Sherefedin Shehu: Vëllai i ministrit Gjiknuri, do të hetohet edhe për ndërhyrjen që bëri në serverin e tatimeve

794
Parlamenti pardje miratoi me 73 vota ngritjen e komisionit hetimor për serverin e Tatimeve, duke vënë nën akuzë vëllain e ministrit Gjiknuri, Panajot Gjiknuri, i cili siç dihet, menjëherë pas zgjedhjeve të 2013, i paautorizuar ka shkuar në DPT dhe ka prekur serverin e Tatimeve. Deputeti Sherefedin Shehu, anëtar i këtij komisioni hetimor parlamentar, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se misioni i vëllait të ministrit Damian Gjiknuri në serverin e DPT është që të marrë të dhënat tatimore për të ushtruar presion ndaj bizneseve armike dhe për të favorizuar bizneset e miqve të politikanëve. Sipas deputetit Shehu, emërimi më pas i Panajot Gjiknuri në krye të IT të ministrisë së Financave është një shpërblim për kontributin që dha në manipulimin e të dhënave tatimore nga serveri në PDT. Deputeti Shehu thotë se komisioni hetimor parlamentar do të hetojë edhe, nëse tani vëllai i ministrit Gjiknuri ka mundësi që të ndërhyjë në serverin e tatimeve, duke qenë në krye të IT të ministrisë së Financave. 
-Zoti Shehu, Komisioni hetimor, që u miratua pardje nga Kuvendi, “Për kontrollin e zbatimit të legjislacionit për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore” çfarë do të hetojë?

– Ky komision ka për qëllim që të verifikojë nëse veprimet e ndërmarra më herët dhe që janë parë publikisht për ndërhyrjet në serverin e DPT janë të ligjshme, apo jo. Ne si opozitë kemi kërkuar ngritjen e këtij komisioni, pasi kemi dyshimet e arsyeshme që është ndërhyrë në serverët e DPT, për të bërë manipulime, si edhe për të marrë informacione mbi tatimpaguesit, të cilat me ligjin “Për procedurat tatimore” konsiderohen si konfidenciale. Kjo na bën neve që të shikojmë çfarë ka ndodhur realisht nga ajo që kemi parë në videot e transmetuara publikisht, dhe më tej ne do të thellohemi edhe në keqpërdorimin e mundshëm të këtij informacioni. 
– Ku dyshoni ju, se përse është përdorur informacioni i marrë nga serverat e DPT? 

– Ne dyshojmë se ky informacion i marrë jashtë çdo procedure ligjore, është përdorur për dy qëllime. Së pari, për të bërë favore për tatimpagues të caktuar, duke ju fshirë të dhënat nga sistemi i detyrimeve tatimore, ose për të bërë rimbursime të paligjshme, qoftë nga shuma, apo edhe nga radha e kryerjes së pagesave, por edhe për t’i përdorur për t’i bërë presione në biznese të tjera që konsiderohen si jo mbështetëse e qeverisë. 
– Ndërkoha e 2 vjetëve, derisa u miratua ky komision hetimor, do të ndikojë në manipulimin e provave, të dyshimeve që keni ngritur atëherë?

– Jo, nuk e kanë humbur as vlerën dyshimet që kemi ngritur që atëherë. Kemi raste deri tani që tregojnë sjellje preferenciale ndaj një grupi tatimorësh, gjë që është provuar edhe në mekanizma dhe raste të tjera. Ne këtë do ta përforcojmë nëpërmjet hetimit parlamentar. Megjithatë, ka një të vërtetë, që është vonë. Ne këtë të drejtë të komisionit hetimor e kemi fituar në Gjykatën Kushtetuese, sepse fillimisht Kuvendi e rrëzoi kërkesën tonë. Edhe mund të jenë të mundshme përpjekjet që të fshihen gjurmët e manipulimeve të fakteve, por ne si komision kemi të drejtë që të thërrasim edhe specialistë, e kjo do të jetë një çështje e specialistëve në teknologjinë e informacionit. Ne do të operojmë edhe duke thirrur personat e dëmtuar, ose që kanë patur pasoja, në marrëdhëniet me administratën tatimore. 
– Zoti Shehu, personat që ndërhynë në server ishin të paautorizuar. A lind që këtu dyshimi?

– Po, sepse ne do hetojmë ligjshmërinë e të gjithë procesit dhe arsyeja e këtij komisioni parlamentar është se pikërisht, në server të DPT u panë njerëz të paautorizuar. Ne do të sqarojmë publikun për shkeljet ligjore, qoftë procedurale, qoftë edhe të personave që ndërhynë në server, dhe pastaj kjo do të hetohet në të gjitha planet, jo vetëm në shkeljet e privatësisë, por edhe sepse në Shqipëri përdoren metoda joligjore për të bërë presione mbi bizneset, etj. 
– Politikisht, a është problem që vëllai i ministrit Gjiknuri, të futet në serverin e DPT i paautorizuar?

