SHBA tregon ‘shtetin brenda shtetit’ që ka instaluar Rama në Shqipëri: Si i kanë kapur pasuritë e vendit!

507
Sigal

Raporti i fundit i Departamenti Amerikan të Shtetit për investimet në Shqipëri duke ju referuar vetëm vitit 2019, jep një panoramë tronditëse për atë që po ndodh me ekonominë, financat dhe pasuritë e vendit tonë.

Atë që tashmë e dinë të gjithë këtu në Shqipëri tashmë e ka certifikuar edhe qeveria e SHBA; Një grusht të ashtuquajturish “biznesmenë strategjikë” përreth kryeministrit, Edi Rama, kanë kapur nëpërmjet ligjeve, vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve absurde, çdo punë publike dhe çdo pasuri në vend.

Në këtë raport shfaqet hapur alarmi i SHBA për korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, zbatimin e dobët të kontratave dhe shumë probleme të tjera, që lidhen me hartimin e ligjeve klienteliste dhe çështjet e pronësisë.

“Investitorët raportojnë shqetësimet e vazhdueshme që rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose jo konsistente si mjete për të fshehur investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.

Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplote me komunitetin e biznesit; pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë ose mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative”, shkruhet e zeza mbi të bardhë në raportin e fundit të DASH.

Gjithashtu qeveria e SHBA tregon hapur, skemën e mbyllur mes qeverisë dhe parlamentit të kontrolluar nga Edi Rama dhe një grusht oligarkësh për të thithur financat e vendit nëpërmjet koncesioneve dhe PPP-ve, duke bllokua investitorët serioz të mëdhenj të huaj.

“Investitorët e mëdhenj të huaj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikë specifike dhe shprehin shqetësimin rreth përputhshmërisë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme.

Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (3P) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave 3P janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata 3P deri në fund të vitit 2018″, shkruhet në raport.

Nëse i lexon me kujdes këto konstatime të DASH, kupton se në Shqipëri ekziston një grup i ngushtë njerëzish të ashtuquajtur “biznesmenë të mëdhenj”, që funksionojnë si “shtet brenda shtetit”.

Në shërbim të tyre Edi Rama ka vënë qeverinë e cila nxjerr VKM në favor të tyre, parlamentin që përpilon ligje speciale vetëm në emër të tyre, ministritë kryesore si ajo e Financave dhe Infrastrukturës që janë vënë në dispozicion të këtij grupi dhe projekti i fundit; nëpërmjet `Korporatës së Investimeve` janë duke realizuar edhe dorëzimin te ky grup, të të gjitha pronave në vijën bregdetare të Shqipërisë.

Ky “shtet brenda shtetit” që funksionon si një mafia e mirëfilltë ekonomike, ka bërë që investimet serioze të huaja që kur ka ardhur Edi Rama në pushtet, ta kenë të pamundur të hyjnë në vendin tonë, sepse për asnjë projekt madhor nuk ka garë dhe transparencë. Gjithçka është e paravendosur për këtë grup oligarkësh të cilët e mbajnë në këmbë këtë qeveri të dërmua nga skandalet dhe korrupsioni, edhe nëpërmjet mediave që kontrollojnë.