Shëndetësia është peng i papërgjegjshmërisë politike

499
Sigal

FORUMI/Korrupsioni dhe politika e shërbimit falas në Shëndetësinë publike

Para disa ditësh, në median spanjolle “20 minutos” u dha një reportazh për shërbimin shëndetësor (publik) në Shqipëri dhe ajo që bëri përshtypje ishte krahasimi i medias spanjolle, e cila e krahasoi shërbimin shëndetësor (publik) shqiptar me atë nivel shërbimi si në …kohën e periudhës së Luftës Dytë Botërore. Një nga shkaqet e shumta të keqshërbimit shërbimit  publik shëndetësor  është korrupsioni, aq sa megjithë 250 milionë dollarë që është buxheti  vjetor i ilaçeve, realisht, pacientët në të gjitha spitalet nuk gjejnë as… aspirinën dhe…sapunin. Nga ana tjetër, në programin elektoral, PS-ja është zotuar se do të jetë falas shërbimi shëndetësor në Shqipëri. Në këtë forum, “Telegraf”, ballafaqon

Vangjel Tavo, ministër i Shëndetësisë

– Sipas jush, a ka korrupsion në shërbimin shëndetësor publik? Dhe cila politikë mund të shërbejë si kurim për një transparencë gjithëpërfshirëse?

– Shërbimi shëndetësor shqiptar përbëhet nga heronjtë e këtij vendi, të cilët punojnë, jo vetëm me përkushtim, por edhe duke sakrifikuar nga jeta dhe familja e tyre për tu vënë në shërbim të qytetarit. Të përmendësh korrupsionin në shëndetësi është një ofendim për të gjithë ata doktorë, mjekë, infermierë, mami, laborantë, stomatologë, farmacistë, etj, të cilët kanë kontribuar ndër vite për të ngritur këtë shërbim që kemi sot, por është edhe dekurajim për të gjithë ata që punojnë sot me kaq shumë përkushtim. Siç është bërë e qartë edhe në media, ka patur raste abuzimi apo neglizhence në detyrë, por këto janë raste sporadike. Ndaj rasteve të tilla, unë kam urdhëruar zbardhjen e ngjarjeve dhe, kur janë vënë re parregullsi, janë marrë masa, si përjashtim nga puna, etj.. I bëj apel të gjithë qytetarëve, të jenë partnerë me ne në luftën kundër korrupsionin dhe të mos hezitojnë të denoncojnë, nëse ndeshen me ndonjë rast neglizhence në detyrë.

Gjergj Koja, ish-ministër i Shëndetësisë

Unë mendoj se, nëse ka ndonjë sektor publik problematik, për të cilin klasa politike dhe absolutisht qeverisja e sotme duhet të skuqen nga turpi i abuzivizmit, ai është sektori i shëndetësisë. Shëndetësia përfaqëson sot sektorin e marrë peng nga papërgjegjshmëria dhe miopia e klasës politike. Për rrjedhojë, problemet janë madhore dhe në mjaft raste konceptuale.

Klodiana Spahiu, deputete e PS-së

Sa herë të shihni se në spitale ka një mungesë, të jeni të sigurt se prapa tyre ka një vjedhje. Për këtë po ju jap si shembull rastin proverbial të PANCEF-it, një shurupi pediatrik, që para pak kohësh përmbyti farmacitë e QSUT, shurup që nuk përdoret në kushte spitalore, në një kohë që mungonin medikamentet bazë të urgjencës. Shurupi më pas u shpërnda nëpër farmaci private, duke sjellë fitime të majme për “trafikantët” e tij. Kurimi i kësaj gjendjeje fillon me mosdhënien e Ministrisë së Shëndetësisë si monedhë shkëmbimi partive aleate, gjë që ka ndodhur rëndom në këto njëzet vjet, duke e kthyer në organizatë partie e nganjëherë më keq akoma, në fshat apo në fis të ministrit. Do përkujdesemi që në politikat e përzgjedhjes së burimeve njerëzore, të mos priremi ndaj përkatësisë partiake, krahinore etj, por nga kritere profesionale dhe morale. Përzgjedhja e stafit përbën garanci për mbarëvajtjen e reformës. Element tjetër i rëndësishëm është transparenca në shpenzimet e ndryshme të buxhetit për shëndetësinë, si një mjet do të thosha unikal, për të evituar “rrjedhjet” e tij. Të gjithë qytetarët do kenë mundësinë që të kontrollojnë on -line se ç’bëhet me paratë e tyre dhe aty do të kuptojnë, pastaj, kërdinë që është bërë në vitet e shkuara. Kostifikimi real i shërbimeve spitalore, të cilin ne e kemi bërë vetë dhe që ndryshon tërësisht me atë të kryer nga ISKSH-ja, kostifikim i tejfryrë nga “majaja” e korrupsionit,  në mënyrë që t’i zhvatin buxhetit edhe dyfishin e kostos për shërbime të ndryshme. Një politikë krejtësisht inovatore në formulimin e listës së rimbursimit të barnave, që do të sigurojë barna me cilësi më të mirë dhe me të njëjtat para që shpenzohen dhe sot, sigurisht, duke rritur sasinë vit pas viti.

