Shëndetësia falas u ka rrjepur shqiptarëve 172 milionë euro për shërbim mjekësor të “Rilindjes”

13

INSTAT “nxin” demagogjinë e ministrisë së “bluzave të
bardha”, publikon shifra që tregojnë, se pagat dhe pensionet qesharake, përfundojnë
në… spitale

 

Familjet shqiptare shpenzuan rreth 172 milionë euro nga xhepi për t’u
kuruar gjatë vitit 2015. Shifra është bërë publike nga Instituti i Statistikave
në anketën e buxhetit të familjeve dhe përfshin, si pagesat që familjet kanë
kryer për blerjen e barnave, ashtu dhe ato për të marrë shërbim shëndetësor në
spitalet publike dhe private të vendit. Sipas Institutit të Statistikave,
Shëndetësia merr aktualisht 3.6 për qind të buxhetit total që familjet shpenzojnë
për konsum. E përkthyer në vlerë, kjo do të thotë, se çdo familje shqiptare
harxhon mesatarisht 225 euro në vit për barna ose mjekim në spitalet e vendit.
Banka Botërore thotë, se kjo e bën Shqipërinë një nga vendet me peshën më të
lartë të shpenzimeve nga xhepi për shëndetësinë. Më konkretisht, sipas saj në
totalin e kostove shëndetësore, shteti në Shqipëri mbulon vetëm gjysmën e
shpenzimeve, ndërsa gjysmën tjetër familjet detyrohen ta përballojnë vetë nga
xhepi i tyre. Në vendet e tjera të rajonit, pjesa e shpenzimeve për kurim që
familjet paguajnë nga xhepi varion nga 11.2 për qind në Kroaci, deri në 42.8
për qind në Serbi. Kjo shifër nuk ka lëvizur shumë nga viti 2013 deri në vitin
2014, viti i parë i qeverisë së re, e cila premtoi fillimit e procesit të
shëndetësisë falas. Ndonëse për vitin 2015, raporti i shpenzimeve shtet-privat
nuk është bërë ende publik, 172 milionë eurot që shqiptarët shpenzuan këtë vit
nga xhepat e tyre për shërbime shëndetësore tregon se, Shëndetësia universale
është ende një objektiv i largët.