Shenasi Rama: Ramiz Alia indoktrinoi disa drejtues, por nuk manipuloi dot Lëvizjen Studentore

558
Sigal

Reagon Shenasi Rama dhe zbardh të vërtetën e ditëve të Dhjetorit 1990 dhe rolin e Gjinushit e të  Berishës

Sërish edhe dje, edhe pardje dy artikuj për Lëvizjen Studentore. Njëri është një intervistë nga Prof. Dr. Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit në atë kohë dhe njeri i përgatitur dhe shumë i informuar dhe tjetri është një shkrim i Bedri Islamit, padyshim një nga figurat më me vlerë të çështjes kombëtare gjatë tranzicionit dhe kryetar i LPK gjatë Luftës së Kosovës. Kjo në vazhdë të dëshmisë së Guro Zenelit, Prof. Ftos Klosit dhe të atij që Xhelil Gjoni me të drejtë e quajti Ben Hamami. Me të vërtetë që kam nisur të vras mendjen se pse nuk po pushojnë së foluri e së shkruari të gjithë sa janë e sa kanë mbetur për këtë pikë të historisë. Pesë gjera duhen venë në dukje. Së pari, këta thonë se i kanë kontrolluar të gjithë njerëzit që ishin në lojë dhe se ishte e gjitha në duart e Ramiz Alisë. Mirëpo PPSH ishte e përbërë me klane dhe klanet vareshin si vilet e rrushit, sepse besnikëritë ishin të tilla dhe të ndërtuar në kohë. Se një kohë për pak deshën të hiqnin edhe vetë Ramiz Alinë ashtu me atë skuthllëkun e kohës…. pra, ka pasur shumë më shumë përplasje e kontradikta brenda se sa lenë të kuptohet nga këto shkrime. Pra, do të kuptojmë atë që ndodhi brenda PPSH, kur të kuptojmë këto marrëdhënie.

 Së dyti, në Lëvizjen Studentore dhe në ata që e drejtuan atë kishte marioneta, d.m.th, njerëz të sistemit e bile informatorë të rekrutuar me moshë të njomë, të dënuar e të liruar, vëllezër e motra, bij e bija, nipa e mbesa të kuadrove të të gjithë niveleve etj. Mirëpo nuk ishim të gjithë marioneta. Unë flas për veten time, di gjë njeri kush më ka kontrolluar mua, sepse më duhet me këmbëngulje që disa vendime i kam marrë unë, dhe kaq?

  Së treti, thuhet se të gjitha ishin të planifikuara… Epo mirë, a e kishin planifikuar që do ta sillnin vendin në këtë derexhe e në këtë gjendje??? Se të jetë ashtu, kanë përgjegjësi të madhe, si planifikues e si zbatues. Këto punë nuk gjykohen me parimin shekspirian, “all is well that ends well.”, sepse as puna nuk ka përfunduar dhe as nuk ka përfunduar mirë për shqiptarët, por ka qenë e është një kalvar i vërtetë dhe kështu si duket, do të vazhdojë të jetë.

Së katërti, këta të gjithë duan të thonë se ne ishim të papërgatitur… Kjo më bën të qesh. Njerëzit gjykohen nga veprimet dhe nga synimet. Më duhet të këmbëngul që unë vetë e disa të tjerë që duhet të flasin për veten e tyre, kemi pasur objektiva të qarta ideologjike dhe përgatitjen e duhur për të punuar për ato objektiva. Ndryshe nuk do të kishim bërë atë që bëmë, e nuk do të merrnim rrugët që kemi marrë. Kemi qenë shumë të lexuar, të përgatitur, me njohuritë që duheshin dhe pa pikë modestie, shumë më cilësorë se këta që na i shiten si intelektualë. Se, në fund të fundit, dinim shumë gjuhë të huaja, kishim punuar me të gjithë llojet e literaturave, edhe bashkëkohore, politike, filozofike e ekonomike, e lexonim shtypin e huaj që hynte në Tiranë, dëgjonim atë që mund të dëgjohej dhe ishim shumë të informuar për çka po ndodhte edhe në Europen Lindore.

 Së pesti, po diskutohet se si u zgjodh Saliu në krye të PD-së. flitet edhe për Ismail Ahmetin, apo Skënder Gjinushin. Skënder Gjinushi ishte i zoti, por nuk i mbante dot në rresht me rrena katundarët e proletarët e qyteteve, edhe sepse ishte nga afër Bllokut. Ismail Ahmeti ishte burrë me mend, trim e njeri që meriton shume respekt, por nuk duhej nga ai krah, sepse ishte pa lidhjet e duhura në Tiranë dhe klanet e tjera nuk i besonin fort. Saliu ishte ai që i mblidhte të gjithë, sepse të gjithë i detyroheshin diku e nga pak, besonin se kontrollohej, ishte nga zona e duhur, e njihnin apo kishin lidhje e, në fund të fundit, ishte më i zoti dhe më i zgjuari nga të gjithë për atë punë që duhej në atë pikë. Megjithatë, në fund, do të kisha thënë, se pa Lëvizjen Studentore e pa njerëzit që i dhanë frymën asaj, nuk do të kishte zgjidhje të tilla, që e shumta janë gjysmake dhe jo të justifikueshme nga ana e tyre. Këta duhet të na thonë se si u vendos pluralizmi i vërtetë, se si u rrëzua Enver Hoxha, se si u bë PD, si u mobilizuan njerëzit, dhe pse u kërkua të ruhej shteti e të depolitizohej nga ideologjia enveriste e të kombëtarizohej. Kush ndikoi, vendosi, bëri zgjidhjen e detyrueshme etj. Ka edhe më shumë gjëra që nuk i kemi thënë ne, e nuk i përmendin as ata. Ka qenë një “ruptura pactada,”, por me shumë palë. Mirëpo duan s’duan këta, ndër palët, kemi qenë edhe në. Kemi qenë me praninë tonë, me vendimet që kemi marrë, por dhe me vendin që kemi pasur në kalkulimet që u bënë e që shpesh ishin të improvizuara nga ana e tyre. Por Saliu ishte i piketuar, si disa intelektualë të tjerë anipse. Xhelil Gjoni që ka thënë shumë të vërteta, i ka quajtur ashtu si kanë qenë, pelte hamami. Megjithatë, do të thosha se përpjekja e tyre për të zhvlerësuar, denigruar, zvogëluar, shpërfillur e fshirë kontributet e Lëvizjes Studentore dhe të njerëzve të veçantë i bie ndesh të vërtetës, dëshmive të tyre, dokumenteve që gjenden, anipse me vështirësi, dhe logjikës së gjerave. Këtë nuk do të lejojmë ta bëjnë, sepse nuk kemi gjë tjetër më të çmuar për të treguar me jetën tonë.