SHBA nis “Veting”-un, blokazh zyrtarëve të skeduar në “dosjet” e dekriminalizimit

469
Refuzim dhe anulim i vizave amerikane për personat me mandat e imunitet
Zyrtarisht nis pas disa javësh, por efektet e Vettingut te gjyqtarët dhe prokurorët kanë nisur që tani. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi revokimin e vizave për disa gjyqtarë dhe prokurorë, që do të thotë anulim i vizave të marra. Ambasada nuk pranoi të bëjë komente për asnjë emër, por la të kuptohet se revokimi i vizave ka lidhje me Vettingun, ndërsa këtë të enjte u regjistrua largimi i parë vullnetar i një prokurori. Ndryshe nga herët e tjera kur ka reaguar ndaj një lajmi, kësaj radhe Ambasada vendosi që ta jepte lajmin vetë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të Vettingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”, thotë Ambasada. Emri i këtij prokurori nuk dihet ende, por thuhet se ai është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane i heq të drejtën e vizës një prokurori. Në prill të vitit të kaluar, Ambasada Amerikane i kishte refuzuar vizën kryeprokurorit të Durrësit, Agron Gjana, me dyshimin se ai do ta përdorte vizën për të qëndruar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas ligjit të Vettingut, refuzimi apo revokimi i një vize amerikane mund të përdoret si provë që gjyqtarët dhe prokurorët e refuzuar të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë dhe siç kuptohet nga deklarata e Ambasadës Amerikane, ky është vetëm fillimi. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar. “Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri”, mbyllet deklarata e Ambasadës. Por nuk është vetëm revokimi i vizave amerikane pasoja e vetme e Vettingut. Prokurori i Kavajës, Sulejman Tola ka dhënë dorëheqjen. Burimet tona, konfirmojnë se prokurori ka dorëzuar një dokument në Inspektoratin e Pasurisë, ku pohon vullnetin për të mos e dorëzuar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë. Sipas ligjit, ai duhet ta dorëzojë dorëheqjen në Presidencë, por ky institucion nuk pranoi të bëjë komente për këtë rast. Kushtetuta në nenin G, që është neni i fundit i saj, u jep një mundësi njerëzve të sistemit të drejtësisë që të japin dorëheqjen, nëse ata mendojnë se nuk e kalojnë dot kontrollin e pasurisë dhe figurës, ndërsa ligji i Vettingut u jep të dorëhequrve edhe një shpërblim në para. Kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga afati për dorëzimin e formularëve, nga 800 persona që duhet t’i nënshtrohen Vettingut, deri tani formularët janë dorëzuar nga më pak se gjysma, rreth 350.
Sigal