Sherefedin Shehu: Ja si dalin paratë jashtë llogarive të Thesarit për të paguar kontrata klienteliste

57

Flet Sherefedin Shehu, deputet i Partisë Demokratike: Ju tregoj skandalet me investimet në shëndetësi dhe abuzimet e ministrit Beqaj me letër-kreditë

6 është numri i kontratave që ka mbyllur vetëm ministri i Shëndetësisë Beqaj (pasi numri është akoma më i madh nëse do të llogariteshin të gjitha institucionet shtetërore) nëpërmjet letër-kredive në ditët e fundit të vitit 2014. Ky është skandali që ka zbuluar në një intervistë për gazetën “Telegraf” deputeti i Partisë Demokratike, z. Sherefedin Shehu. “Këto kontrata janë për mallra që nuk janë lëvruar gjatë vitit buxhetor dhe paratë kanë shkuar në llogaritë e klientëve pa u marrë mallin”, shprehet z. Shehu. Pra, letër-kredia nuk është përdorur nga ministri Beqaj si instrument garancie, po është përdorur si instrument pagese për klientë (kompani) afër qeverisë. Gjithashtu deputeti i PD-së tregon se sistemi shëndetësor vuan për menaxhim. Ai jep dhe modelin e duhur për të vënë themelet e një shërbimi shëndetësor drejt standardeve europiane.

Z. Shehu, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ju keni akuzuar ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj se paratë për investime i ka ngurtësuar në banka dhe po bën pazare me to. Çfarë do të thotë kjo dhe ku mbështeteni ju për këtë akuzë?

Këtë akuzë ne e mbështesim në faktin që realizimi i investimeve në muajin dhjetor është 40 % e totalit të vitit, që do të thotë se në fund të nëntorit ne kemi pasur realizim të gjithë investimeve të vitit në masën 66 %, ndërsa në fund të vitit kemi realizim të investimeve në masën gati 95-96 %, pra gati rreth 40 % të investimeve të vitit janë realizuar për një muaj, gjë që praktikisht është e pamundur. Për këtë qëllim, qeveria ka lidhur kontrata në muajin e fundit të vitit, madje dhe në 31 dhjetor janë lidhur 7 kontrata. Por më e keqja është, se, së pari, qeveria këto kontrata i ka lidhur në nxitim e sipër, në mënyrë klienteliste dhe jo duke zbatuar procedura prokurimi dhe, e dyta, që lidhet dhe me pyetjen tuaj, ka të bëjë me faktin se qeveria i ka ngurtësuar paratë jashtë Thesarit, në banka, për punë të pakryera. Kështu që qeveria në mënyrë artificiale ka rritur realizimin e investimeve, (pra, në mënyrë fiktive), por problemi nuk qëndron këtu, por te fakti se ne dyshojmë për afera, për pazare midis ministrave dhe kontraktorëve, sepse kemi të bëjmë me një kontratë që lidhet në ditën e fundit të vitit, (madje, sipas vlerësimit tonë, këto kontrata mund të jenë lidhur edhe në janar, sepse autorizimi për të lidhur kontratën me formën e ngurtësimit të parave jashtë llogarive të Thesarit apo letër-kredia është sheshuar në 31 dhjetor, teknikisht nuk ka pasur kohë për të bërë negociata dhe për të proceduar me nënshkrimin e kontratës). Kështu që, ne shikojmë dy plane: që qeveria gënjen dhe manipulon shifrat për të rritur në mënyrë fiktive vëllimin e investimeve, por, në këtë këndvështrim, paratë rrinë jashtë llogarive të Thesarit dhe nuk ndikojnë në zhvillimin ekonomik, apo në punësimin e shqiptarëve; por më e keqja është që qeveria, duke i nxjerrë paratë jashtë llogarive të Thesarit ka hequr qafe dhe një mekanizëm kontrolli, siç është mekanizmi i sistemit të thesarit. Kjo përkthehet se institucionet përgjegjëse që zbatojnë projektin nuk do të shkojnë më në thesar për të paraqitur dokumente që vërtetojnë kryerjen e shpenzimeve, punëve, apo marrjen e mallrave, shërbimeve nga palët e kontraktuara. Tashmë, kjo ngelet një marrëdhënie e dyshimtë, si në momentin e fillimit kur është lidhur kontrata, edhe në procesin e realizimit të kontratës, një marrëdhënie midis ministrisë që ka lidhur një kontratë të dyshimtë apo klienteliste. Por ne e shikojmë dhe në një aspekt tjetër këtë. Pra, përveç faktit që mund të ketë abuzime për mënyrën se si është kontraktuar, përveç faktit që humbet kontrolli në procesin e zbatimit, qeveria i ka shpërndarë këto para në ditën e fundit të vitit. Në 29 dhjetor ka bërë një akt normativ dhe, për këtë qëllim, për të realizuar këto shpenzime apo për të ngurtësuar këtë para, qeveria ka marrë një borxh, që do të thotë është rritur borxhi publik për para që flenë në llogari jashtë sistemit të thesarit dhe këtu kostoja është e dyfishtë se në kushte normale ky borxh nuk duhej marrë, në kushtet kur merret është e kuptueshme që dyfishohet kostoja e tij. Pra, një borxh që nuk duhej marrë, është marrë dhe nuk jep ndikim në zhvillimin ekonomik apo në punësimin e qytetarëve.

