Shenasi Rama/ Shtet-Kombi, besimi dhe qëllimi im i marrjes me politikë

633
Sigal

Në vend të një replike

 

Dikush kishte postuar një koment shumë të gjatë dhe që kërkonte përgjigje prej meje me shumë nerv. Vërejta që në komentin e tij ka shumë dyshime dhe shumë paqartësi në lidhje me mua e me qëndrimin tim politik. Nga një anë, më bëri me qeshë. E para, si shtetas shqiptar, unë jam një askushi në politikën e përditshme shqiptare. Më e shumta, jam një njeri si gjithkush tjetër. E dyta, në nivelin ideologjik në Tiranë, unë jam si delja e zezë, sepse them ato të vërteta, që nuk u pëlqejnë shumë vetëve. Unë nuk jam politikan, nuk due me kenë në politikë, nuk due me kenë në ‘tavë,’ nuk më intereson fare politika, përveçse si objekt studimi. E treta, si shqiptar në mërgim, politika më intereson vetëm si kombëtarist e si patriot, që kërkon nderim e respekt, duke u krenuar me kombin e vendin e vet, diçka që e kërkojmë e nuk e gjejmë tash një jetë.  Arsyeja, pra, është se unë jam emigrant, njeri që nuk ka më rrënjë në jetën e përditshme shqiptare, përveç dashurisë për të afërmit e për kombin. Unë jam nga ata, që nuk kam me u tretë kurrë në paqe, sepse, patetikisht me e thanë, jam i dënuem me u shue në toka të hueja, pa mbrritë me jetue atë shoqëri, që do të kasha dëshërue.  Por dhimbjen e ndarjes prej vendit tim e ndjej sa zgjohem e në fund të shpirtit e nuk më ndahet asnjëherë.

E pra, problem është se unë nuk due me u marrë me politikë, por siç ka thanë një njeri i mençur, po nuk u more ti me politikë, atëherë do të merret politika me ty. Politika të ndjek edhe në mërgim, edhe larg, edhe kur e urren e nuk don me u përzie në politikë. Sepse ajo që po ndodh në shtetin shqiptar ndikon shumë në mendësinë e gjendjen time shpirtërore. Ajo që ndodh përditë me kombin tim, më shkakton shumë dhimbje. Pikërisht, kjo dhimbja nuk të len të qetë, sepse i njeh njerëzit, e njeh gjendjen dhe e di se cila është rruga e greminës, ku po shtyhen shqiptarët. Unë nuk mundem me mbyllë një kapitull të jetës time e me thanë se atje ku nuk të duen mos rri, e atje ku nuk të dëgjojnë mos fol. Kështu kanë bërë shumë miq të mi dhe janë në paqe si njerëz, por mue më duken krejt bosh. Duke dashtë me u ba si dikush tjetër, janë ba një askush në shoqërinë ku jetojnë, njerëz pa identitet e pa vlera.

Mirëpo, unë kështu jam pre e kështu do ta mbyll jetën time. Shqiptar kam lindë, e shqiptar kam me vdekë, dhe nëse nuk mundem e nuk due me ndryshue, të paktën t’i shërbej me aq sa mundem identitetit e kombit tem. Dikush duhet me thanë se jeni e se po shkoni në Rrethin e Ferrit e unë e miqtë e mi po e themi përditë këtë. Edhe ba mos me na dëgjue kush, ne po e themi të vërtetën njëherë, e për fat të keq, koha ka me na dhanë të drejtë.

Një arsye më tepër pse po hezitoj me iu përgjigj është se nuk e njoh fare as njeriun, as të shkuarën e tij, as përgatitjen politike e as përkatësinë. Mirëpo, argumentet e tij janë njerëzore dhe meritojnë respekt, ashtu si edhe kjo dhimbja e ime që s’më len të qetë. Si parim, nëse duhet të sillemi si shqiptarë e si njerëz, në se duam të ecim në rrugë të mbarë, duhet të respektojmë njëri-tjetrin, duke ia respektue mendimin. Ky zotnia ngre disa çështje delikate, si rëndësia politike e shkuarës në politikë, hedh dyshime mbi qëllimet e mia si individ, mbi besimin tim dhe mbi platformën, që na duhet për të ardhmen. Duke mos qenë politikan, mendova mos me u përgjigj. Por, duke e besue të sinqertë e jo njërin nga ata zhurmuesit e shumtë të parisë, po i përgjigjem shkurt, me sa di, e me sa mundem në lidhje me pikëpyetjet dhe argumentet që ngre në komentin e tij. 

