SHBA: Trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje

659
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Administrata Anti-Drogë e Shteteve të Bashkuara (DEA) përgëzuan Policinë Shqiptare të Shtetit për kapjen e 614 kilogramë kokainë kolumbiane në Durrës. “Kjo është sasia më e madhe e kokainës apo heroinës që është kapur prej vitesh”, thuhet në deklaratë. Teksa vlerësohet roli i policisë, Shtetet e Bashkuara nënvizojnë se ka një rritje të trafikut të kokainës dhe drogave të tjera. “Është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar trafikimin e drogave në Shqipëri dhe për të arrestuar personat përgjegjës”, theksohet në deklaratë, ku për herë të parë është angazhuar edhe Administrata Anti-Drogë e Shteteve të Bashkuara. Qëndrimi amerikan për shtimin e trafikut të kokainës dhe drogave të tjera përbën një shuplakë jo të lehtë për Shqipërinë, kur fokusi kryesor i debatit politik e publik të viteve të fundit ka qenë pikërisht droga. Për ngjarjen e Durrësit reagoi edhe Bashkimi Evropian, nëpërmjet zyrës në Tiranë. Misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përgëzoi doganën dhe policinë shqiptare për operacionin e suksesshëm në kapjen e 614 kg kokainë në portin e Durrësit. “Ju lumtë dhe vazhdoni kështu me luftën kundër krimit të organizuar. Krimi i organizuar nuk mund të fitojë mbi forcën e ligjit. Shteti shqiptar duhet të jetë vigjilent dhe i fortë kundër grupeve të krimit të organizuar, të cilat përpiqen të zgjerojnë trafikun e drogës”, thuhet në deklaratën e misionit të BE-së.
Sigal