Gjithashtu, ju përmendët një nocion atje në Komision, e pikërisht “letër-kreditë”. Çfarë do të thotë ky koncept dhe për të shkuar më tej, si i ka përdorur ministri Beqaj letër-kreditë për favore klienteliste? Si funksionon?

Letër-krediti është një formë garancie, që do të thotë; dy palë që hyjnë në marrëdhënie kontraktuale. Pala që furnizon mallrat apo shërbimet i kërkon një garanci palës e cila ka porositur, siç është Qeveria në rastin konkret dhe kjo bëhet në një formë, që quhet çelje e letër-kreditit që është një kredi dokumentare, një farë kontrate dhe jo depozitim i parave dhe kjo shërben si garanci që ofruesi i malit apo shërbimit, i ka të garantuara lekët nëpërmjet mekanizmit të çeljes së letër-kredisë. Ndërkohë, në mes (apo çelësi i letër-kreditit) është banka, e cila e bën këtë kundrejt një tarife që mund të paguajë qeveria apo Ministria e Financave dhe i jep garanci palës tjetër që kundrejt kryerjes së shërbimit të paraqesë faturën dhe banka të kryejë pagesën, e cila më pas i paguhet nga qeveria. Çfarë ka ndodhur në rastin konkret? Letër-kredia nuk është përdorur si instrument garanci, po është përdorur si instrument pagese. Qeveria ka çelur letër-kredi duke ngurtësuar para për llogari të klientëve konkretë dhe ka çel për çdo ministri që ka bërë këto shpenzime, ose më saktë këto kontrata, (se shpenzimet s’janë bërë në fund të vitit), të hapin llogari në banka të ndryshme të Shqipërisë. Dhe ministria e Shëndetësisë ka 6 raste të tilla, që do të thotë se ka lidhur kontrata. Këto kontrata janë për mallra që nuk janë lëvruar gjatë vitit buxhetor dhe paratë kanë shkuar në llogaritë e klientëve pa u marrë mallin, (më tej ka vazhduar ose mund të vazhdojë të vijë malli), por ne nuk kemi informacion për ecurinë e mëtejshme të zbatimit të kontratave, pasi siç e thashë dhe më herët, nëpërmjet këtij mekanizmi ka bërë ngurtësimin e parave për vlerën e plotë të kontraktuar të shërbimit apo mallit dhe jo për vlerën e ofruar apo të lëvruar të mallit apo shërbimit, prandaj ne e konsiderojmë si abuzive. Por ne vazhdojmë këtë proces, ne kemi kërkuar informacion analitik për të gjitha kontratat, por deri tani Ministria e Financave na ka sjellë vetëm urdhrat që ka lëshuar dhe kërkesat e ministrive për lëshimin e urdhrave për përdorimin e letër-kreditit, si instrument pagese për të ngurtësuar paratë. Ne tani po e thellojmë procesin dhe kemi kërkuar nga çdo ministri kontratat që të shohim përfituesit, se nëpërmjet përfituesve ne mund të identifikojmë kompanitë që janë afër qeverisë dhe, paraprakisht, vetëm nga emri ne mund të konkludojmë se pse është bërë ky mekanizëm dhe ndërkohë do të argumentojmë më tej që ky mekanizëm është përdorur për nevoja të rëndësisë të veçantë, ndryshe nga ajo që pretendon qeveria dhe, në fakt, janë lidhur disa kontrata me ngut në ditën e fundit të vitit, për qëllime përfitimi.