 Eltar Deda, deputeti i PS-së

Po ka. Nuk e themi ne si opozitë, por e thotë  goja e qytetarit të cilin,  e bie halli të përplaset me këtë shërbim. Flasin vetë gjendja tejet e mjeruar e këtyre institucioneve që lëngojnë nga mungesa e dhënies së këtij shërbimi. Flasin  institucionet  ndërkombëtare, që  monitorojnë qeverinë shqiptare, si edhe Ministrinë e Shëndetësisë, në veçanti. Janë politikat e qeverisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë,  që thellojnë korrupsionin. Krijimi i një mënyre tjetër të menaxhimit të këtij sektori. Ndërtimi i politikave të reja për menaxhimin e financave të alokuara në këtë sektor, duke i dhënë një pamje tjetër institucioneve, do të jenë e vetmja mënyrë që të ndryshojë jo vetëm pamja vizive e tyre, por edhe koncepti i këtij shërbimi të detyrueshëm, për qytetarin si një e mirë publike. Kthimi i besimit te shërbimi publik ndodh vetëm duke rilindur shpresën, për një sistem shëndetësor tërësisht ndryshe nga ky i sotmi.

– Sa mundësi reale ka premtimi i PS-së, se shërbimi shëndetësor do të jetë falas për të gjithë?

Vangjel Tavo

– Shërbim shëndetësor falas nuk ka në asnjë vend të botës. Një shërbim i tillë nuk ekziston. Megjithatë, nëse bëhet fjalë për politika sociale shëndetësore, dua të theksoj se, Shqipëria është vend social me politika shëndetësore sociale. Në shërbimin shëndetësor shqiptar të gjitha kategoritë e njerëzve marrin shërbim shëndetësor. Asnjë qytetar shqiptar nuk privohet nga e drejta për përkujdesje shëndetësore.

Gjergj Koja

Ajo që mund të garantojë unë sot, është se PS-ja dhe gjithë opozita ka hartuar një program realiste dhe të detajuara për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë, për ta nxjerrë nga llumi ku ky sektor përpëlitet sot. Ky program është ambicioz, i shtrirë në të katër vitet e qeverisjes së ardhshme dhe bazohet pikërisht tek problemet madhore të identifikuara sot.

Klodiana Spahiu

 Qytetarët shqiptarë do të kenë shërbim shëndetësor falas dhe më cilësor, se ky i sotmi. Kjo tashmë nuk është utopi, por një rrugë e shtruar tashmë nga vende prestigjioze si: Britania e Madhe, Kanadaja, Danimarka, Suedia, Spanja. Menaxhimi i mirë i këtyre parave përbën garanci për suksesin e çdo sistemi.

 Eltar Deda

Reforma që ne ofrojmë për shëndetësinë është sa e rëndësishme, por edhe e pakundërshtueshme nga ana e jonë. Do të jetë një reformë radikale, e cila kërkon një rikonceptim të ri të këtij sistemi. E them këtë, sepse është shumë e rëndësishme që të flasësh për koncept të ri, mbasi ajo që ne ofrojmë, shërbim shëndetësor kombëtar falas, për të gjithë popullatën sipas nevojës, ka në thelb këtë shërbim si një të mirë publike dhe jo si një mall,  nga i cili duhet të nxjerrim fitim në kurriz të qytetarit. Realitetin e njohim. Rruga është e njohur sepse nuk është se ne e shpikim këtë që ofrojmë. Shumë shtete të Evropës dhe jo vetëm të zhvilluara, por edhe të nivelit tonë, kanë kohë që e aplikojnë. Ne do t’ja përshtatim këtij realiteti. Dhe ajo që është më e rëndësishme, vullneti politik për ta zbatuar këtë sistem te forca jonë politike ekziston. Do ta ndryshojmë bashkë me qytetarët dhe në mënyrë të veçantë, me punonjësit e këtij sektori, pas 23 Qershorit dhe në mandatet qeverisëse tona në vazhdim.