SHBA ul në tryezë PD-PS

557
Sigal

Deputetë të Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike kanë zhvilluar një darkë të përbashkët pune, në të cilën ishte i pranishëm edhe Drejtori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Thomas K. Yazdgerdi, i cili më parë kishte takuar edhe Presidentin Nishani.  Në takim me zyrtarin e DASH ndodheshin deputetët e PD-së Aldo Bumçi, Majlinda Bregu e Oerd Bylykbashi, ndërsa nga radhët e PS-së janë Taulant Balla, Valentina Leskaj e Ben Blushi. Darka mes PD-PS dhe zyrtarit të DASH ka përfunduar rreth orës 21:45 minuta, ndërsa deputeti i PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat komentoi shkurt se bëhej fjalë për një darkë pune gjatë së cilës u diskutua për zhvillimet politike dhe marrëdhëniet me SHBA. “Bashkë me kolegët e opozitës ndamë vlerësime për zhvillimet politike dhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA”, tha Balla.Ai nuk iu përgjigj interesimit të mediave nëse ka pasur negociata PD-PS për kthimin e opozitës në Kuvend. Ndërsa më herët edhe Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka deklaruar se përfaqësues të PD-së dhe PS-së kanë pasur një darkë pune me kolegë të mazhorancës, por jo për të negociuar në lidhje me kthimin e opozitës në Kuvend. “Nuk po zhvillojmë asnjë negociatë me PS për marrëveshje. Jemi të ftuar në darkë me zyrtarë të DASH”, tha deputeti i PD-së. Pavarësisht këtyre deklaratave publike, që bënë mbrëmë deputetët, tashmë është e qartë, që brenda muajit dhjetor, mundet edhe nga java që vjen, opozita të rikthehet në Kuvend. Ditë më parë konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare vendosi që të shtyjë për 1 javë akoma punimet e Kuvendit, për t’i dhënë mundësinë që opozita të rikthehet në Kuvend dhe të mos skadojë afati i mandateve të deputëtëve nga bojkoti i tyre 6 mujor.