Ju keni akuzuar ministrin Beqaj se i ka nxjerrë paratë nga thesari dhe po i mban nëpër banka. Çfarë nënkupton kjo akuzë?

Kjo akuzë nënkupton këtë që sapo shpjegova, për përdorimin e letër-kredive për nevoja gjoja të rëndësisë së veçantë, por, në fakt, këto kanë qenë për ambulanca, pajisje mjekësore, këtu është dhe helikopteri. Këto mallra dhe shërbime nuk janë të rëndësisë së veçantë, se janë mallra të zakonshme që porositen dhe gjenden në treg, në mënyrë të rëndomtë dhe duhej të ishin blerë nëpërmjet një procedure transparente gjatë gjithë vitit buxhetor dhe jo në ditët e fundit të vitit. Fakti që këto veprime janë blerë në ditët e fundit të vitit është i dyshimtë për ne dhe fakti tjetër që e përmenda dhe më lart këtu, ka pazare, se klientët i kanë marrë paratë pa sjellë mallin dhe pa kryer shërbimin dhe ne dyshojmë, (gjë që do ta vërtetojmë kur të marrim kontratat për secilin mall apo shërbim), jo vetëm që s’ka pasur transparencë, por ka pasur dhe pabarazi në tendera, që do të thotë që përdorimi i letër-kredisë nuk ka qenë një nga kushtet e ofruara në procesin e tenderimit, por është kërkuar në procesin e lidhjes së kontratës, madje ka pasur dhe raste që autorizimi për përdorimin e letër-kredisë është marrë, pasi është lidhur kontrata. Ka një pikë në udhëzimin për zbatimin e buxhetit që thotë se “ngurtësimi i parave është i ndaluar, por në raste të veçanta me autorizim të ministrit të Financave mund të ngurtësohet një shumë parash e barabartë me garancinë që ka dhënë ofruesi i shërbimit” dhe ti ia mbulon garancinë, “por jo më shumë se 10 %”. Ndërsa, në këto raste është paguar 100 %, pra, janë paguar lekët për kontratën e plotë, pa u bërë puna. Në bazë të udhëzimit “pagesa me letër-kredi mund të bëhet, kur gjykohet e rëndësishme vetëm dhe me autorizim të ministrit të Financave. Me këtë mënyrë, në vazhdimësi, duhet të merrni masa që konfirmimi nga ministri i Financave të realizohet para lidhjes së kontratave të rëndësisë së veçantë”.

Edhe pse po miratohen kredi dhe fonde miliona euro, në fakt, asgjë nuk po ndryshon përsa i takon kushteve, pajisjes me aparatura mjekësore, apo dhe shërbimit shëndetësor në spitalet tona? Ku shkojnë në fakt këto para? A po investohen aty ku duhet?

