SHBA reagon ashpër: Jemi të zhgënjyer nga deklaratat e Edi Ramës

548
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar sot për deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës, për një president të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në qëndrimin e SHBA theksohet se gjuha e përdorur që aludon për bashkim mes dy shteteve është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera në rajon.
“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës“,- thuhet në reagimin e Ambasadës.
Qëndrimi i ambasadës së SHBA është i sinjali i dytë i fortë që Edi Rama ka marrë gjatë ditëve të fundit për gjuhën e përdorur në Prishtinë. Ditën e hënë ishte zëdhënësja e Komisionit Europian që reagoi për deklarata e kryeministrit shqiptar. Sipas BE retorika e përdorur nga Edi Rama nuk i shërben fqinjësisë së mirë në Ballkan.
Në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, të dielën, Edi Rama tha se “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”.
Deklarata u kritikua nga politikanët në Kosovë si një qëndrim që dëmtonte interesat e shtetit që festonte 10-vjetorin e pavarësisë dhe ende nuk ka marrë njohjet e mjaftueshme për të qenë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Edhe në Tiranë një deklaratë e tillë u cilësua si e papjekur dhe e dëmshme për Kosovën, kur ende vazhdojnë bisedimet me Serbinë. Një nga argumentet që Serbia përdorë për mosnjohjen e Kosovës është se “shkëputja e saj nga Serbia i hap rrugën krijimit të Shqipërisë së Madhe”. Me fjalimin që mbajti Rama në Prishtinë duket se i dha një qëndrim zyrtar kësaj teze.
I vetëdijshëm për rrëmujën dhe gafën diplomatike, Edi Rama u tërhoq dje nga deklarata duke thënë se ishte vetëm një imagjinatë. Sipas tij ishin mediat e që e kishin nxjerrë nga konteksti. Por mohimi i Ramës erdhi me vonesë. Ju deshën 48 orë të thoshte që “po ëndërronte” dhe nuk e kishte seriozisht këtë deklaratë. Në fakt dëmi është bërë. Në Serbi dhe Greqi qëndrimi i kryeministrit Rama po përdoret dëshmi e politikës konfliktuale të Shqipërisë.
Sigal