Shenasi Rama/ Tani do të nisin të gjëmojnë mullinjtë e partive dhe të makinave të plehut

402
Sigal

Miq, po afron një përvjetor i rëndësishëm i tranzicionit, fillimi i tij politik me pluralizmin e vendosjen e sistemit shumë partiak. E tani do të nisin të gjëmojnë mullinjtë e partive dhe të makinave të plehut. Por, 24 vjet më vonë mund të thuhet me konfidencë se PD ka dështuar me sukses të plotë. Ky ishte edhe plani i atyre që e drejtuan dhe e strukturuan. Ajo që ka dale jashtë planit është që fundërrinat e një kohe nuk kanë ndryshuar dhe pjella e tyre politike është bërë edhe më keq e për dreq. Tani që po ikin si minjtë e kërkojnë shpëtimin duke thënë, se “nuk bëhet ky vend” kur nuk lanë gjë pa bërë për ta shkatërruar, nuk e di njeriu se ç’ ka të thotë. Duhet një opozitë e re, sepse nuk bëhet politika për të ruajtur Trustin e Gështenjave dhe familjen e Sali Berishës. Sa për mua, tani që ka nisur mulliri i gëlbazës, mund të them vetëm një gjë, që nuk i kam borxh njeriu, nuk kam dëmtuar njëri, iu kam thënë të vërtetën dhe ka dale ashtu si ua kam thënë unë. Në ka njëri të pastër si kristali në atë vend, që ka dhënë gjithçka e s ka pranuar të marrë gjë, jam unë. Ama në ka njeri që iu ka thënë se si do të përfundojnë jam po unë. Në këtë luftë për të vërtetën, që nuk ka përfunduar ndonjëherë, as nuk më prekin kërmat, as pleshtat e morrat e bardhë të politikës shqiptare, as mulliri i shpifjeve e thashethemeve, dhe as brigada vullnetare e plehut të parisë së Tiranës. Dikur kam mbetur fillikat vetëm dhe këta kanë pasur mbas vetes shpresën e një populli që e kanë shpërdoruar e keqpërdoruar. Edhe sikur të mbetem prapë vetëm, këtë herë këta kanë me pas përballë vetes dëshpërimin e një populli që e kanë mashtruar e dhunuar. Unë kam me pas gjithnjë në anën time të vërtetën, sepse edhe kur kam qenë krejt vetëm kam qenë me të vërtetën dhe ajo është që iu duhet njerëzve. Aq më shumë që nuk jam prej atyre që duan të jetojnë prej politikës e duke i pirë gjakun popullit, por duke i shërbyer atij sa të kem jetë. Kështu, le të shkojnë nga kanë dalë, unë s kam ndërmend të ndalem.