Në mjekësi ka një problem themelor që është menaxhimi i shërbimit shëndetësor, që do të thotë; në sistemin publik shëndetësor nuk ka konkurrencë, njerëzit shkojnë vetëm për kontakte me mjekët dhe vizita bëhet në klinikat private që kanë mjekët apo diagnostikimet nëpër aparatura që janë në klinikat private. Kështu që në QSUT ka pajisje moderne të blera me paratë e tatimpaguesve që flenë nëpër magazina dhe një pjesë mund të jenë dhe jashtë përdorimit për dy arsye; arsyeja e parë: që dikur ka munguar personeli i kualifikuar dhe, e dyta: mungon mekanizmi që detyron, apo që krijon konkurrencë dhe rrit cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe, pikërisht, kjo më bën mua të them se problem i shërbimit shëndetësor është mungesa e menaxhimit. Qeveria ka folur për shërbim shëndetësor falas, mirëpo, e para, nuk ka ku të paguhen taksat dhe, e dyta, do kemi një shërbim shëndetësor të ashtuquajtur falas, sipas qeverisë, por nuk garanton standardin më minimal të shërbimit, se është një sektor që nuk ka përgjegjshmëri (nëse pacienti nuk trajtohet mirë apo vdes, në Shqipëri nuk mban kush përgjegjësi se nga kush dhe si erdhi kjo). Ne kemi një sistem të bazuar në kontributet e sigurimeve shëndetësor që nuk e mbulojnë të gjithë koston e shërbimit shëndetësor, por ka një fakt: shtresa e mesme dhe e pasur paguajnë kontribute, por nuk i përdor asnjëherë, se kurohen në klinikat private për të hequr angarinë dhe për të evituar standardin e ulët të shërbimit shëndetësor në institucionet publike. Cili është mekanizmi? Njerëzit duhet të zgjedhin lirisht shërbimin shëndetësor, kontributi duhet të jetë i përdorshëm si në shtetëror ashtu dhe në privat, ku bën zgjedhjen paguesi i kontributit. Që do të thotë, të ketë një konkurrencë edhe në shërbimin shëndetësor dhe ajo klinikë që do të ketë klientelë dhe standard më të lartë shërbimi, natyrisht që do të marrë dhe pjesën më të madhe të financimeve, por në rrugë transparente; nëpërmjet një procesi kostimi të gjithë shërbimeve dhe nëpërmjet një procesi të regjistrimit elektronik të sistemit të siguruarve, si dhe duke hequr kontaktet ndërmjet pacientit dhe mjekut. Mjeku nuk duhet të njohë pacientin apo të hyjë në bisedime paraprake me të. Pra, mjeku është i disponueshëm për të kryer vizita, për të ofruar shërbimin shëndetësor dhe nuk ka rëndësi në pacienti është miku e tij, nëse është i rekomanduar prej dikujt tjetër, nëse është i pasur apo i varfër. Pra, nëse ne nuk do të kemi një mekanizëm efektiv të sigurimit shëndetësor, nëse ne nuk kemi konkurrencë brenda vetë sistemit, nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të zgjedhin ofruesin e shërbimit shëndetësor, ne do të kemi një shërbim, jo këtë të sotmin, por akoma më të degraduar.

Ledjana Saliu

Jakup B. Gjoça

***

Karta e shëndetit, një kartë pazaresh

Investimi i Bankës Botërore i fondit prej 32,1 milionë euro në shëndetësi ka një problem, se siç e thamë dhe më sipër do të krijohen kapacitete në spital, mund të blihen dhe pajisje mjekësore, por ato do të rrinë në magazinë, kapacitetet do të keqpërdoren, pra do të jenë si zyra pritje ose dispeçerie për të çuar pacientët në klinika private dhe nuk do të jenë zyra që do të ofrojnë shërbim. Por, ka dhe një problem akoma më të madh në shëndetësi që unë e konsideroj abuzim. Ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i Fondit të Sigurimeve shëndetësore kanë njoftuar publikisht tenderin për kartën e shëndetit. Ç’është karta e shëndetit? Ajo është një kartë e thjeshtë e panevojshme, sepse ne shqiptarët sot kanë kartë identiteti elektronike, që do të thotë se ky është një harxhim i kotë parash, i panevojshëm, harxhim parash te ndonjë klient i paracaktuar nga qeveria. Në vitin 2006 ne kemi patur një projekt me Bankën Botërore për modernizimin e shërbimit shëndetësor, ku ka qenë i përcaktuar edhe prodhimi i kartës së shëndetit. Kartën e shëndetit e marrin ata që paguajnë kontribute shëndetësore, por siç e thamë dhe më lart sot kemi një mekanizëm që nuk i bën të përdorshme kontributet për sigurimet shëndetësore nga vetë individi. Por, problem kryesor është që në atë kohë ne filluam projektin për prodhimin e kartës së identitetit dhe hoqëm nga projekti kartën e shëndetit duke e zëvendësuar me pajisje për modernizimin e shërbimit shëndetësor, por pas kaq vitesh ne kemi një rikthim të kartës së shëndetit, që është një kartë pazaresh.