në sistem. Nuk mjafton diagnostikimi i gjendjes, i cili është bërë dhe vazhdon të jetë në fokusin e opozitës, por edhe të ndërkombëtarëve. Denoncimet nga opozita dhe organizmat ndërkombëtare për korrupsionin, drogën, grupet kriminale, cenimin e lirisë së mediave, zhvillimin ekonomik të dyshimtë me sistemin e PPP-ve, braktisjet masive të vendit nga popullsia aktive, deformimin i disa reformave në drejtësi, arsim, shëndetësi dhe bujqësi etj., kanë krijuar tashmë një perceptim të mjaftueshëm për keqqeverisjen e mazhorancës. Mjafton të përmendim vetëm dje raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Klimën e Investimeve në Shqipëri për vitin 2019, ku shkaqet mbi klimën problematike të investimeve janë “korrupsioni, presioni politik për kontraktorët, ndryshimi i shpeshtë dhe i pakonsultuar i ligjeve, kalimi i ligjeve klienteliste”. Raporti citon problemet që po has Shqipëria me projektet PPP, që në shumicën e rasteve janë të pastudiuara dhe jo të konsultuara siç duhet.

Aksioni i opozitës në këto kushte duhet të synojë në tri drejtime. Së pari, duhet një ftesë zyrtare për dialog drejtuar PS-së për disa çështje, të cilat opozita i ka bërë publike. Së dyti, duhet një program politik i thjeshtë dhe i qartë për qytetarët, ku të shpjegohet se çfarë synon opozita. Cilat janë përgjigjet e saj për çështje si: frenimi i hemorragjisë; korrektimi e reformës në drejtësi, rishikimi i modelit ekonomik të zhvillimit me PPP-të, shkëputja e lidhjeve me krimin e organizuar dhe një betejë frontale ndaj tij, rishikimi i reformave në arsim, shëndetësi e bujqësi; garantimi i lirisë së mediave. Së treti, opozita duhet të shfaqë publikisht ekipin që krijon besim te qytetarët, me të cilin ajo do t’u garantojë atyre një qeverisje të mirë. Ajo duhet të mënjanojë nga qeverisja e ardhshme jo vetëm persona me rekorde, gjë që ajo e kishte në qendër të propozimit për vetingun në politikë, por duhet të mënjanojë këdo që ka qenë në qeverisjet e saj të mëparshme dhe nuk i është përgjigjur modelit të qeverisjes së mirë. Opozita duhet ta ndreqë imazhin që mazhoranca kërkon të imponojë në publik se ‘jemi njëlloj’, se është e kotë të ndryshohet, se socialistët janë më të mirë. Duhet bërë publik një ekip që jep shpresë për një model qeverisjeje krejt ndryshe nga modelet e mëparshme të saj. Vetëm kështu do të rritet besimi i qytetarëve në alternativën e opozitës.