 

Rëndësia e të shkuarës në politikën shqiptare

 

Së pari, në lidhje me të shkuarën. E shkuara nuk duhet me na mbajtë peng dhe e shkuara e jonë nuk është e tillë që na sjell gëzim, asnjërit e askujt ndër shqiptarët. Askujt nuk i sjell gëzim e shkuara, sepse ajo që ka kenë, nuk mundet me kenë më përcaktuese e të ardhmes. Ajo bahet përcaktuese vetëm nëse ne e lejojmë atë të na sundojë. E vetmja e shkuar që nuk ke çka i ban, se nuk tjetërsohet dot, është identiteti që ke. Atë nuk e ndryshon dot.

Mirëpo, ajo, qe ne si popull e kemi perjetue, ka kenë e hidhun dhe e deformueme, gjatë gjithë këtyre dy shekujve të trazuem. Populli i jonë është i vogël, por është një popull që ka shumë histori, sepse ka shumë kalue në shumë travaja e mundime gjatë shekujve të kaluar dhe ma shpesh se duhet, të keqen ia kemi ba vetes e njëri-tjetrit. Prandaj, gjithkush që ka mend, ose kërkon me e shmangë të shkuarën, ose me mësue prej saj. Po përsëritëm të njëjta gabime, do të gjendemi gjithnjë në të njëjtin qorrsokak. Do të sillemi rrotull. Asgja nuk ka me ndrushye, vetëm dhimbja ka me u shtue. A duhet me ua lanë këtë barrë brezave që po vijnë?

Prandaj, ndarja me të shkuarën është fillimi i ri. Vazhdimi i mendësisë sunduese të së shkuarës, nevoja me gjet shkaktarë për fatkeqësitë e kaluara është e dobishme sa kohë që njeriu si individ e një komb si shoqëri mëson nga pësimet dhe iu ruhet kurtheve. Ama, nëse ndjekja e qëllimeve të tilla bëhet qëllim në vetvete, atëherë ai komb është i destinuar që të dështojë. Kjo është rruga e të mirës dhe e të drejtës. E shkuara duhet të jetë burim mësimi për të ardhmen. Njeriu dështon edhe më keq. Ai individ që e mbërrin qëllimin që i ka vënë vetes përmes urrejtjes, mbasi e mbërrin atë qëllim është bosh. Vetëm e mira të jep arsyen me pasë shpresë e me ndërtue të ardhmen.

Nga ana e tyre, politikanët kanë rrugën e qëllimet e tyre. Kur janë njerëz me mend e me ndjenja kombëtare, ata i ikin ndasive, që sjell e shkuara. Është e paevitueshme që gjithkush, që kërkon shkaqe për sherr e ndasi, do t’i gjejë në të shkuarën e vet. Prandaj, edhe është ligji dhe shteti, që në mënyrë arbitrare të vendosë se çka është e drejtë, e ligjshme dhe e pranueshme në një kohë të caktuar. Mirëpo, në mendjen e njerëzve, e drejta e tjetrit është padrejtësi që të bahet.  Prandaj, dashuria për tjetrin, elementet e domosdoshme të qytetërimit e zbusin këtë ndjesi dhe rrisin mirëkuptimin për të drejtën e tjetrit.

Politikanët tanë të parisë së Tiranës kanë dashur e duan që e shkuara e dhimbshme me iu shërbye vetëm atyre pa mbajtë parasysh dhimbjen që iu shkakton njerëzve ngacmimi i plagëve shpirtnore. Sepse gjithkush e kemi një histori të dhimbshme. Ata e dinë këtë, prandaj i mobilizojnë njerëzit në emër të së shkuarës. Prandaj, edhe po veprojnë ashtu, edhe në këtë fushatë, duke iu fryrë ndasive ideologjike, fetare, krahinore, kulturore e gjendjes ekonomike. Ja edhe në këtë fushatë merren me gjyshër, simbole, monumente, etj.. Asgja që iu flet njerëzve dhe halleve të tyre. Asgja që ka të bëjë me të ardhmen e tyre. Asgja që me iu dhanë shpresë. Asgja që i bashkon dhe i bën të mendojnë si pjesëtarë të një bashkësie politike-ligjore, apo si shqiptarë, pjesëtarë të një kombi. Politikanët përdorin çdo gjë për t’i ndarë njerëzit. Ata përdorin pa fund rrena, mashtrime, e manipulime.

Unë kërkoj me mësue prej të shkuarës, mos me përsëritë gabimet dhe me ndihmue me ndërtue një të ardhme tjetër për këtë zotninë e për të gjithë të tjerët. Sepse unë nuk kam ndërmend me jetue prej politikës. Nuk kam ndërmend me u marrë me politikë. Nuk kam ndërmend me dalë e me ia kërkue kujt votën e besimin. Unë jam njeri i lirë, them atë që mendoj, e kam edukue veten me iu shërbye njerëzve, mendoj më të mirën që mundem për kombin tim, dhe nuk due askurrgjë prej askërkujt.

