Sherr në kuvend për ‘Administratën’. Berisha Ballës: Je përdhunues i faktuar! Balla: Po i lini dhe burrat shtatzënë.

488
Sigal

Dështon ngritja e komisionit. Kryeparlamentari Ilir Meta fton palët për konsensus, shtyhet për javën tjetër votimi

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka vendosur që ngritja e komisionit hetimor për largimet nga administrata, propozuar nga PD-ja, të votohet të enjten e ardhshme, pasi të bihet dakord ndërmjet grupeve parlamentare të majta dhe të djathta për zgjerimin e objektit të hetimit: nga viti 2009-ta siç kërkon maxhoranca ose jo. Kurse, projektvendimi për largimet në polici u miratua me 72 vota pro dhe 1 kundër. Por, vendimi për ngritjen e Komisionit Hetimor për Administratën është kundërshtuar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka dhe deputetët e djathtë. Ngritja e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në administratën shtetërore hapi dje shumë polemika në parlament. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzoi Kryeministrin Rama se ka bërë pakt me kriminelët për të rrëzuar PD-në në 23 qershor. Sipas Bylykbashit, Kryeministri po paguan tani çmimin e paktit të bërë gjatë zgjedhjeve, duke i dhënë pushtet krimit në administratën publike. Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi u shpreh dakord në parim për ngritjen e një komisioni të tillë, por kërkoi zgjerimin e hetimit parlamentar për ligjshmërinë e emërimeve në administratën publike, duke e shtrirë nga viti 2009 deri në 2014.

Ja disa nga debatet:

Vasili: Zgjerim të objektit të hetimit për emërimet në administratë!

Në vijim të diskutimeve, kryetari i grupit parlamentarë të LSI, Petrit Vasili, duke folur për komisionin hetimore, tha se: “në debatin përmbyllës të diskutimit, për komisioni hetimorë për të pushuarit nga puna në administratë publike, komision ka dakordësinë për t’u ngritur dhe të filluar funksionimin. Kemi pasur një dasi dhe diferencë, lidhur me objektin e kësaj çështje. Do të theksoja se në radhë të parë ky komision dhe komisionet hetimore janë një atribuoi i opozitës. Besoj që kjo është një tezë politike, që s’na çon askund, padyshim është atribut i opozitës, është instrument i patjetërsueshëm i saj. Por, nuk mundet të jetë element ekskluziv i saj, sepse në fund të fundit, ky komision duhet të bëhet në bashkëpunim mes palëve”.

Berisha-Bushatit: S’ke dhunti diplomatike. Topalli: Je hipokrit!

Ish kryeministri Berisha akuzoi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati se, po emëron diplomatë njerëzit e tij dhe po largon ata me përvojë. Sipas Berishës Bushati nuk ka dhunti diplomatike. Pas Berishës akuza ndaj Bushatit ka hedhur edhe deputetja Jozefina Topalli. Ajo e ka cilësuar ministrin e Jashtëm hipokrit. Ndërsa ministri Bushati i është drejtuar Topallit, duke i thënë se nuk po i tregon as këtë herë disa fakte që kanë lidhje me të.

Berisha: Kreu i ekzekutivit dhe ministri i jashtëm bënë bruto figurë në vizitat e tyre se përjashtuan ambasadorët nga shoqërimi dhe takimi. Nuk ka ndodhur kurrë që kryeministri dhe ministri i jashtëm shpall armik ambasadorin e tij. Këtë e bëjnë vetëm ata që me psikologjinë e neohoxhistëve dhe besojnë vetëm te neobllokmenët. Pse u emërua ky ministër i jashtëm? Kishte aktivitet diplomatik apo dhunti? Zero. Kishte diplomat të shumtë kjo maxhorancë, po nuk kishin lidhje gjaku me bllokmenët. Kur dalin të përgjigjen këtu të përgjigjen për faktet dhe jo të përrallisin kodra mbas bregut.

Topalli: Nuk ka një ministër të Jashtëm në 24 vite që të ketë thënë opozitës kriminale është e pa imagjinueshme. Dhe kur një ditë pasi për herë të tretë i jepet raporti për statusin kandidat. Për çfarë jemi kriminalë ne; se jemi në NATO, se kemi bërë rrugë, se rrisnim rrogat? Si mund të jetë kaq i papërgjegjshëm një ministër i Jashtëm? Në cilën botë jeton ti Ditmir? Apo je në botën e ireales? Cila është e vërteta ajo që tha kryeministri apo ajo që zhgërryheshit rrugëve për të hapur kutitë? Hipokrizia është vesi më i keq i të gjitha veseve. Ti nuk je vetëm hipokrit, ti je dhe më keq.

