SHBA nxjerr dokumentet: Ja si u kap drejtësia nga Soros

558
Dokumenti, si e kapi Rama drejtësinë me milionat e Sorosit
“Judicial Watch” nga Uashingtoni akuzon ambasadorin amerikan, Donald Lu, për financim ndaj “Fondacionit për Shoqërinë e Hapur” në Shqipëri
Financimet e Sorosit në Shqipëri kanë përfunduar në lupën e Uashingtonit. “Judicial Watch”, një grupim aktivistësh amerikanë konservatorë, kanë publikuar së fundmi dosjen se si miliarderi George Soros përfitoi nga paratë e taksapaguesve amerikanë për qëllimet e tij politike në Shqipëri. Ky grupim ka hetuar disa nga financimet e Soros në vende të ndryshme të lindjes dhe së fundmi ka publikuar një dosje me 32 faqe se si “Fondacioni për Shoqërinë e Hapur” në Shqipëri u vu në shërbim të Partisë Socialiste në pushtet dhe kryeministrit Edi Rama për të justifikuar mënyrën se si po bëhej reforma në drejtësi. Dhe kanë marrë jo pak, por të paktën 9 milionë dollarë. “Judicial Watch” e ka bërë hetimin nisur nga interesi i saj, për të hedhur dritë se si u shpenzuan paratë e taksapaguesve amerikanë për qëllime politike të administratës së ish-presidentit Obama. Por dokumentet e publikuar nxjerrin disa detaje mjaft interesante për të kuptuar mbështetjen e fortë që Edi Rama kishte nga ambasadori amerikan Donald Lu gjatë negociatave të miratimit të reformës në drejtësi dy vjet më parë dhe sidomos gjatë krizës politike përpara zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, kur Lu doli hapur kundër bojkotit të opozitës. “Judicial Watch” thotë, se dosjen me 32 faqe arriti ta marrë më 26 maj 2017, vetëm pasi ngriti një padi për lirinë e informacionit kundër departamentit amerikan të shtetit. Ky i fundit fillimisht refuzoi të jepte dokumentet 31 mars 2017. Dokumentet tregojnë se si fonde të USAID u derdhën për llogari të “Fondacionit për një Shoqëri të Hapur” në Shqipëri i mbështetur nga Soros, për t’i dhënë qeverisë socialiste më shumë kontroll mbi gjyqësorin. USAID ka paguar 9 milionë dollarë në 2016-ën për fushatën e quajtur “Drejtësi për të gjithë” i cili është mbështetur nga “Instituti i menaxhimit Lindje-Perëndim” sërish në varësi të Soros. Në mars 2017 një grup prej 6 senatorësh amerikanë të kryesuar nga Mike Lee i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të asaj kohe Reks Tillerson që të hetonte nëse zyrtarë amerikanë kishin përdorur fondet e taksapaguesve për të mbështetur Sorosin në Shqipëri. Në letër thuhej: “Fondacioni për një Shoqëri të Hapur” dhe ekspertët e tij me fonde të USAID kanë hartuar të ashtuquajturin “Dokument Strategjik për Reformën në Drejtësi në Shqipëri”. Disa politikanë besojnë se këto “reforma kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së tij të qendrës së majtë një kontroll të plotë mbi drejtësinë”. Në parlamentin shqiptar, opozita e ka përmendur shpesh se kjo “strategji” është një reformë e sponsorizuar nga Soros. Të dhënat e reja të “Judicial Watch” zbulojnë një “memo” të prillit 2016 nga ambasada amerikane në Tiranë që tregon se ka “sponsorizuar” një sondazh në bashkëpunim me “Fondacionin për një Shoqëri të Hapur” të Sorosit për të matur te qytetarët shqiptarë “njohuritë, mbështetjen dhe pritshmërinë nga reforma në drejtësi”. Fondacioni i Sorosit raportoi më pas se 91% e shqiptarëve e “mbështesnin plotësisht” apo “e mbështesnin disi” nevojën për një reformë në drejtësi. Sondazhi nuk e specifikonte se çfarë lloj reforme kërkohej. Një tjetër dokument i shkurtit 2017 tregon se si Departamenti i Shtetit bashkë-financoi një tjetër sondazh të “Fondacionit për Shoqërinë e Hapur” për reformën në drejtësi që forconte kontrollin e qeverisë shqiptare mbi reformën. Raporti tregonte se Departamenti për Marrëdhënie Publike në ambasadën amerikane në Tiranë dhe fondacioni “Soros” mbështetën organizata lokale për të orientuar opinionin publik mbi reformën në drejtësi. Të dhënat tregojnë se DASH i dha organizatës së Sorosit fonde direkte për programet në Shqipëri. Një raportim në 10 shkurt 2017 thotë se “si një nga ofruesit më të mëdhenj të ndihmës në Shqipëri, përfaqësuesit e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur kërkojnë të marrin pjesë në shqyrtimet teknike të aplikimit që jepen për financim“. “Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i administratës së Obamës, ka qenë i lidhur ngushtë me Sorosin dhe qeverinë socialiste në Shqipëri. Në maj 2017, Lu ndihmoi të minojë planet e partive opozitare shqiptare për të protestuar ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke deklaruar se SHBA do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve edhe në qoftë se partitë e opozitës refuzonin të merrnin pjesë. Lu është përshkruar në shtypin amerikan si “një forcë shtytëse nga pas e reformës në drejtësi në Shqipëri”, shkruhan “Judicial Watch”. Administrata e Obamës kaloi në heshtje të paktën 9 milionë dollarë dollarë amerikanë të taksapaguesve në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me mbështetjen e miliarderit të krahut të majtë George Soros për një qeveri socialiste në Shqipëri. “Është veçanërisht mizore që Departamenti i Shtetit lejoi operacionin Soros të ndihmonte me fondet e drejtpërdrejta të taksapaguesve në grupime të tjera”, tha presidenti i “Judicial Watch”, Tom Fitton. “George Soros është një miliarder dhe ai nuk duhet të marrë mbështetjen e taksapaguesve për të çuar përpara axhendën e tij radikale të majtë për të minuar lirinë brenda dhe jashtë vendit”, shton ai.

