Shezai Rokaj: Ataraksia e Qeverisë ndaj qytetarëve

693
Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj ka reaguar me anë të një statusi në Facebook ku shprehet se kuksianët, lumianët, hasianët, tropojanët na rikthyen kujtesën se kur ka një politikë të keqe në një vend qytatarët nuk duhet të braktisin vendin, por t’i thonë ndal politikës së keqe.
Më poshtë statusi i plotë:
Ataraksia e Qeverisë ndaj qytetarëve.
Fjala ataraksi vjen nga greqishtja që do të thotë ‘nuk shqetësohesh, nuk e vret mendjen’. Ishte fjala që më vetoi në mendje, duke iu qasur raportit të Qeverisë me qytetarët.
Me erdhën në kujtesë disa shprehje të Qeverisë, sidomos ajo e ‘bashkëqeverisjes me qytetarët’. Por cila qe ironia e fatit. Qytetarët dhanë votat, ca me hir e ca me pahir, ca me tepsi e ca me kanabis, kurse bashkëqeverisja kaloi nga qytetarët te agallarët ose siç quhen sot po me një fjalë greke ‘oligark’.
Mjafton të përqasim tri PPP me disa TTT… për të kuptuar se si i ashtuquajturi Partneritet Publik Privat me oligarkët po krijon një skemë të mbyllur me të quajturat taksa e tarifa, që po e kërrusin shpinën e qytetarëve. Tvsh-ja mbi biznesin e vogël, që u kufizua nga 5 milionë në 2 milionë po sjell mbylljen e tyre me mbi 3600 nga 2500, vitin që shkoi, ose me një rritje gati 50%.
Filloi taksa e banesës, taksa e ujit dhe një tarifë çmendurake si ajo e Rrugës së Kombit. Kjo është një marrëdhënie në kesh ku TTT-të e qytetarëve shkojnë për PPP-të e oligarkëve. Por ka edhe një mënyrë kleringu të shkëmbimit të përfitimeve. Bie fjala, oligarkët marrin 6 kulla në qendër të Tiranës në këmbim të një biçim teatri, ose një stadium që mban mbi krye një qiellgërvishtëse. Qeveria nuk pyet nëse këto janë zona të mbrojtura. Hiç nuk pyet nëse FMN-ja e quan kërcënim për ekonominë shqiptare skemën ‘eldoradiane’ të tri PPP-ve, sepse rrit borxhin e brendshëm dhe ka paqartësi në llogaritjet kosto-përfitim.
Po ku janë qytetarët për Qeverinë?
Ata po ikin prej varfërisë dhe mungesës së shpresës. Sipas Bankës Botërore 25% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 2$ në ditë dhe 45% e tyre me më pak se 5$ në ditë. Pabarazia sociale është rritur me 7,7%, ku 10% e familjeve të pasura kanë rritje në konsum me 14 herë më shumë se 90% e familjeve të varfra. Kjo do të thotë se taksat dhe tarifat nuk po shkojnë për mirëqenien e qytetarëve, por për të mbushur xhepat e oligarkëve. Ataraksia e Qeverisë për qytetarët po shoqërohet me një ‘genocid’ të butë: hemoreagjinë kombëtare nëpërmjet eksterminimit ekonomik të popullit prej truallit të vet.
Por kuksianët, lumianët, hasianët, tropojanët na rikthyen kujtesën se kur ka një politikë të keqe në një vend qytatarët nuk duhet të braktisin vendin, por t’i thonë ndal politikës së keqe.
Sigal