Bushati: Nuk kam ndërmend të lexoj mesazhet e disa ambasadorëve që i drejtoheshin x vajze apo x djali. Kujdes kur hyni në histori personale të njerëzve, kur i përmendni këtu.

Raporti i KE, Bregu-Bushatit: Alarm për drogën! Bushati: Skuqemi me gjyqësorin!

Vendimi i Komisionit Europian për statusin kandidat nuk ka mbetur jashtë diskutimeve të seancës së sotme plenare. Deputetja, Majlinda Bregu, i ka kërkuar qeverisë të lexojë mirë raportin e KE-së. Sipas saj, kjo qeveri nuk po e lufton drogën dhe krimin e organizuar dhe këtë e tregon edhe fakti që për herë të parë droga në raport është vendosur si prioritet më vete. “Nuk po e sfidoni dhe nuk po e luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar duke ja varur ujkut mëlçitë në qafë. Droga nuk ka qenë përcaktuar ndonjëherë si prioritet më vete. Për herë të parë në raportin më të mirë juve ju ngrihet një detyrim i ri çështja e luftës kundër drogës. Ka një fjali në këtë raport që doni ta përdorni si flamur të arritjeve tuaja madhore ku thuhet se duhet të forcohet dialogu me opozitën”- u shpreh Bregu-se nuk dihet si do jetë fundi. Është hera e dytë që s’po ta përmend Jozefinë, por po ta lë për një herë tjetër.

Berisha: Ata 50 e ca diplomatë që i kapi fshesa klasore e Bushatit janë burra dhe gra, djem e vajza që dhanë një kontribut historik në anëtarësimin në NATO, por urrejtja, verbëria të bëjnë ty dhe bosin tënd të mohosh çdo gjë. Urrejtja juaj është e pakufishme. Do heqësh ata dhe do fusësh kushërinjtë. Do i marrësh nga sirtarët për të plotësuar vendet. Ai vend nuk t’u dha ty sepse kishte dhunti diplomatike.

Majko: Opozita po keqpërdor të drejtën për komision hetimor

Deputeti socialist Pandeli Majko akuzoi opozitën se po keqpërdor të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Sipas Majkos, PD po kërkon komision hetimor për çdo gjë që nuk e pëlqen politikisht. “Opozita ka kërkuar shtate herë në shtatë muaj ngritjen e 7 komisioneve hetimore. Objekti i këtyre kërkesave është shumë i larmishëm. Nuk duhet të shpërdorojmë të drejtën kushtetuese për të ngritur komision hetimor. Opozita po kërkon komision për çdo gjë që nuk pëlqehet politikisht, po e kthen kuvendin në një institucion ndrikullash.”- deklaroi Majko.

Balla: Po i lini dhe burrat shtatzënë. Berisha: ti je përdhunues i faktuar!

Akuzat e PD-së ndaj kryetarit të Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj kanë përplasur në Kuvend ish-kryeministrin Berisha dhe deputetin Taulant Balla.

Deputeti socialist akuzoi opozitën, veçanërisht zotin Berisha, për shpifje, duke thënë se, “po i lë edhe burrat shtatzënë”. Reagimi i ish-kryeministrit ka qenë tepër i ashpër, duke pretenduar se disponon fakte e pamje që e përfshijnë deputetin Balla në një përdhunim.

Berisha: Dje kryeskafistin e Vlorës e lartësuat në kryetar qarku, sepse Vlora më thotë mua i ka dhënë Koços 100 mijë euro. Gazetat italiane e akuzojnë për këtë, këtë, këtë.

Balla: Në këtë foltore thuhen shumë lloj shpifjesh, njëri sigurisht mban rekordin. Po i lini burrat shtatzënë dhe po i fyeni njerëzit me asnjë lloj të drejte. Zoti ish-kryeministër që kujton se do çdo lloj informacioni vetëm kuantin tënd nuk e dije çfarë bënte e për të tjerët dini gjithçka. Meta: Ju lutem zoti Berisha mos ofendojmë njëri-tjetrin. Ai nxori një dokument.

Rendi i ditës

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 29.05.2014.

2. Projektligj “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar”.

3. Projektligji “Për Autoritetet dhe Pushtetet e Drejtimit e të Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

4. Projektligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e punës së institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2013”.

6. Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore”.

7. Raport i komisionit hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit”.