Donald Lu: Nuk ofrojmë financim për Sorosin
Organizata “Judicial Watch”, në një njoftim të botuar të mërkurën, akuzon Departamentin e Shtetit se ka ndihmuar me fonde organizatat e filantropistit Xhorxh Soros për aktivitetet politike në mbështetje të forcave të majta në Shqipëri. “Judicial Watch”, një organizatë konservatore, e cila vëzhgon abuzimet e mundshme të buxhetit federal në Shtetet e Bashkuara, i bazon akuzat mbi dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit të siguruara përmes së drejtës së informimit. “Judicial Watch” thotë se fonde prej rreth 9 milionë dollarësh të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) i janë kaluar fondacionit Soros në Shqipëri gjatë vitit 2016, që sipas “Judicial Watch”, synonin t’i jepnin qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi sistemin e drejtësisë përmes reformës në drejtësi. “Judicial Watch” akuzon ambasadorin Donald Lu si të lidhur ngushtë me Sorosin dhe me qeverinë socialiste në Shqipëri. I pyetur nga “Zëri i Amerikës” se si u përgjigjet këtyre kritikave, Ambasadori Lu thekson se “ne nuk kemi ofruar financime për Fondacionin Shoqëria e Hapur dhe as kemi marrë financime prej saj”. “Kritikët e reformës në drejtësi, thekson Ambasadori Lu, i kanë etiketuar veprimet e ambasadës si të frymëzuara nga Sorosi”. Reforma e gjyqësorit, thekson më tej Ambasadori Lu, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, pasi me një “sistem gjyqësor të pastër Shqipëria do të jetë një aleate më e fortë në NATO dhe më pranë anëtarësimit në BE”. “Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri sepse është në interesin tonë kombëtar për ta bërë këtë. Kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor të pastër, do të jetë një aleate më e fortë në NATO. Do të jetë më pranë anëtarësimit në BE. Dhe reforma e gjyqësorit është edhe në të mirën e interesave të nënshtetasve dhe bizneseve amerikane në Shqipëri. Amendamentet për reformën e gjyqësorit në kushtetutën e Shqipërisë u miratuan unanimisht nga të gjitha partitë politike të Shqipërisë”, u shpreh Lu.


Sigal