SHBA: Sfidat e Ballkanit, korrupsioni dhe qeverisja e dobët

243
Diskutohet në Uashington e ardhmja e rajonit dhe u kërkohet qeverive të rrisin përgjegjshmërinë. Bisedat në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit
Këshilli i Atlantikut, një forum për çështjet ndërkombëtare mblodhi në Uashington zyrtarë të lartë të administratës amerikane, anëtarë të Kongresit, ekspertë dhe ministra të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat e rajonit dhe rëndësinë e një përfshirje më të madhe amerikane në kohën e një rreziku në rritje nga ndërhyrja e Rusisë. Zyrtarët amerikanë riafirmuan angazhimin e Shteteve të Bashkuara për integrimin euroatlantik të rajonit. Ekspertët në Uashington kanë kohë që po shprehin shqetësim për boshllëkun e krijuar nga mungesa e një angazhimi më të gjerë amerikan në rajonin e Ballkanit që po shfrytëzohet nga Rusia, e cila sipas tyre ka gjetur terren të përshtatshëm për shkak të institucioneve të dobëta, sprapsjes në proceset demokratike, korrupsionit dhe ndasive etnike. Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee, shtroi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në punën për të ndihmuar vendet e Ballkanit të realizojnë reformat e nevojshme duke radhitur si përparësi luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve. “Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se ka disa sfida të rëndësishme që duhet të përballohen me urgjencë. Këto janë probleme që nuk do të përmirësohen me kalimin e kohës. Ato duhet të zgjidhen në mënyrë serioze. Korrupsioni, klientelizmi, qeverisja e dobët, institucionet e dobëta. Në se nuk i bëjmë këto, do të vazhdojë të ketë paqëndrueshmëri”, tha ai. Diplomati Yee tërhoqi vëmendjen për rritjen e përgjegjshmërisë së qeverive të Ballkanit ndaj ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë për të pasur rezultate në zbatimin e reformave. “Duhet të shohim përgjegjshmëri nga të dyja palët. Kjo do të thotë se nëse Perëndimi ju ofron ndihmë, duhet të ketë rezultate. Duhet të ketë pranim përgjegjësie se qeveritë, shoqëria civile, media, drejtësia, duhet të përmbushin gjithashtu angazhimet e tyre. Nëse nuk do të ketë përgjegjshmëri nga ana e Ballkanit Perëndimor, do të thosha se duhet të ketë pasoja”, nënvizoi zyrtari i Departamentit të Shtetit. Gjithashtu, Yee tha se udhëheqësit në rajon duhet të tregojnë vullnet politik për zgjidhjen e punëve të papërfunduara. Është në duart e qeverisë së Kosovës, tha ai, të nënshkruajë marrëveshjen e demarkacionit, dhe është në duart e qeverive të Kosovës dhe Serbi të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Senatorja demokrate Jeanne Shaheen tha se janë vetë vendet e Ballkanit ato që mund ta çojnë rajonin përpara. Për ta arritur këtë udhëheqësit dhe qytetarët duhet të dyfishojnë përpjekjet për të vendosur prioritetet e të ardhmes dhe jo të harxhojnë kohë të riformulojnë të shkuarën. Ajo tha se Kongresi Amerikan është i përkushtuar ta shohë rajonin të përparojë. “Pas sulmit të Kremlinit në zgjedhjet tona demokratike, mbështetja dypartiake për Ballkanin dhe integrimin në Bashkimin Evropian nuk ka qenë kurrë më e fuqishme. Ne po shtojmë financimet për t’u kundërpërgjigjur ndikimit keqdashës të Rusisë në Ballkan, ne po mbështesin shkëmbimet mes të rinjve dhe po shtojmë më shumë mundësi biznesi mes Shteteve të Bashkuara dhe rajonit”, u shpreh senatorja. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se angazhimi amerikan është i mirëpritur për të vazhduar reformat e nevojshme që do të sillnin anëtarësimin e vendeve të rajonit në strukturat euro-atlantike. Ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve të Ballkanit Perëndimor u takuan edhe me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Presidentit Trump, H.R Macmaster dhe zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit.