Shezai Rrokaj: Arsimi teposhtë në gjendje të lirë. Ringritja nis me respektin për mësuesin

534
Sigal

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj me anë të një postimi ka reaguar në lidhje me gjendjen e arsimin në vendin tonë, teksa ka shtuar se rënia poshtë e tij nuk ka gjasa të ndërpritet për shkak të keqqeverisjes.

Rrokaj ka shkruar se sipas INSTAT-it nga 43700 mësues në vitin 1991, sot janë 29000; në sistemin 8-vjeçar (sot 9-vjeçar) nga 2200 shkolla në 1991, sot ka 1134. Vetëm këtë vit u mbyllën rreth 150 shkolla për shkak të pakësimit të numrit të nxënësve në disa qarqe. Në raport me vitin 1991 në vitin 2018 ka 260 mijë nxënës më pak. Nga 37 mijë klasa në vitin 1990, sot ka 11 mijë klasa. Po vihet re gjithashtu një rënie të raportit mësues për nxënës në 1 mësues për 17, 8 nxënës nga 1 mësues për 19,1 nxënës që ishte në në 2013. Prej viteve 1990 grupmosha 0-14 vjeç është pakësuar nga 1 milion në 522 mijë.

Deputeti ka vijuar postimin, teksa thekson se ringritja e arsimit nis me respektin te mësuesi.

POSTIMI:

Arsimi teposhtë në gjendje të lirë; Ringritja nis me respektin për mësuesin

Statistikat zyrtare tregojnë se prej vitit 1990 është reduktuar me 35% numri i nxënësve dhe i shkollave, 22% numri i mësuesve dhe 70% numri i klasave.
Sipas INSTAT-it nga 43700 mësues në vitin 1991, sot janë 29000; në sistemin 8-vjeçar (sot 9-vjeçar) nga 2200 shkolla në 1991, sot ka 1134. Vetëm këtë vit u mbyllën rreth 150 shkolla për shkak të pakësimit të numrit të nxënësve në disa qarqe. Në raport me vitin 1991 në vitin 2018 ka 260 mijë nxënës më pak. Nga 37 mijë klasa në vitin 1990, sot ka 11 mijë klasa. Po vihet re gjithashtu një rënie të raportit mësues për nxënës në 1 mësues për 17, 8 nxënës nga 1 mësues për 19,1 nxënës që ishte në në 2013. Prej viteve 1990 grupmosha 0-14 vjeç është pakësuar nga 1 milion në 522 mijë.
Mirëpo, kjo teposhtje nuk ka gjasa të ndërpritet, për shkak të keqqeverisjes që shprehet me mungesën e projekteve zhvillimore, papunësinë masive dhe mungesën e infrastrukturës, sidomos në zonat rurale. Gjithashtu gjendja e rëndë e krimit të organizuar, e trafikimit të narkotikëve, çoroditja institucionale me të ashtuquajturën reformë në drejtësi dhe deformimi i rregullave të tregut, sidomos për fondet publike me të ashtuquajturat PPP, ka shkaktuar një hemorragji të re sociale të braktisjes së popullsisë aktive prej mungesës së shpresës.
Vetëm prej vitit 2013, 157 mijë qytetarë kanë kërkuar azil, duke arritur kulmin në 2015 me 69 mijë. Vitet në vijim kanë rënie të shifrave zyrtare të kërkesave për azil, por ka shumë gjasa që frika e kthimit mbrapsht të ketë rritur numrin e mosdeklarimeve si azilantë. Fenomeni i braktisjes del qartë edhe nga numri i lartë i kërkesave për lotarinë amerikane: nga 173 mijë në 2007, pas vitit 2013 e sidomos në 2018 shifra arriti 367 mijë.
Për t’iu rikthyer çështjes së pakësimit të nxënësve dhe mësuesve, kjo vjen kryesisht nga lëvizja migratore e jashtme dhe brendshme, e cila ka prekur sidomos zonat rurale dhe periferike, gjë që është shoqëruar me krijimin e klasave kolektive në një fazë të parë dhe me mbylljen e shkollave në një fazë të dytë. Për përballimin e këtij problemi MASR ka gjetur si zgjidhje inkurajimin e qendrave urbane për të ndërtuar shkolla si dhe mbylljen e shkollave dhe klasave kolektive, duke i transferuar fëmijët në qendra më të mëdha. Siç dihet kjo gjë që ka krijuar një sërë problematikash që lidhen me largësinë e fshatrave nga njëri-tjetri si dhe kushtet shumë të vështira të infrastrukturës rrugore, mjeteve të transportit apo edhe çështje sociale që kanë të bëjnë me nivelin e varfërisë së këtyre zonave.
Teposhtja e arsimit në rënie të lirë për shkak të këtij emigrimi vihet re me një rritje edhe më të madhe këtë vit ku, prej përkeqësimit të problemeve të akumuluara u regjistruan 34 mijë nxënës më pak se viti 2017 ose 46 mijë nxënës më pak në vitet 2016-17.
Bjerrja masive e nxënësve, mësuesve dhe mbyllja e shkollave, nga njëra anë, dhe rënia e cilësisë, nga ana tjetër, e kanë lënë këtë Qeveri indiferente, duke shpërfaqur si sukses në arsim kinse reforma fasadë apo duke e mbytur arsimin në një demagogji sloganesh. Megalomania e qeverisjeve të fundit për ta ngritur arsimin shqiptar në modele elitare të arsimit botëror, përveçse një truk politik e demagogjik apo naivitet foshnjor për të ndërtuar kështjella në rërë, ka treguar se ato nuk kanë kuptuar se investimi në arsim është nga më fitimprurësit për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Gjithë këto vite është tentuar të ndiqet kinse sistemi arsimor i Finlandës. Por Finlanda zë vendin e dytë në botë për njohuritë e larta të 15 vjeçarëve në matematikë dhe në letërsi, kurse Shqipëria është poshtë mesatares dhe krahasohet me vende të Afrikës dhe Azisë.
Në Finlandë ka cilësi të lartë të mësuesve, sepse 10% më e mirë e gjimanazistëve shkojnë për mësuesi, kurse në Shqipëri shkojnë për mësuesi 20% e gjimnazistëve më të dobët, madje për matematikë dhe biokimi shkojnë 10% më të dobëtit e gjimnazistëve dhe, në raste të tjera, këto degë përballen me mosplotësim kuotash.
Nga ana tjetër, tekstet në Finlandë kanë kombinuar mirë teorinë më praktikën, kurse në Shqipëri tekstet vuajnë nga informacioni i vjetëruar, përsëritjet e panevojshme nga njëri vit në tjetrin dhe nga moszbatimi në mënyrë të efektshme i një reforme digjitale të pretenduar.Tekstet e përkthyera së fundmi nga shtëpi botuese prestigjoze si: Cambridge, Pearson dhe Oxford për shkollat e mesme kanë krijuar konfuzion me programet tradicionale e njohuritë që nxënësit kanë marrë gjatë sistemit 9-vjeçar.
Në dallim nga Finlanda, ku zhvillimit të qëndrueshëm social, si në qendër edhe në periferi, i është përgjigjur me një arsim cilësor si në qendër edhe në periferi, në Shqipëri zonat rurale po braktisen, sepse nuk ka politika të qëndrueshme zhvillimore. Shkollat po mbyllen, duke krijuar disproporcione të theksuara në fushën e zhvillimit dhe të edukimit. Në Shqipëri nuk ka cilësi të njëjtë mësimdhënieje dhe mësimnxënieje për të gjithë nxënësit në të gjitha shkollat e vendit urbane/rurale, nga qendra në periferi. Krijimi i shanseve të barabarta për arsim, si e drejtë themelore në një shtet demokratik, është përkeqësuar ndjeshëm në zonat rurale, kryesisht ato periferike.
Po kështu gjatë këtyre dekadave Finlanda po investon 7% të PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për arsimin, kurse Shqipëria investon deri 3% të PBB-së. Para viteve ’90-të Shqipëria financonte 4-5% të PBB-së, që krahasohej me vendet e OECD-së në atë kohë. Për këtë vit Qeveria po investon vetëm 3.1% të PBB-së, duke mos zbatuar as edhe vetë Strategjinë e saj të Arsimit Parauniversitar (SAPU/2014), ku përcaktohej se investimi në arsim për vitin 2018 e në vazhdim do të ishte 5% e PBB-së. Edhe për vitin e ardhshëm financimi i arsimit duket se do të mbetet në kuotën e 3.1-3.3% e PBB-së, dhe nuk ka gjasë të shkojë përtej 3% edhe për 2020-ën. Financimi i pamjaftueshëm ndikon negativisht në cilësinë e arsimit sidomos në shtresat e pafavorizuara, teksa vendet e rajonit financojnë nga 4-4,5 % të PBB-së. Nga ana tjetër, familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve familjare për arsim në Evropë, që shkojnë nga 1,7% para një dekade në 4,4% të buxheteve të tyre vitin e fundit. Në BE mesatarja e shpenzimeve të sotme familjare është 2,1% kurse vendet e rajonit si: Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina ruajnë një raport midis 0,6-07%, ndërsa Kroacia e ka 1,1%.
Gjithashtu, sipas UNESCO-s, deri 2017 mësimdhënia ka dështuar të nxisë kreativitetin, të menduarin krikik dhe kompetencat digjitale, duke vijuar ende me riprodhimin mekanik të dijeve. Në gati 3 dekada Shqipëria është renditur e 75-ta në botë lidhur me shëndetin mendor të burimeve njerëzore, madje në 2016 humbi 16 pozicione, duke vajtur e 91-ta.
Siç vihet re, në të gjithë treguesit Shqipëria nuk përafrohet as me BE-në, por as edhe me Rajonin. Sakaq, fat të keq, Qeveria nuk heq dorë nga sloganet e fasadat dhe t’i përkushtohet shkollës për ta ngritur si feniksi nga hiri i vet.
Siç theksohet edhe në analizat ndërkombëtare për arsimin në Shqipëri, ringritja duhet të fillojë me rritjen e cilësisë së mësuesve dhe mësimdhënien në shkollë. Ndaj është emergjencë kombëtare të rikthehet tradita ku mësimdhënia dhe mësuesi të shihen si profesion i respektuar. Sot cilësia e tyre e dobët nuk përballon dot reformën kurrikulare, e cila ndryshon nga kurrikula tradicionale riprodhuese apo të mësuarit përmendësh dhe synon disa kompetenca si: mendimi kritik, analiza e informacionit nga burime alternative, që quhet “të mësuarit gjatë gjithë jetës”.
Është emergjencë kombëtare investimi 5% e PBB-së për arsimin. Është po ashtu emergjencë kombëtare një rritje drastike 2-3 herë e pagave në arsim, duke respektuar shkallën e vështirësive qendër-periferi. Është emergjencë kombëtare marrja e nxënësve më të mirë nga gjimnazet për profesionin e mësuesisë, që duhet të stimulohet me paga të larta. UNESCO vitin e kaluar këshilloi Qeverinë që të përdorë më mirë procedurat për emërimin dhe shpërndarjen e mësuesve, për trajtimin e pabarazive në sistemin arsimor, duke propozuar paga shtesë për shkollat e largëta dhe mundësi punësimi për familjarët e tyre.
Siç del edhe në Raportin e Analizës së Politkës Arsimore (APA, 2017), duhet të përmirësohet futja në shkollë e mentorimi i kandidatëve për mësues si dhe nxitja e bashkëpunimit me kolegët apo format e Zhvillimit të Vazhduar Profesional (ZHVP). Gjithashtu duhen rritur investimet në infrastrukturën shkollore me bibliotekën online me internet të dedikuar dhe harmonizimi i kurrikulës së re me burime digjitale alternative të larmishme. Të gjitha këto nisma, por mbi të gjitha vullneti për ta ndryshuar situatën e zymtë të sistemit arsimor, do ta ndalonin teposhtjen fatale me të cilën po përballemi veçanërisht këto vitet e fundit.