Shezai Rrokaj dhe deputetja Monika Kryemadhi shpërndajnë rreth 1 mijë karta të reja anëtarësimi

446
Sigal

Gazeta Telegraf/  Lëvizja
Socialiste për Integrim vazhdon fushatën në kuadër të zgjedhjeve të brendshme
të partisë që do të zhvillohen më 6 nëntor. Deputetja e LSI-së, znj. Monika
Kryemadhi dhe kandidati për kryetar i LSI-së, z. Shezai Rrokaj zhvilluan takime
me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësitë Administrative 1
dhe 8 në Tiranë, ku edhe kanë shpërndarë rreth 1 mijë karta të reja
anëtarësimi. 

Gjatë këtij
takimi, kandidati për kryetar të LSI-së, z. Shezai Rrokaj theksoi se gara për
kryetar nuk është një garë ndërmjet individëve por është një garë idesh dhe ku
rëndësi ka alternativa e mendimeve.

“Jemi një forcë
politike e cila vlerëson garën, sepse është një nga parimet bazë të
demokracisë. Është një garë ku në radhë të parë ka rëndësi alternativa e
mendimeve dhe ku ka më pak rëndësi fituesi apo humbësi, sepse në fund të kësaj
gare, në fund të ditës, fituese duhet të dalë LSI-ja. Këtë garë që zhvillohet
midis nesh, e cila nuk është një garë rivalësh dhe aq më keq një garë
komediane, siç zhvillohet në partitë e tjera, është një tërësi mendimesh,
konceptesh që e shëndoshin LSI-në”,- tha z. Rrokaj.

Në vijim të
fjalës së tij, kandidati për kryetar të LSI-së theksoi se gara që po zhvillon
përballë z. Ilir Meta, është një garë mendimesh duke shprehur edhe alternativën
e tij përpara strukturave të LSI-së.

“Është një pyetje
që mund ta bëj gjithsecili prej jush: Po si t’i mund të dalësh në garë përballë
Ilir Metës për vlerat që Meta ka që është themeluesi i LSI-së?! Por që
natyrisht ka edhe një përgjigje e cila në radhë të parë konsideron vlerën e
Ilir Metës si arkitekt i LSI-së. Dhe unë nuk kam ndonjë kontribut politik të
krahasueshëm me Ilir Metën, por natyrisht unë jam një profesor, jam
njëkohësisht edhe një fitues garash në botën akademike, sikundër unë drejtoj,
militoj prej tetë vitesh në Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kam drejtuar
garën e Tiranës. Hapja është elementi i parë dhe hapja ndaj cilave kategorive?!
Kryesisht rinia, e cila ka energjinë e duhur, e cila ka besimin duhur. Ne duhet
t’i kushtojmë një rëndësi të madhe rinisë sepse është e ardhmja e vendit tonë.
E pra ne si LSI duhet të kthehemi në një forcë politike që i jep besim rinisë
se Shqipëria bëhet, dhe bëhet me shqiptar”, – tha z. Rrokaj.

Ndërsa, deputetja
e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi i cilësoi zgjedhjet e 6 nëntorit si një
standard që LSI ka ngritur tani me rinovimin e strukturave drejtuese, duke u
zgjedhur nga anëtarësia. Në fjalën e saj znj. Kryemadhi u shpreh se e gjithë
struktura drejtuese e LSI-së ka një platformë të përbashkët dhe qëllim të
njëjtë, për të qenë në shërbim të qytetarëve, duke shtuar se fushata e
brendshme e bashkon më shumë partinë me anëtarësinë dhe me problemet që ata
kanë.

“Ne të gjithë
kemi platforma të përbashkëta dhe qëllimi është i njëjtë, që të jemi në shërbim
të qytetarëve dhe të gjithë njerëzve që kanë dëshirë për të ecur përpara dhe
për ta zhvilluar më shumë këtë vend. Ne jemi në kuadrin dhe në funksion të
datës 6 nëntor, përsa i përket jo thjesht kandidatit për të cilin ne do të
votojmë, por përsa i përket organizimit dhe përfshirjen e të gjithë anëtarëve
të LSI-së që të marrin pjesë në datën 6 nëntor në votimin për kryetar të
LSI-së. Është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e anëtarëve të LSI-së, sepse kjo
tregon edhe sa aktive janë strukturat tona, dhe jo pa qëllim ne si LSI çdo 4
vjet i rinovojmë kartat e LSI-së, për të vetmen arsye sepse nëpërmjet kësaj ne
jo vetëm testojmë anëtarësinë, por dhe lidhemi dhe më shumë me anëtarësinë. Dhe
duke e bërë këtë proces të rivlerësimit ose të rishpërndarjes së kartave ne
fillojmë dhe vijmë më afër jo vetëm me anëtarët e partisë, por dhe me
problemet”, – u shpreh deputetja e LSI-së.

Në vijim të
fjalës së saj, znj. Kryemadhi theksoi se LSI në 12 vite është rritur shumë nga
ana organizative duke dështuar se LSI-ja është partia që ka identitetin e saj,
integritetin e saj po personalitetin e saj, njerëzor dhe politik.

“Dhe duke
biseduar dhe duke u mbledhur në organizatat tona të partisë në bazë të qendrave
të votimit, që para 12 viteve kjo ka qenë e pamundur, ndërsa sot ne i kemi
organizatat jo vetëm në çdo qendër votimi, por i kemi organizatat me
përfaqësues të rinisë, me përfaqësues të gruas, na bën që të marrim më shumë
informacion, por të jemi më pranë problemeve që kanë qytetarët. LSI-ja është
partia që ka identitetin e saj, ka integritetin e saj, ka dhe personalitetin e
saj, jo vetëm politik por edhe njerëzor. Ne nuk kemi marrëveshje me pushtetin,
ne kemi marrëveshje me qytetarin dhe kjo është marrëveshja jonë. Ne jemi në
koalicion me qytetarin në shërbim të tyre dhe për të ardhmen”, – theksoi
deputetja e LSI-së znj. Monika Kryemadhi.