Shembet rruga Levan-Tepelenë, fati shpëtoi nga vdekja udhëtarët

72

Firma, italiane “Tadini”, zbatuese e projektit të rrugës Levan – Tepelenë

Miliona humbje  për shtetin  dhe taksapaguesit shqiptarë  dhe  me  dhjetëra forca të Policisë Rrugore janë  peshqeshi më i mirë që u bëri qytetarëve shqiptarë  firma, italiane “Tadini”, zbatuese e projektit të rrugës Levan – Tepelenë. Bllokimi i autostradës ka ndodhur rreth orës 15:30, në afërsi të fshatit Kremenar të Komunës Fratar, në Mallakastër. Për fat të mirë në çastin e shkëputjes së masivit të gurëve, në këtë pjesë të autostradës nuk kishte mjete që udhëtonin nga Levani për në Tepelenë dhe anasjelltas, pasi pasojat do të ishin tejet shokuese dhe mjetet së bashku me udhëtarët do të kishin gjetur vdekjen e sigurt. Mjaftuan shirat e para dhe masive të tëra dherash dhe gurësh bllokuan rrugën, duke shembur murin mbrojtës të autostradës, si dhe duke paralizuar lëvizjen e automjeteve në të dyja krahët për orë të tëra. Mali i rrëzuar dhe rruga e shkatërruar ka marrë me vete edhe milionat që qeveria shqiptare i akordoi firmës “Tadini Construcion” General S.P.A për përfundimin e saj. Kjo rrugë sipas marrëveshjes duhej të kishte përfunduar në pranverën e vitit 2011, por paratë u mbaruan dhe u akorduan edhe rreth 20 milionë euro shtesë. Megjithëse përgjegjësia në këto raste është e firmave, të cilat plotësojnë ofertën dhe firmosin kontratat që në fillim dhe jo kur mbarojnë paratë,pasi është shkelur hapur barazia në tenderim. Gjithsesi, kjo është një çështje që gazeta “Telegraf” ka disa kohë që po e investigon si problem, për t’ja bërë publike më vonë qytetarëve dhe organeve të drejtësisë shqiptare. Shefi i Supervizionit të rrugës Levan-Damës, Emiliano Rico pati deklaruar vetëm pak kohë para inaugurimit se, gjithçka është kryer sipas parametrave bashkëkohore dhe se një falënderim i veçantë shkon  për komunat, të cilat kanë bashkëpunuar në marrëveshjen me banorët e zonës për shpronësimet. Atëherë lind pyetja, përse ndodhin katastrofa të tilla kur paratë janë dhënë pa hesap për këtë rrugë dhe mbështetja e pushtetit lokal nuk u  ka munguar ? Sigurisht që, shkaku është i thjeshtë dhe nuk ka nevojë për koment. Shkelja e rregullave teknike gjatë zbatimit të punimeve bëhet gjithmonë shkak për ngjarje të tilla tepër të rënda dhe me pasoja jo vetëm në njerëz, por edhe në imazhin e shtetit, i cili i ka besuar këtë vepër kësaj kompanie. Frika e rrëshqitjeve të dherave edhe në zona të tjera të këtij segmenti ka detyruar shumë drejtues mjetesh, furgonë dhe autobusë të braktisin këtë rrugë prej pasigurisë dhe të ndjekin rrugën e vjetër dhe tradicionale. Gjatë bisedës  me një nga drejtuesit e mjeteve që qarkullonin në rrugën e vjetër mësuam se: “Më mirë rrugën e gjatë e të sigurt se sa autostradën e italianëve të “Tadinit”,  e cila mund të na groposë të gjallë” . Nëse do ishin respektuar të gjitha kushtet teknike dhe do kishte bazamente të sigurta, do ishin bërë analizat  gjeologjike të tokës si dhe të ishte bërë këndi i skarpatit të rrugës sipas të gjitha kritereve, rruga nuk kishte përse të shkatërrohej. Mjafton të shikojmë rrugën e Kombit që kompania prestigjioze  Bektel Enka ka bërë në zona shumë herë më të rrezikuara dhe do kuptojmë papërgjegjshmërinë e ndërtimit të rrugës Levan-Tepelenë dhe rrezikimin e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe të huaj. Seksioni i parë Levan-Damës është i gjatë 38 kilometra. Deri në kilometrin e 30-të rruga, ndjek luginën e lumit Vjosë, për të kaluar përmes fshatrave të Komunës Frakull, Cakran dhe Fratar. Ndërkohë, mësohet se, gjithashtu, një pjesë tjetër e autostradës, vetëm 500 metra më tutje, rrezikon bllokimin, si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Punonjës të firmës shprehen se, për zhvendosjen e këtij masivi prej 300 mijë metra kub, duhet të paktën një muaj kohë. Organet e prokurorisë shqiptare dhe ekipi anti-korrupsion i Kryeministrit Berisha duhet urgjentisht të bllokojnë dosjen e punimeve dhe të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e sajë. Është e patolerueshme që në këtë situatë krizë qeveria shqiptare gjënë mundësitë dhe merr kredi për të ndërtuar rrugë të parametrave europiane, përplaset në Parlament për shtesat e fondit dhe si përfundim merr si dëmshpërblim nga firma italiane “Tadini” një rrugë të shkatërruar vetëm pak muaj nga përfundimi dhe vetëm me rënien e shirave të parë. Burime për gazetën bënë me dije se edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit do të dërgojë inspektorët e vetë për të ndjekur procedurat dhe për të bërë matjet përkatëse midis projektit fillestar dhe zbatimit të tij nga firma italiane “Tadini”.