Sherefedin Shehu: Mrekullitë e Ramës e kanë bishtin prapa

597
Në kohën e komunizmit, kur ndonjëri humbiste jetën aksidentalisht në punë, të ndjerin e bënin hero të “punës socialiste” dhe, që të harrohej humbja e tij/saj, shpikej një aksion duke përdorur parullën “Një bie, mijëra ngrihen”. Këtë parullë po na e kujton Rama me mrekullitë imagjinare që po premton pas zhvatjes së kompanisë strategjike, ARMO. Përveç shumë kantiereve që do të hapen me gropën e madhe financiare “1 Miliard Euro”, ditët e fundit po na tregon mrekullinë e Aeroportit “gjigant” të Vlorës. 

Por, deri më sot, mrekullitë e Ramës kanë qenë dështime dhe metoda për zhvatjen e shqiptarëve. Mediat po na rikujtojnë se si u mburr Rama para 3 vitesh, kur na tha se e zgjidhëm problemin e ARMO-s me një “investitor serioz amerikan”, ndërsa sot, kur doli se ai amerikani që zhvati ARMO-n na qenka një mik i Ramës, shqiptar, nuk thotë një fjalë për të ardhmen e qytetarët që i falën jetën ARMO-s ose të paktën të kërkojë ndjesë për mashtrimin. Kjo nuk të habit, sepse ishte Rama që kontraktoi për 13 milionë euro “Crown Agents”, që gjoja do të bënin zap doganat, dhe pas dy vitesh i përcolli me 7 milionë euro në xhep pa bërë asgjë. Më pas kontraktoi firmën e Chery Blair për të prishur kontratën e qeverisë me firmën “Rapiscan” dhe i dhuroi 700 mijë euro vetëm pse i tha tërhiqu se gjyqin e ke të humbur. Ose CEZ-in, që na kishte borxh 700 milionë Euro, nuk e çoi në arbitrazh, por e përcolli duke i dhururar 110 milionë euro.

Me këto dhe të tjera që kemi parë, mrekullia e fundit, Aeroporti i Vlorës, as nuk do të sjellë begatinë e Shqipërisë dhe as nuk do të jetë gjigant. Pa filluar akoma, ky aeroport na ka kushtuar 100 milionë euro. Për të drejtën e hapjes së Aeroportit të Kukësit, që Rama nga inati nuk do ta hapë sa të jetë në pushtet, koncesionarit të ri të Rinasit, kinez se gjermanët i përzuri, iu zgjat afati i kontratës për 2 vjet, që i kushtojnë buxhetit të shtetit 30 milionë euro dhe shqiptarëve biletat më të shtrenjta në botë. Për të drejtën e hapjes së aeroportit të dytë, që është ky i Vlorës, koncesionarit i zgjatet kontrata edhe për 4.5 vite të tjera që na kushtojnë të paktën 70 milionë euro dhe do vazhdojmë të kemi biletat më të shtrenjta në botë. Pas përfundimit të aeroportit të Vlorës, ne do të paguajmë për gjithë jetën. Ministri i Ramës nuk dha asnjë shpjegim për koncesionin se gjoja na qenka “sekret tregtar”, por tha se do të ketë rreziqe “të vogla”. Dhe rreziku më “i vogël” është garancia e fitimit që Rama do t’i japë me ligj “shoku mikut” të tij investitor edhe nëse në aeroport nuk të ulet asnjë aeroplan. Dhe që në të nuk do ulet asnjë aeroplan është e sigurt. Ky aeroport nuk është ndërkombëtar (ndoshta Rama ka ndërmend që ta bëjë, por ka frikë që ta thotë) dhe rrjedhimisht do të konkurrohet nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i Shqipërisë, që është vetëm 100 km larg tij. Ndërtimi i tij nuk bazohet në ndonjë studim fizibiliteti, por vetëm në garancinë e qeverisë për fitimin e kompanisë, pavarësisht sa do kushtojë. Sot kemi aeroportin e Kukësit që ofrohet falas dhe nuk e merr askush. Dhe, infrastruktura turistike dhe standardi i turistëve që vizitojnë Shqipërinë nuk mundësojnë fluturimet “Charter”. Kështu, aeroporti madhështor që na servir Rama do të na shtojë vetëm varfërinë. Kësaj i thonë të na rrojë Rama se ne jemi mësuar me të keqen. Megjithëse e kemi pësuar nga bëmat e tij, prapë vazhdojmë ta “duam” atë, ndoshta sepse nuk shikojmë ndonjë zgjedhje më të mirë.
Sigal