Qëllimi im si Individ

Së dyti, ky zotnia ngren dyshime tek qëllimi im. Si edhe sapo e thashë, unë nuk kam ndërmend me u marrë me politikë në shtetin shqiptar. Nuk më intereson politika. Nuk jam i prerë për atë punë e për atë profesion.  Politika nuk më ka dhënë asnjë kënaqësi në këtë jetë, përveç dhimbjeve të pashlyeshme, e fatkeqësive që ua kam shkaktue njerëzve të mi e që shpesh nuk kam guxim as me ia thanë vetvetes, sepse menjëherë më kujtohet fytyra e nanës teme të ndjerë.

Për ma tepër, jam në një moshë kur dua të mbyll jetën me nder, në se kam mundësi e në se ia arrij me ruejtë veten e vlerat e mia në mërgim. Në mos tjetër, çdo ditë që jetoj e shoh si një mundësi me u përmirësue, sepse ma shumë kërkon me kenë i pastër e ma shumë të bahen të dukshme gabimet e të metat që ke. Unë ndoshta nuk mund të mbrrij të ndrroj gja në këtë jetën time, por përditë mund të bëhem njeri më i mirë, më i ndershëm, më i pastër, më me respekt për të tjerët, një prind i mirë, një i afërm i mirë, një shqiptar i mirë. Nëse sillem kështu, mua më mjafton ndjenja e të qënurit shqiptar, nuk më duhet as feja, as ideologjia e tjerakujt.   Më mjafton respekti i njerëzve, sepse, në fund të fundit, për këtë jetohet.  

Megjithatë, pa mendjemadhësi, por me shumë modesti, më duhet me thanë se unë ndjej një obligim moral ndaj popullit tim. Si njeri ndër ata që na u dha mundësia me kenë instrumental në momente historike, edhe unë duhet me e gjykue veten përditë për sjelljet e veprimet e mia në jetën publike. E në këto kushte, shërbimi më i madh që mund të bëjë një njeri si unë është me thanë të vërtetën. E vërteta është ajo që na duhet më së shumti. Dhe, ne mos mundsha me ba tjetër, do të them të vërtetën, ashtu si e di dhe e kuptoj unë. Ndoshta nuk jam i zoti me e vra gjarpnin, por  të paktën mundem me të tregue që ai po fshihet mbas ferrës. Ky është edhe funksioni i së vërtetës.

Pse duhet me veprue kështu? Thënia e të vërtetës është një gjë jo e lehtë, sepse iu bie ndesh njerëzve e interesave të shumta. Nganjëherë është më lehtë me jetue në mashtrim, se me kenë njeri i lirë. Edhe unë pres që fjala që them të ketë një efekt për mirë, dhe ajo e ka një qëllim të qartë. Qëllimi im është me mbështetë daljen e një grupi të ri të rinjsh, që të jenë të motivuar nga ndjenja e shërbimit kombëtar e të punojnë për shtet-kombin e shqiptarëve. Qëllimi im është që gjithçka kam, dijen, kohën, mundësitë, t’i vë në shërbim të këtij grupi, e së bashku me të tjerë të ndihmojmë me ia ça rrugën në politikë, t’iu japim mbështetje e besueshmëri. T’i ndihmojmë që të rriten, t’i shmangen të keqes, të bëjnë më të mirën që munden për popullin e tyre. Sepse një popull vdes kur rinia nuk mundet me u mbështetë tek brezi para tyre.  Sepse një grup i tillë do të jetë shpresa për të gjithë shqiptarët. 

Çka duhet bërë?

Ka ardhur koha për një fillim të ri. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme dhe forcat e reja politike që do lindin, duhet të kuptojnë mirë se cilat janë rrugët e ndryshimit të vërtetë. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët, dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar, dhe të mbështetur në themelet e forta. këtë mund ta bëjmë vetëm duke ndërtuar një shoqëri që do të mbështetet në parimet e mëposhtme.

Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb.

Së dyti, në një sistem politik demokratik, me një sistem zgjedhor proporcional, por me shtrëngesa të forta ligjore, që nuk lejojnë tepritë në sjelljen e politikanëve e që nuk pengojnë qeverisjen e mirë.

Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj me shtërngesa shembullore e drastike.

Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar dhe ku sukseset dhe arritjet e njerëzve më të zotë, ndihmojnë në rritjen e zhvillimin e njerëzve të mirë.

Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin shtetëror-kombëtar.

Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore brenda llojit.

Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë shqiptarët e qytetarët me aq sa i kemi mundësitë e kushtet.

Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive që është baza dhe shtërngesa kryesore mbi të keqen, shoqërinë dhe strukturat institucionale.

Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve.

Së dhjeti, ndërtimi i një sistemi përfaqësues politik që të funksionojë për zgjedhjen e udhëheqësive që do të mbahen nën kontrolle të forta nga shoqëria e nga strukturat administrative institucionale.

(Vijon nesër)