– Këto fakte, natyrisht shtojnë dyshimin, që këtu njerëzit u zgjodhën të ndërhynin në serverin e DPT, jo vetëm për ekspertizën, por edhe për garancinë për të realizuar qëllimin e atyre që e urdhëruan atë ndërhyrje në serverin e DPT. Sepse ne mendojmë paraprakisht që ndërhyrja në serverin e DPT ishte i urdhëruar dhe ka pasur një qëllim të paracaktuar. Dhe ata që ndërhynë ishin një grup njerëzish që e njohin fushën e informacionit të tatimeve, por janë edhe njerëzit e besuar politikisht. Unë e shikojë që ata njerëz janë një grup afër kryeministrit, dhe iu besua njeriut të besuar (Gjiknurit). 
– Është paskëtaj rastësi, që Panajot Gjiknuri, vëllai i ministrit Gjiknuri, që ndërhyri i paautorizuar në serverin e DPT, më vonë të emërohet këshilltar i ministrit të Financave, Cani?

– Jo, nuk është rastësi. Kuptohet që vëllai i ministrit ka qenë një njeri i besuar në të gjithë planet, edhe për formimin teknik që ka për informatikën, edhe është i besueshëm politik, dhe emërimi i Panajot Gjiknurit në krye të IT-së në Ministrinë e Financave është bërë për të vazhduar planin e nisur në marrjen e të dhënave nga serveri i DPT. Është e kuptueshme që familja Gjiknuri është e preferuara e kryeministrit. 
– A është i ekspozuar politikisht vetë ministri Gjiknuri, nga prania e vëllait të tij në ndërhyrjen në serverin e DPT, si njeri i paautorizuar?

– Ne e shikojmë këtë fakt si një preferencë familjare, në raportet që familja Gjiknuri ka me qeverinë. Qeveria e rilindjes funksionon me lobe, me familje të besuara dhe jo me standarde siç i kërkon administrimi i shtetit. Fakti që Damian Gjiknuri është ministër dhe pastaj vëllai i tij çohet me shërbime sekrete, të kundërligjshme, do të thotë që janë njerëz shumë të afërt të kryeministrit dhe këta njerëz paskëtaj, janë të besueshëm edhe për aferat që do bëjë dhe bën vetë ministri. 
– Zoti Shehu, ju jeni optimist që ky komision hetimor për serverin e tatimeve në DPT do ta realizojë qëllimin?

– Komisioni hetimor do ta përfundojë punën e tij me nxjerrjen e një raporti dhe më tej janë strukturat e shtetit që duhet ta përdorin këtë raport. Unë dështimin mund ta shikoj te mosmarrja në konsideratë të gjetjeve dhe të raportit hetimor të këtij komisioni parlamentar. 
– A ka kopje të të dhënave tatimore, përveç atyre që janë regjistruar në serverin e DPT?

– Sipas standardeve të menaxhimit të informacionit teknologjik duhet të ketë një sistem që duhet DEC AP, sistem mbështetës, ose sistem i dytë. Sipas rregullave ndërkombëtare duhet të ketë edhe ruajtje me shirita në vende jashtë vendosjes fizike të serverit. Nuk i di me detaje, por këto do t’i mësojmë, nëse ka DPT sistem të dytë mbështetës të të dhënave. 
– Panajot Gjiknuri, ende është këshilltar i ministrit të Financave dhe mund të ndërhyjë në të dhënat e serverit të DPT në çdo çast. A duhet të dorëhiqet, për më tepër që ju do ta hetoni?

– Do ta shikojmë nga roli që ka luajtur në procesin e marrjes së të dhënave në serverin e DPT. Nëse ka rol në manipulim dhe fshehje të të dhënave të serverit të DPT, patjetër, që ne do të vëmë parakusht përjashtimin e vëllait të ministrit Gjiknuri. Emërimi i vëllait të ministrit Gjiknuri në krye të IT-së në Ministrinë e Financave shikohet si një shpërblim i kontributit që dha dhe si një dorë aty brenda për ta keqpërdorur informacion që mori nga serveri i DPT, sepse qëllimi i marrjes së informacionit nga serveri ka qenë keqpërdorimi për të sulmuar bizneset armike dhe për të favorizuar bizneset e miqve. Nëse vëllai i Gjiknurit ende ka akses në marrjen e të dhënave nga serveri i tatimeve, kjo dot ë thotë që konfidencialiteti nuk ekziston më. Këtë do ta hetojmë edhe me specialistët. Nëse këto dyshime vërtetohen, do të thotë që serveri i DPT nuk ka më privatësi. 
– Faleminderit!
Sigal